1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vazhdojnë protestat në Egjipt

27 Janar 2011

Megjithë kërcënimet masive të udhëheqjes egjiptiane, njerëzit në Kajro, Suez dhe qytete të tjera vazhdojnë të dalin në protesta në rrugë. Ata protestojnë kundër korrupsionit dhe shtypjes.

https://p.dw.com/p/105qX
Njerëzit vazhdojnë të dalin në protestaFotografi: AP

Aktivistët në internet bënë thirrje për protesta të reja ditën e premte. Deri tani gjashtë vetë kanë humbur jetën. Për shkak të protestave masive është shtuar edhe trysnia ndërkombëtare mbi presidentin Mubarak.

Ministrja e jashtme amerikane Hillary Clinton bëri thirrje të mos shtypen demonstrimet dhe të iniciohen reforma politike. "Ne shpresojmë që qeveria egjiptiane të shfrytëzojë këtë mundësi për të zbatuar reforma politike ekonomike dhe sociale që do t'i përgjigjeshin interesave legjitime të popullit egjiptian. Ne jemi të angazhuar të punojmë drejt këtij objektivi me shoqërinë civile në Egjipt, qeverinë egjiptiane dhe popullin e këtij kombi të madh." - u shpreh Clinton.

NO FLASH Ehemaliger IAEO-Generaldirektor Mohammed el-Baradei in Kairo
Idhtarë të Mohamed El BaradeitFotografi: picture alliance/dpa

BE: Edhe egjiptianët kërkojnë ndryshime

Pas protestave të dhunshme në Egjipt, Bashkimi Evropian i bëri thirrje Kairos që të mbrojë të drejtat e njeriut. E drejta për demostrata paqësore duhet të respektohet, bëri të ditur e ngarkuara me politikën e jashtme të BE-së, Catherine Ashton. Manifestimin e mijëra qytetarëve ajo e sheh si "sinjal për dëshirën e shumë egjiptianëve që edhe në Egjipt të ndodhin ndryshime si ato të fundit në Tunizi", tha ajo nga Brukseli. Edhe qeveria gjermane tregoi shqetësim për zhvillimet e fundit në Egjipt. Ministri i Jashtëm Guido Westerwelle kërkoi garantimin e të drejtave themelore të njeriut. Ai i bëri thirrje të gjitha palëve për të hequr dorë nga dhuna.

Në mes të protestave të vazhdueshme kundër udhëheqjes në Egjipt, politikani reformator dhe mbajtësi i çmimit Nobel për paqe Mohamed El Baradei, ka njoftuar kthimin në atdhe. Ish shefi i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore, i cili jeton në Vjenë, sipas të dhënave të vëllait të tij, pritet së shpejti në Egjipt. Baradei konsiderohet si sfiduesi i mundshëm i kryetarit të shtetit Hosni Mubarak në zgjedhjet presidenciale në vjeshtë të këtij viti.

Autor: DW/ Mimoza Cika- Kelmendi

Redaktoi: Eliana Xhani