1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vazhdon dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit

Marina Maksimovic / Angelina Verbica31 Mars 2014

Gjyqësori në veri, asosiacioni i komunave serbe dhe formati i procesit të mëtjeshëm të dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës janë temat e raundit të 23-të të bisedimeve në Bruksel.

https://p.dw.com/p/1BYwQ
Fotografi: DW/Marina Maksimovic

Raund i ri dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por aktorët dhe temat momentalisht mbeten të njëjtat. Shefja e diplomacisë evropiane Chaterine Ashton, kryeministrat e Serbisë dhe të Kosovës Ivica Dacic dhe Hashim Thaçi, si dhe zëvendëskryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiç do të bisedojnë për zbatimin e marrëveshjes së arritur në Bruksel. Pas raundit të 22-të të dialogut në shkurt, ka mbetur e hapur çështja e organizimit të gjyqësisë në veri të Kosovës, respektivisht formimi dhe kompetencat e gjykatës komunale në Mitrovicë. Të dyja palët patën deklaruar atëherë „se janë afër zgjidhjes“, e cila njëkohësisht përputhet me kushtetutën e Kosovës dhe kërkesën për respektimin e specifikës dhe veçorive të serbëve në veriun e Kosovës.

„Nëse ekziston një gjykatë për shtatë komuna, atëherë edhe struktura etnike në ato pjesë të saj, në veri, duhet të përbëhet kryesisht nga gjyqtarë dhe prokurorë serbë. Ndarja në bazë të kritereve etnike nuk është praktikë në gjyqësi dhe kjo duhet respektuar, ashtu siç duhet respektuar edhe specifika e veriut“, deklaroi kryeministri i Serbisë Ivica Dačić pas raundit të dialogut në shkurt.

Edhe pse atëherë qe njoftuar që marrëveshja përfundimtare do të finalizohej dhe nënshkruhej "në ditët e ardhshme", kjo nuk ndodhi. Para fillimit të raundit të ri të dialogut në Bruksel nuk deshën të spekulonin, nëse të dy palët brenda grupeve të ekspertëve janë pajtuar tashmë për qëndrimet dhe nëse në takim mund të arrihet marrëveshja përfundimtare politike mbi gjyqësorin.

Ç'pamje do të ketë dialogu pas zgjedhjeve në Serbi dhe Kosovë?

Nga Beogradi njoftojnë se gjatë këtij raundi të dialogut do të vazhdojnë diskutimet lidhur me formimin e asosiacionit të komunave serbe, mbrojtjes civile në veri dhe përgatitjeve për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Kosovë. Njëkohësisht në Bruksel insistohet për negociata për hapat e mëtejshëm në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës në kontekstin e rezultateve të zgjedhjeve në Serbi, por edhe atyre të ardhshme në Kosovë. Mbetet të shihet, se në çfarë formati do të vazhdojë dialogu, të cilin deri tani e kanë drejtuar kryeministrat Daçiç dhe Thaçi:

„Zëvendëskryeministri i parë i deritanishëm Aleksandër Vuçiç ka patur një rezultat të shkëlqyer. Ai ka qenë një pjesë e rëndësishme e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës. Ne presim që këto negociata të vazhdojnë, këtë ia kam bërë të qartë edhe Vuçiçit", tha shefja e diplomacisë së BE, Catherine Ashton, duke theksuar nevojën që pas zgjedhjeve në Serbi të bëhet formimi sa më i shpejtë i institucioneve të reja qeverisëse, në mënyrë që vendi të vazhdojë reformat dhe procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Prishtinën.

Burimet diplomatike në Bruksel thonë se pavarësisht nga ndërprerja e përkohshme për shkak të procesit të zgjedhjeve në Serbi dhe në Kosovë dhe ndryshimet e mundshme të negociatorëve, kjo fazë e dialogut deri në nëntor, kur përfundon mandati i shefes së diplomacisë të BE-së, duhet të sjellë së paku zbatimin e plotë të marrëveshjes së Brukselit, si hapin e parë për normalizimin e marrëdhënieve Beograd-Prishtinë.

Pozicionim më i qartë ndaj çështjes së Krimesë?

Në lidhje me deklaratat e disa mediave serbe se shefja e diplomacisë të BE-së mund ta shfrytëzojë raundin e 23-të të dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës për t'i bërë presion shtesë delegacionit të Beogradit që t'u bashkangjitet masave evropiane kundër Federatës Ruse, në Bruksel përsërisin se vendet, që pretendojnë për anëtarësim në BE nuk kanë detyrim ligjor formal të mbështesin vendime të tilla të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Por theksohet, se detyrimet e dala prej Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit "ndiqen me vemendje" dhe do të kenë "efektet e tyre" në raportet vjetore për përparimin e secilit vend në procesin e integrimeve evropiane.

Jozyrtarisht burimet diplomatike në Bruksel thonë se Bashkimi Evropian e kupton "pozicionin specifik të Serbisë", por edhe se nga Beogradi pret "një qëndrim pak më të qartë" lidhur me çështjen e Krimesë.