1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vetëm investimet e huaja mund të krijojnë vende të mjaftueshme të punës në Kosovë

Esat Ahmeti24 Nëntor 2008

Në Frankfurt mbi Majn përfaqësues të qeverisë së Kosovës takuan përfaqësues të diasporës nga komuniteti i biznesit në Gjermani.

https://p.dw.com/p/G11N
Pamje nga takimi në Frankfurt mbi Majn
Pamje nga takimi në Frankfurt mbi MajnFotografi: Esat Ahmeti

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë e Republikës së Kosovës (MTI) respektivisht Agjensia për Promovimin e Investimeve e Kosovës (APIK) përmes zyrës së saj në Vjenë organizuan në Frankfurt mbi Majn fundjavën që lamë pas një takim me përfaqësues të diasporës nga komuniteti i biznesit në Gjermani. Të pranishëm në takim ishin edhe Ministri i MTI-së Lutfi Zharku dhe i ngarkuari me punë në ambasadën kosovare në Berlin, Vilson Mirdita.

"Kosova vazhdon të ketë një stabilitet makroekonomik dhe vazhdon të ketë një rritje ekonomike por ajo nuk është sa duhet e e mjaftueshme që vendin ta çoj përpara që të krijohen edhe vende të mjaftueshme të punës. Prandaj rruga më e mirë për zhvillim është tërheqja e investimeve të huaja në Kosovë". Për këtë ishin të një mendjeje të gjithë ata që morrën fjalën në takim.

Vetëm në periudhën 2001-2006 Kosova ka tërhequr investime në vlerë prej afro 650 milionë euro, kryesisht të hyra përmes procesit të privatizimit. Ndërkaq vetëm gjatë vitit 2007 Kosova ka pas një ngritje të të hyrave të drejtpërdrejta prej rreth 40 % më shumë në krahasim me tërë periudhën 2001-1006. Kjo sipas pjesëmarrësve në diskutim kishte të bëj me mënjanimin e një prej problemeve kryesore për investitorët e huaj, statusin e pazgjidhur politik të Kosovës ose mungesën e sigurisë. Sipas ministrit të Tregtisë dhe Industrisë e Republikës së Kosovës, zotit Lutfi Zharku Qeveria e Kosovës tash:

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë i Republikës së Kosovës, Lutfi Zharku
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë i Republikës së Kosovës, Lutfi ZharkuFotografi: Esat Ahmeti


"është duke punuar me ngulm që të gjitha ligjet të mundësojnë krijimin e një klime të favorshme për investime dhe funksionimin sa më të kehtë të biznesit dhe tërheqjen e investimeve të jashtme sa më shumë që është e mundur. Kosova tash është shtet i pavarur dhe më shumë se kurrë është pjesë e rajonit. Duke qenë pjesë e rajonit ajo është në një garë me shtetet e tjera sa i përket tërheqjes së investitorëve të huaj në vendin tonë. Kosova tanimë ka tejkaluar pengesën më të madhe, statusin e pazgjidhur politik: Kosova është ndërkombëtarisht e njohur nga të gjithë partnerët tanë kryesor. Bashkëpunimet rajonale të mbështetura nga BE përmes mekanizmit të Paktit të Stabilitetit sot janë edhe më të mëdha në fushën e tregtisë, sidomos përmes funksionimit të Marrëveshjes së Evropës Qendrore për Tregti të Lirë (CEFTA) e cila funksionon që nga viti i kaluar. Në garën me shtetet e rajonit Kosova ofron një sistem fiskal konkurues me tatime të ulëta dhe procedura të thjeshta administrative për regjistrimin e biznesit", tha Zharku.


Megjithatë janë kosovarët me qëndrim të përkohshëm në Gjermani ata që duhet të dëshmojnë para investitorëve gjermanë se në Kosovë ia vlen të investohet. Kështu u shpreh ndër të tjera në fjalën e tij, i ngarkuari me punë në ambasadën e parë të Republikës së Kosovës në Berlin, zoti Vilson Mirdita.

Përfaqësuesi diplomatik i Republikës së Kosovës në Berlin, Vilson Mirdita
Përfaqësuesi diplomatik i Republikës së Kosovës në Berlin, Vilson MirditaFotografi: Esat Ahmeti


"Ne kemi një rini të shëndoshë në Kosovë dhe atë potencial duhet ta shfrytëzojmë maksimalisht sepse duke i dhënë asaj rinie punë ne i krijojmë ndryshe strukturat e shtetit tonë. Prandaj unë ju lus që ne si vendas, si qytetarë të Kosovës të bëjmë hapin e parë dhe nëqoftëse duam që miqtë gjermanë të vijnë të investojnë në Kosovë atëherë të ju tregojmë atyre se si bëhen këto investime".


Mërgata kosovare vazhdon ende të luaj një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Rreth 17 % e Brutto Produktit Vendor përbëhet nga të hyrat që shkojnë nga diaspora, qofshin ato në formën e investimeve apo para të gatshme si ndihmë familjeve. Por, sipas Kujtim Dobrunës nga Agjensia për Promovimin e Investimeve e Kosovës (APIK), zyra në Vjenë, këto janë vetëm shifra zyrtare. Kështu duke patur parasysh mungesën e të dhënave se sa mërgimtarët dërgojnë para të gatshme kur të shkojnë për vizitë në Kosovë mund të konkludohet se këto shifra janë shumë më të larta, sqaron Dobruna dhe shton se:

Përfaqësuesi i APIK-ut në Vjenë, Kujtim Dobruna
Përfaqësuesi i APIK-ut në Vjenë, Kujtim DobrunaFotografi: DW/ Esat Ahmeti


"Për krahasim mund të shihni se bashkësia ndërkombëtare për 1,7 përqind më shumë kontribuon në zhvilimin ekonomik të Kosovës sesa diaspora dmth. është një bashkërendim praktikisht paralel. Kështu ka qenë para si dhe në fazën e rindërtimit por edhe tash në fazën aktuale të zhvillimit të Kosovës".


Pjesëmarrësitë në takim pasi që u janë përgjegjur pyetjeve të të intersuarëve për të investuar në Kosovë kanë kujtuar edhe njëherë për vendimin e Qeverisë së Kosovës që tatimi në fitim i cili aktualisht është 20 % nga 1 janari i vitit 2009 do të jetë 10 %.