1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vende pune dhe buxhet të konsoliduar - Prioritetet e Dijsselbloemit

AG/Lindita Arapi22 Janar 2013

Ministrat e Financave të 17 vendeve të eurozonës zgjedhin kryetarin e ri të eurogrupit. Pasuesi i Jean-Claude Junckerit është 46 vjeçari holandez, Jeroen Dijsselbloem, i panjohur në skenën e politikës financiare.

https://p.dw.com/p/17Obg
Jeroen Dijsselbloem dheJean-Claude Juncker
Jeroen Dijsselbloem dheJean-Claude JunckerFotografi: GOBET/AFP/Getty Images

Ministrat e Financave të 17 vendeve të eurozonës u mblodhën të hënën në Bruksel për të zgjedhur kryetarin e ri të eurogrupit, pasuesin e luksemburgasit, Jean-Claude Juncker, i cili drejtoi për tetë vjet eurogrupin. Por vendimi për zgjedhjen e kryetarit të ri nuk ka qenë arsyeja e vetme e takimit të ministrave. Vëmendja u përqëndrua sidomos tek programi i ndihmës për Qipron e kërcënuar nga falimentimi. Duket se shpëtimi i Qipros do të jetë një akt shumë i vështirë për eurogrupin, në një kohë kur janë ngritur akuzat për larje parash në shtetin-ishull. Sipas qarqeve diplomatike me një program shpëtimi për Qipron mund të llogaritet në mars. Nikosia ka nevojë për 17,5 miliardë euro ndihmë financiare, në një kohë kur sektori bankar i vendit u prek së tepërmi nga kriza greke.

Wolfgang Schäuble
Wolfgang SchäubleFotografi: picture-alliance/dpa

Përkrahje dhe dyshime

Ndërkohë në arenën e eurogrupit u ngjit një lojtar deri më tani i panjohur në Europë, gjë që bëri që Franca të ketë dyshime në minutën e fundit. Holandezi Jeroen Dijsselbloem, 46 vjeçar, njëri nga ministrat më të rinj të Financave të Europës ishte kandidati i vetëm për postin e drejtuesit të eurogrupit. Para takimit të eurogrupit, ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble ishte shprehur pro ngjitjes në këtë post të Dijsselbloemit. "Unë mendoj se ai është kryetari i duhur për eurogrupin", tha ministri gjerman. Që herët e kam preferuar këtë kandidaturë, ka theksuar Schaüble.

Edhe ministrja austriake e Financave, Maria Fekter u shpreh pro zgjedhjes së Dijsselbloemit. "Ne e njohim politikën holandeze të financave. Ajo i përshtatet politikës sonë austriake", tha ajo. Ndërkohë ministri francez i Financave, Pierre Moskovici kishte kërkuar më parë që Dijsselbloem t'i sqarojë qëllimet e tij politike, por taktikën e vonimit, Franca nuk e praktikoi të hënën në Bruksel. Sipas ministrit francez, Dissejbloem duhet të bëjë të qartë që ashtu si Juncker edhe ai "e mbështet balancën mes vendeve veriore dhe jugore të Europës, si edhe balancën mes kursimit dhe politikës së rritjes ekonomike".

Ministrja austriake e Financave, Maria Fekter
Ministrja austriake e Financave, Maria FekterFotografi: picture alliance/Herbert Neubauer

Çfarë synon kryetari i ri i eurogrupit

Dijsselbloem është ndër ithtarët e një buxheti të konsoliduar dhe përkrah kursin e fortë të kursimit për të arritur një gjë të tillë. Që më parë ai ishte shprehur se "do të ndjekë një politikë strikte reformuese". Por kur Dijsselbloem paraqiti para raundit të ministrave të 17 vendeve të eurozonës programin e punës gjatë mandatit të tij ai bëri të qartë se: "Duhet të punojmë për rritje ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës dhe në të njëjtën kohë të balancojmë buxhetet tona". Kështu i paraqiti Dijsselbloem prioritetet e mandatit. Ndërkohë bota financiare e sheh zgjedhjen e holandezit Dijsselbloem si vazhdim të politikës së stabilitetit financiar në Europë.