1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vazhdon lufta për pushtet në Tripoli

era (rtr, dpa, afp, ap)22 Maj 2014

Në Libi kërcënon të eskalojë lufta për pushtet. Sidomos në kryeqytet, në Tripoli, vazhdojnë luftimet midis milicive rivale. Përkundër dhunës Gjermania dëshiron që të mbajë të hapur ambasadën e saj.

https://p.dw.com/p/1C4Oe
Fotografi: AFP/Getty Images

Në luftën për pushtet në Libi janë duke u ashpërsuar frontet. Grupi më i madh parlamentar i doli të mërkurën në mbështetje ofensivës ushtarake të ish gjeneralit Khalifa Haftar. Aleanca liberale e Forcave Kombëtare deklaroi se ajo mbështet ofensivën kundër "terroristëve dhe burimeve të tyre të financimit". Megjithatë, ajo paralajmëroi oficerët ushtarakë dhe të policisë, aleatë të Haftar-it nga "ndërhyrja në jetën politike." Edhe udhëheqja e trupave të mbrojtjes ajrore u bashkua me të ashtuquajturin "Operacioni i Dinjitetit". Siç njoftoi media vendase, vetëm pak kohë më vonë është sulmuar me rekata baza e saj në Tripoli.

Ish-gjenerali Haftar kishte filluar në mënyrë arbitrare javën e kaluar me disa oficerë një ofensivë kundër brigadave islamike në Bengazi. Ish-luftëtarët e revolucionit nga qyteti perëndimor Sintan menjëherë pas kësaj dëbuan deputetët nga Parlamenti. Kundërshtarët politikë të Haftar-it janë kryesisht anëtarët e Vëllazërisë Myslimane.

Në një sulm plagoset shefi i marinës

Gjithashtu edhe të mërkurën, në rrugën e aeroportit ndërkombëtar në Tripoli pati përsëri perleshje mes përkrahësve dhe kundërshtarëve të Haftar-it. Në perëndim të kryeqytetit gjatë një sulmi ndaj autokolonës së tij u plagos shefi i Marinës së Libisë. Përveç Admiral Hassan Abu Schnak janë plagosur edhe shoferi dhe dy rojet e sigurisë. Megjithatë gjendja e tyre është jashtë rrezikut për jetë, njoftoi një zëdhënës i ushtrisë.

Pamje nga Tripoli
Pamje nga TripoliFotografi: AFP/Getty Images

Pavarësisht përshkallëzimit të dhunës në Libi, Gjermania dëshiron të mbajë të hapur ambasadën e saj në kryeqytetin Tripoli. Megjithatë, shtabi i krizës i ngritur në Ministrinë e Jashtme në Berlin ka vendosur për të rritur masat e sigurisë. Ministria nuk ka përmendur detaje të tjera. Sipas vlerësimeve zyrtare, aktualisht mbi 100 gjermanë ndodhen në shtetin e krizës në Afrikën e Veriut.

Ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier është i shqetësuar për konfliktin e ri: "Shtimi i dhunës dhe kaosit mund të parandalohet vetëm nëpërmjet dialogut", tha Steinmeier për gazetën "Neue Osnabrücker Zeitung". Prandaj dhuna duhet të ndalet. "Këtu bën pjesë edhe respekti për institucionet ende të brishta demokratike të vendit," tha Steinmeier.