1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Veprimet në veri të domosdoshme, vlerësojnë ekspertët e sigurisë në Kosovë

27 Korrik 2011

Sipas ekspertëve ngjarjet do të forcojnë procesin e negociatave. As Beogradi nuk heq dorë nga bisedimet me Prishtinën. Bisedimet janë rruga e vetme për zgjidhjen paqësore të problemeve, thuhet në qeverinë serbe.

https://p.dw.com/p/1255z
Kontroll kufitar
Kontroll kufitarFotografi: picture alliance /dpa

Veprimet e fundit të qeverisë së Kosovës në veri kanë qenë të domosdoshme, vlerësojnë ekspertët për çështje të sigurisë në Kosovë. Ato thonö se këto ngjarje vetëm sa do të forcojnë procesin e negociatave, që ka filluar mes Prishtinës dhe Beogradit. As Beogradi nuk heq dorë nga bisedimet me Prishtinën. Bisedimet janë rruga e vetme për zgjidhjen paqësore të problemeve, thuhet në qeverinë serbe.

Policia e Kosovës nuk ka bërë asgjë tjetër, përveçse e ka kryer detyrimin e vet ligjor dhe kushtetues, për të cilin është mandatuar nga qeveria dhe kuvendi i Kosovës, thotë Agim Musliu ekspert për çështje të sigurisë: "Ky veprim ka qenë më se i domosdoshëm për shkak të një mbështetjeje të masave të reciprocitetit, të cilat i ka shpallur Qeveria e Kosovës, respektivisht ministria e Industrisë dhe Tregtisë, për shkak të problemeve të njohura: humbjeve financiare të Kosovës, zhvillimit të krimit të organizuar nga ajo pjesë, të trafikimeve të të gjitha llojeve etj. Policia e Kosovës nuk ka bërë asgjë tjetër, përveçse e ka kryer obligimin e vet ligjor dhe kushtetues, për të cilin është mandatuar nga qeveria dhe kuvendi i Kosovës. Policia e Kosovës është e mbështetur nga qeveria e Kosovës, nga Kuvendi i Kosovës dhe i gjithë populli i Kosovës, por dhe nga miqtë e dëshmuar të Kosovës deri tani. Domethenë është një hap legjitim, të cilin e ka ndërmarrë ministria e Punëve të Brendshme në bashkëpunim me policinë. Mua më vjen keq që Eulex-i ka dështuar në aksionin e ndërmarrë dhe nuk është paraqitur si partner, që e ka mandantin për të mbikqyrur dhe ndihmuar policinë e Kosovës dhe ligjshmërinë në Kosovë. Ai është tërhequr dhe kjo e vërteton edhe njëherë, që Eulex-i nuk ka vullnet që të ndryshojë gjërat për të mirë në Kosovë, por është vetëm deklarativ."

Musliu: Aksioni në bashkëpunim me të gjithë faktorët relevantë ndërkombëtarë

Agim Musliu, ekspert për çështje të sigurisë
Agim Musliu, ekspert për çështje të sigurisëFotografi: DW

Ndërkohë që në mediet gjermane vendimi i fundit i kryeministrit Thaçi shihet "si lojë me zjarrin", sipas zotit Musliu aksioni është ndërmarrë në bashkëpunim me të gjithë faktorët relevantë ndërkombëtarë: "Kryeministri Thaçi dhe qeveria e Kosovës sigurisht që kanë pritur një moment më të volitshëm për t'u pjekur kushtet politike dhe për të reaguar. Unë kam insistuar edhe shumë më herët që kjo të ndodhë se nëse prolongohet një problem, atëherë ai do të rritet dhe do të bëhet më i madh, gjë që u tregua edhe tash. Por sidoqoftë tash janë pjekur kushtet. Para ca ditësh sinjali nga Brukseli ka qenë i qartë, edhe për palën kosovare dhe serbe, që kjo pjesë e Kosovës dhe krimi i organizuar në Serbi dhe në Kosovë duhet të fillojë të luftohet. Domethënë janë pjekur kushtet për intervenim, tani qeveria e Kosovës ka ndërhyrë, ky nuk është vendim vetëm i zotit Thaçi, për këtë ai ka përkrahjen e gjithë qeverisë, Kuvendit dhe tek e fundit edhe të popullit të Kosovës por besoni edhe pjesës, që banon në veri të Kosovës e që i përket pakicës serbe. Edhe ata kanë problem shumë të madh me këto struktura të shtetit serb, që në vazhdimësi i mundojnë edhe ata në mënyra të ndryshme prej zhvatjes, kërcënimeve etj. etj. Unë nuk e kisha quajtur këtë lojë me zjarr, se tek e fundit ky aksion është ndërmarrë në bashkëpunim me KFOR-in në konsultim me EULEX-in, që është tërhequr domethënë me të gjithë faktorët relevantë ndërkombëtarë, që janë në Kosovë."

