1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vizita e kryetarit të Partisë E Majta në Moskë

Mathias Bölinger / Pandeli Pani15 Maj 2014

Vizita e Gregor Gysit në Moskë duhet parë kryesisht si një sinjal ndaj partisë së tij, sepse Moska nuk lidh me të shpresa konkrete për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë.

https://p.dw.com/p/1Bzll
Fotografi: picture-alliance/dpa

Ndoshta Gregor Gysi mendonte me të vërtetë se ai do të mund të ulej në Moskë si ndonjë pëllumb paqeje. Ai do të kontribuojë për deeskalimin, kishte njoftuar të dielën (11.05.) kryetari i Partisë E Majta, me një instinkt të pagabueshëm për një inskenim plot efekt. Pastaj ai u nis drejt Moskës, i shoqëruar nga thashethemet se kishte madje edhe një takim me Vladimir Putinin.

Traditë antiperëndimore

Por kjo s'qe e vërtetë. Protokolli rus përcatoi si bashkëbisedues për politikanin e opozitës gjermane zëvendësministrin e Jashtëm Titov dhe kryetarin e parlamentit, dumës, Sergei Narishkin - një gjest që tregon se miku dhe vizita e tij vlerësohen, por me vizitën e tij nuk lidhen shpresa konkrete. Që Gysi do të ishte një mysafir i mirëpritur në Moskë, kjo qe e qartë që më parë. Gysi e ka kritikuar shpesh në të kaluarën politikën e qeverisë gjermane për Ukrainën dhe për këtë edhe është cituar me mirënjohje në mediat ruse.

DW Bölinger Mathias
Komentatori i DW-së Mathias BölingerFotografi: DW/C. Becker-Rau

Partia E Majta është tradicionalisht kritike ndaj Perëndimit dhe në veçanti ndaj NATO-s. Në konfliktin në Ukrainë kjo parti ra dakord kohët e fundit për formulimin, Rusia "nuk është kryesisht përgjegjëse" për përshkallëzimin e gjendjes në Ukrainë. Ky është një kompromis, sepse krahu i majtë i partisë qe pozicionuar pjesërisht mjaft qartë në anën e Moskës dhe e kishte bërë vetëm Perëndimin përgjegjës për shkallëzimin e gjendjes. Politikanët e partisë E Majta kanë konfirmuar me dëshirë për mediat shtetërore ruse pozicionin e Moskës, sipas së cilit NATO dhe BE-ja me ndihmën e fashistëve sollën në ndryshimin e regjimit në Ukrainë në mënyrë që të zgjerojnë ndikimin e tyre.

Koketim me rolin e ndërmjetësit

Nëse Gysi tani koketon me një rol ndërmjetësi në konflikt dhe sugjeron Kofi Annanin si negociator, sepse "të gjithë politikanët evropianë, duke përfshirë edhe veten time" perceptohemi si të anshëm, kjo sigurisht mund të konsiderohet si mbivlerësim i kotë. Si Gysi edhe bashkëbiseduesit e tij e dinë sigurisht se ndikimi i partisë e Majta, e cila ka fituar në zgjedhje vetëm tetë për qind të votave, nuk është shumë i madh në politikën e jashtme gjermane. Madje vizita e tij mund të vlerësohet më tepër si një përpjekje për ta nervozuar paksa qeverinë gjermane - le të kujtojmë se në të njëjtën kohë me të u nis për në Ukrainë edhe ministri i Jashtëm gjerman.

Por ndoshta vizita duhet parë kryesisht si një sinjal ndaj partisë së tij. Me udhëtimin e tij Gysi bëri të qartë se ai nuk do t'ua lërë pretendimin e autoritetit për të interpretuar konfliktin pjesëtarëve të spektrit të majtë të partisë së tij. Ai u tregua shumë i kujdesshëm që përveç kritikave të zakonshme të të majtëve ndaj Evropës dhe SHBA-së të mos e çlironte Rusinë prej përgjegjësisë së saj. Në prani të kryetarit të parlamentit rus Narishkin ai kritikoi aneksimin e Krimesë si një shkelje të ligjieve ndërkombëtare. Ndryshe nga disa prej anëtarëve të partisë së tij Gysi e di se përqafimi me regjimin konservator-nacionalist të Putinit në fund mund ta mbysë partinë e tij E Majta.