1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Udhëtimin e tij në Evropë presidenti amerikan e nis me Poloninë

av (dpa, afp)3 Qershor 2014

Situata në Ukrainë do të jetë në qendër të vizitës së presidentit amerikan Obama në Varshavë. Obama pritet të kërkojë nga europianët të jenë të fortë në qëndrimin ndaj Rusisë. Polonia mbështetet në garancitë e Nato-s.

https://p.dw.com/p/1CAyE
Obama nö Varshavë me presidentin polak Komorovski 03.06.2014
Fotografi: Reuters

Përkujtimi i kthesës së madhe historike dhe shqetësimi aktual në lidhje me sigurinë në rajon gjenden shumë pranë njëra tjetrës në vizitën e Barak Obamës në Poloni. Polakët festojnë me një "Festival të Lirisë" zgjedhjet e tyre të para disi më të lira të 4 qershorit 1989 pas rënies së komunizmit. Ndër të ftuarit nuk ndodhen vetëm presidenti i SHBA dhe presidenti gjerman Joachim Gauck, por edhe presidenti i sapozgjedhur i Ukrainës, Petro Poroshenko. Ashtu si para 25 vjetësh fjala është për debatin lidhur me sferën ruse të influencës dhe pretendimet për pushtet të Kremlinit.

Në qendër të bisedimeve të Obamës me presidentin polak Bronislav Komorovski dhe kryeministrin Donald Tusk këtë të martë është edhe përshkallëzimi i situatës në Ukrainë, ndarja e thellë e fqinjëve të polakëve në forca properëndimore dhe proruse. Polonia pret që fuqia e udhëheqëse e Natos SHBA do të rinovojë premtimet e sigurisë për partnerët e saj në Evropën Lindore. Një takim i Obamës me Poroshenkon në Varshavë është planifikuar për të mërkurën.

Polonia stacioni i parë i vizitës së Obamës
Polonia stacioni i parë i vizitës së ObamësFotografi: Reuters

Të mërkurën dhe të enjten Obama merr pjesë në samitin e shteteve më të industrializuara (G7) në Bruksel. Tema kryesore edhe këtu është bashkëpunimi i mëtejshëm me Rusinë duke patur parasysh krizën në Ukrainë. Përveç kësaj në agjendë janë çështjet energjetike dhe ekonomike. Samiti i G8 i planifikuar të mbahej fillimisht në Soçi nën presidencën ruse ështe anulluar.

Të premten presidenti i SHBA-së do të përkujtojë në Francë së bashku me kryetarë të tjerë shtetesh dhe qeverish 70 vjetorin e zbarkimit të aleatëve në Normandi, të ashtuquajturën "D-Day" me 6. qershor 1944. Për herë të parë që prej aneksimit të Krimesë presidenti rus Vladimir Putin do të takohet në kuadër të festimeve me udhëheqësit perëndimorë. Në Paris ai do të takohet fillimisht me presidentin francez François Hollande.

Në Normandi mund të zhvillojë një bisedë personale me kancelaren gjermane Angela Merkel. Flitet edhe për një takim të shefit të Kremlinit me presidentin ukrainas Poroshenko.