1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

230511 Börse Parketthandel

26 Maj 2011

Bursa gjermane në Frankfurt mbizotërohet nga kompjuterat, por edhe ekziston tregtia e ashtuquajtur e parketit. Të reja nga bursa më e madhe gjermane.

https://p.dw.com/p/11OPW
Salla e bursës së FrankfurtitFotografi: DW

Bursa - më parë quhej një trumbë njerëzish që bërtisnin e jepnin shenja me këmbë e me duar e që brenda një kohe shumë të shkurtër ishin në gjendje të lëviznin shuma të mëdha parash, pa e kuptuar një i jashtëm se si. Në shumicën e bursave këso gjërash i përkasin tashmë së kaluarës. Si në shumë sektorë të jetës, edhe këtu biznesin e dominojnë kompjuterët. E megjithatë, ende ekziston parketi ose dyshemeja e bursës, ku shitblerësit operojnë në vend, veçse tani çdo gjë bëhet pa zhurmë. Kështu është edhe në Frankfurt, megjithëse sipas korporatës së bursës gjermane, Deutsche Börse AG, që nga 23 maj 2011 nuk ka më operacione në parket.

Në Frankfurt për të parë bursën e sotme

Sa më shumë që blihet e shitet, aq më me forcë kërcasin shifrat e bardha në dërrasën e zezë mbi parketin ngjyrë kafe prej dushku të sallës së bursës në Frankfurt. Mbi të janë të shpërndarë shtatë banakë të zbërdhylët, në formë rrethi e gjysmë rrethi, mbi qoshet e të cilëve janë instaluar ekrane. Gjashtë a shtatë agjentë kanë zënë vend në secilën nga tryezat. Ata janë përgjegjës për kuotimin e titujve me vlerë në parket. Është qetësi. Një grua e ulur mbas ekranit punon me shtiza. Për të parë se si duket tani parketi i bursës unë kam ardhur enkas në metropolin financiar të Gjermanisë, në Frankfurt – bursa e katërt për nga rëndësia në botë. Që prej mbi 200 vjetësh këtu, në një ndërtesë të moçme, gjendet salla e bursës. Mbasi kaloj përmes skanerit të ngushtë e të qelqtë të sigurisë, gjendem në mes të hollit të bursës.

Deutschland Wirtschaft Börse in Frankfurt Börsensaal Fidel Helmer
Fidel Helmer - figurë e njohur e bursësFotografi: DW

«Tregtia e parketit do të hiqet», «Zbrit nga Parketi», «Bëhet edhe pa të»....
...kësisoj dhe të ngjashme ishin titujt e gazetave ekonomike të javëve të shkuara. Aty nga mesi i nëntorit, Bursa Gjermane, mbas një seance të Këshillit të saj, kishte kumtuar se tregtia nëpërmjet agjentëve në parket, duke filluar që nga 23 maj 2011, do të hiqet.

Takime virtuale - Sot në bursë hapet vetëm kompjuteri...

Në sallë takoj një figurë të lashtë të bursës. Ai quhet Fidel Helmer dhe ka qenë drejtues i shitblerjes së letrave me vlerë në bankën private Hauck & Aufhäuser. Që prej mbi 40 vjetësh ai hyn e del në parket. Tani është në pension, por punon si këshilltar i bankës. Kur ai filloi të punonte, këtu çdo mesditë bëhej biznes –asokohe sigurisht që çdo gjë bëhej me dorë, kujton Helmer: «Po, dhe pastaj në sallën e bursës hynin e dilnin me qindra njerëz, gëlonte nga britmat e fuqishme e njerëzit që jepnin e merrnin. Si mjet komunikimi asokohe shërbente vetëm telefoni dhe teleksi. Bursa është një treg dhe këtu këmbeheshin informacionet.»

Ndërsa sot tregtarët nuk kanë nevojë fare të kalojnë përmes skanerit të sigurisë. Ata thjesht hapin kompjuterin e tyre diku nëpër botë. Takimet bëhen në mënyrë anonime, në tregun virtual. Para ca vitesh, Bursa Gjermane futi në përdorim sistemin kompjuterik Xetra, në të cilin ndërkohë nga mëngjesi e gjer në mbrëmje shiten e blihen rreth 95 për qind të letrave me vlerë. Aty mblidhen së bashku ujditë e shitjeve dhe blerjes së çdo vendi të botës dhe, në se përkojnë nga sasia e çmimi, atëherë ato realizohen automatikisht.

