1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vizitë e ngjeshur - Papa qëndron në disa qytete gjermanolindore

24 Shtator 2011

Papa Benedikti vazhdon vizitën në Lindje të Gjermanisë. Në një meshë në Erfurt ai lëvdoi besnikërinë e katolikëve që i rezistuan ideologjisë komuniste. Pasojat e diktaturës nuk kanë kaluar plotësisht, tha kreu i kishës.

https://p.dw.com/p/12foC
Papa në Erfurt
Papa në ErfurtFotografi: dapd

Qyteti lindor gjerman i Erfurtit nuk e kishte përjetuar këtë më parë. Që në mesnatë mijëra vetë i ishin drejtuar sheshit qendror, ku ndodhet edhe katedralja, në pritje të meshës së papës të shtunën paradite. Ipeshkvi i Erfurtit, Joachim Wanke bëri fjalë për një "ngjarje të mijëvjeçarit" të landeve të reja gjermane pas bashkimit.

28.000 vetë ishin mbledhur kur Papa Benedikti filloi meshën në katedrale. Thirrjet "Benedetto" dhe Viva il Papa" ishin shpeshherë të pranishme. Mot i shkëlqyer për një meshë të tillë të rëndësishme. Papa kaloi me makinën e vet të bardhë sheshin e katedrales. Në fjalën e tij ai vlerësoi besnikërinë fetare të shumë katolikëve në kohën e diktaturës.

Shërbestarë në meshë
Shërbestarë në meshëFotografi: dapd

" Të dashur vëllezër dhe motra, këtu në Tyringen dhe në ish-Republikën Demokratike Gjermane, ju keni përjetuar një diktaturë naziste dhe atë të kuqe, që për besimi katolik ishte si një shi me acid."

Pasojat nuk kanë kaluar

Ata i rezistuan ideologjisë komuniste. "Shumë katolikë kanë pranuar disavantazhe, vetëm për të jetuar besimin e tyre", tha Papa. Dy diktatura e kanë goditur besimin, kujtoi ai, ajo naziste dhe komuniste, dhe me pasojat e tyre ende përballen komuniteti i këtushëm.

Papa mban meshën
Papa mban meshënFotografi: dapd

Ndërkohë një incident në kuadër të kësaj meshe nuk shkaktoi shumë irritim. Një person qëlloi me armë një grua nga personeli i sigurisë. Gruaja u plagos lehtë, ndërkohë që autori u arrestua. Por incidenti u mbyll shpejt pa pasoja të tjera.

Të shtunën Papa vazhdon vizitën në Fraiburg. Në Tybingen Papa ka qenë pedagog i teologjisë. Me dëshirën e tij, papa Benedikti takohet edhe me ish-kancelarin Helmut Kohl, ndërkohë që të dielën me një meshë të shenjtë në hapësirën e aeroportit, ku priten 100.000 vetë, Papa përmbyll udhëtimin e tij në Gjermani.

Autor: dpa/Arapi

Redaktoi: Aida Cama