Ndërkaq në Beograd thuhet se aksioni i fundit i policisë kosovare i ka ngritur tensionet në Kosovë. Milivoje Mihajlloviq është drejtor i zyrës për marrëdhënie me mediet pranë qeverisë serbe: "Është shumë e mundur që Prishtina ta ketë marrë e vetme vendimin për një aksion të tillë dhe mendoj se ky aksion e ka ngritur pak temperaturën në Kosovë dhe Metohi dhe ka shqetësuar banorët. Qeveria e Serbisë ka ndërmarrë aktivitet diplomatik në disa fusha: ne kemi paralajmëruar Kombet e Bashkuara, nën protektoratin e të cilit është krahina jugore por edhe Bashkimin Evropian, misioni i të cilit është EULEX-i , që duhet ta parandalojnë këtë lojë të rrezikshme me zjarrin. Ne kemi ftuar edhe qytetarët që të jenë të përmbajtur, të mos përgjigjen ndaj provokimeve. Qëndrimi i qeverisë serbe është që çdo problem duhet të zgjidhet në mënyrë paqësore."

Musliu: Ngjarjet e fundit do të forcojnë bisedimet

Symbolbild Spannung an Grenze Kosovo Serbien Symbolbild ARCHIV
Fotografi: picture-alliance/dpa

Në funksion të zgjidhjes paqësore të problemeve janë bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit, që këtë vit kanë filluar në Bruksel. Sipas ekspertit të sigurisë Agim Musliu ngjarjet e fundit vetëm sa do t'i përforcojnë këto bisedime: "Në këto momente, apo në momente të tilla, gjithkund në botë është praktikë që aksionet e tilla të përcillen edhe me aktivitet diplomatik dhe me bisedime në tavolinë. Unë mendoj që kjo, që ndodh, përkundrazi duhet t'i forcojë këto bisedime dhe unë nuk shoh humbës në këtë raund të bisedimeve. Të dy palët janë të barabarta në këtë bisedim dhe të dyja palët e kanë për obligim që të fillojnë përfundimisht me luftimin e krimit të organizuar në vendet e veta. Një prej këtyre pikave ka qenë pjesa veriore e Kosovës. Për ne me rëndësi është që ky aksion ka përfunduar, policia speciale e ka filluar tërheqjen, ata e kanë kryer misionin e vet , atje tani do të vendosen doganierët dhe policët kufitarë. Me rëndësi është që ne ta ruajmë gjakftohësinë dhe mos të reagojmë në provokime të ndryshme, mos të jemi euforikë. Po ashtu duhet të kemi kujdes që këtë, që është arritur, ta mbajmë dhe ta vazhdojmë, domethënë ky aksion, i cili i shënon një fillim të luftës kundër krimit të organizuar të mos ndërpritet këtu, por të vazhdohet dhe të implementohet ligji dhe kushtetushmëria në atë pjesë të Kosovës".

Edhe qeveria e Serbisë shprehet se nuk heq dorë nga dialogu

Drejtori i zyrës së qeverisë serbe për marrëdhënie me mediet, Milivoje Mihajlloviq thotë: "Beogradi kërkon me çdo kusht, që të mos ndërpritet dialogu me Prishtinën. Për ne ky dialog është prioritet politik numër një. Ne nuk duam që dialogu të ndërpritet, por nga ana tjetër ne nuk dëshirojmë të dorëzohemi përballë shantazheve dhe presioneve. Çdo gjë mund të zgjidhet në tryezën e bisedimeve, në mënyrë paqësore, pa shqetësimin e qytetarëve, pa ngritjen e tensioneve."

Sipas Mihajlloviq dialogu është rruga e vetme për zgjidhjen paqësore të problemeve: "Qeveria e Serbisë në asjë mënyrë nuk dëshiron që të ndërpriten këto bisedime dhe qeveria e Serbisë nuk do ta bëjë kurrë një gjë të tillë. Ne mendojmë që dialogu është rruga e vetme për zgjdihjen paqësore të problemeve dhe nuk duhet humbur rasti, që të ulemi në tryezën e bisedimeve dhe problemin ta zgjidhim në mënyrë paqësore."

Autor: Esat Ahmeti / Ivan Gjerkoviq

Redaktoi: Angjelina Verbica