Deutschland Wirtschaft Börse in Frankfurt Börsensaal
Ende ekziston bursa e "parketit". Pamje nga salla e bursësFotografi: DW


Nuk ka nevojë më për sekserë

«Për letrat e mëdha këtu në parket nuk nevojiten më sekserë. Urdhrat e blerjes dhe të shitjes janë në përmasa të atilla, saqë tregtia bëhet tërësisht në mënyrë automatike. Njerëzit që janë këtu në parket, janë përgjegjës më shumë për letrat gjermane jolikuide, ose për aksionet e huaja, të cilat tregtohen këtu, në parketin e Frankfurtit, por që nuk kanë thellësi në treg, pra, numër të madh urdhrash.» thotë Carsten Sommerfeld, kryetar i bankës Tradegate, e cila është specializuar për tregtimin e letrave me vlerë. Në rast se, për shembull, dëshiron të shesësh një numër të madh nga këto aksione që shiten pak, dhe këtë porosi shitjeje e jep në kompjuter, çmimi i aksioneve do të ulet menjëherë tej mase, për shkak të mungesës së porosive të blerjes. Për aksione të tilla deri tani përkujdeseshin agjentët e skontrove në parket.

Kur deri tani paska qenë e nevojshme ndërhyrja e njerëzve, atëherë si bëhet pa parket? Wolfgang Gehrken, anëtar i Këshillit të Bursës thotë: «Puna e agjentëve të parketit do të vazhdojë të kërkohet. Por nuk është e nevojshme që shitësi dhe blerësi të jenë ballë për ballë. Kjo gjë edhe sot ndodh shumë rrallë. Pra, parketi, si vend tregtimi, me teknologjinë e sotme nuk është më i nevojshëm. Edhe sot ai shumë rrallë përdoret.»

Të befason përgjigja. A nuk erdha unë këtu të raportoj për fundin e tregtisë së parketit që me sa duket nuk paska përfunduar aspak? «Epo ky është për fat të keq problem i Bursës Gjermane. Ajo duhet të thotë qartë se: Ne nuk do të heqim dorë nga tregtia e parketit, por veçse do të ndryshojmë teknikën e saj, agjentët e skontrove do t'i quajmë ndryshme.» thotë Joachim Llambi nga Schnigge Wertpapier AG. Agjentët – të cilët në të ardhmen do të quhen specialistë – do të kujdesen për ato tituj që tregtohen pak. Për këtë ata nuk e kanë më të nevojshme të punojnë në parket. Ata kanë nevojë vetëm për një kompjuter, pavarësisht se ku gjenden. Për mediet, sidomos për televizionet, parketi ka qenë dhe mbetet i rëndësishëm. Kështu që edhe në të ardhmen do të vazhdojnë të punojnë njerëz në sallën e bursës.

Deutschland Atomkraft Japan Börse in Frankfurt startet schwach
Vetëm para kompjuterit? Dikur kishte britma në bursëFotografi: dapd

Ndryshime në punën e agjentëve

Edhe për ata do të ndryshojë më shumë se vetëm sipërfaqja e kompjuterit dhe emërtimi. Llambi këtë e shpjegon duke marrë si shembull një aksion që tregtohet pak, e prej të cilave do të shitet një sasi e madhe. «Këtu njeriu mund të kujdeset që të pranohen urdhrat dhe që ato të mos dalin të tëra njëherësh në shitje: Pra ata nuk do ta japin gjithë sasinë e tyre në kompjuter, por do të testojnë se a mund të gjendet fillimisht dikush që mund t'i shesë për një çmim më të mirë se kompjuteri. Këto për shembull janë veprime, të cilat do t'i bëjë specialisti i këtushëm». «Agjentët do të duhet të hyjnë edhe vetë në lojë sigurisht ose si blerës ose si shitës dhe ky është një biznes me shumë risk.» plotëson Helmer.

Për Bursën Gjermane kalimi në sistemin Xetra para së gjithash premton më shumë xhiro, thotë Sommerfeld. "Xhirot pritet të rriten në dy drejtime: Nga njëra anë, sepse klientët sigurisht që do të kenë çmime më të mira, pra, supozohet që të marrin pjesë më shumë klientë. Pastaj, edhe numri i klientëve do të shtohet: Bursa gjer tani ka qenë një platformë kombëtare, të huajt nuk kishin asnjë shans të hynin në sistemin aktual. Ndërsa Xetra është një sistem që ka zënë vend të rëndësishëm në tregun financiar të Evropës. Për këtë arsye mendohet që përafërsisht numri i tregtarëve potencialë këtu në parket të dyfishohet.»

Dhe kjo xhiro e rritur pritet të pasqyrohet në të ardhmen edhe në kërcitjen e shifrave të dërrasës së zezë.


Autor: Insa Wrede/Anila Shuka

Redaktoi: Lindita Arapi