1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vlladimir Putin prej sot kryeministër i ri i Rusisë

Ahmeti, Esat8 Maj 2008

Ish-shefi i shtetit rus mori sot miratimin nga parlamenti për detyrën e re. Zgjedhja e tij mbahej si formale, pasi partia e tij në duma ka shumicën prej dy të tretave

https://p.dw.com/p/Dwpi
Kryeministri i ri rus, Vlladimir Putin
Kryeministri i ri rus, Vlladimir PutinFotografi: AP

Parlamenti rus me shumicë votash miratoi sot emërimin e Vllladimir Putinit për kryeministër të Rusisë. Për ish-presidentin rus votuan 392 deputetë, 56 ishin kundër. Partia Komuniste votoi e vendosur kundër kandidatit të presidentit Medvjedev. Putin pas tetë vitesh qëndrimi në postin e presidentit i dorëzoi dje këtë detyrë bashkëveprimtarit të tij, Dimitrij Medvjedev. Me konfirmimin e parlamentit të dominuar nga Partia e Putinit, 'Rusia e Bashkuar' është përmbyllur edhe procesi i ndërrimit të pushtetit në Rusi. Televizioni rus ka transmetuar drejtpërdrejt seancën e votimit në parlament.



Në bazë të kushtetutës Putini nuk kishte të drejtë për një mandat të tretë presidencial. Në të ardhmen ai planifikon që të drejtoj vendin bashkarisht me presidentin e ri Dimitrij Medvjedev i cili poashtu ishte i pranishëm në seancën e votimit.


Në një fjalim të mbajtur në prag të votimit në parlament presidenti i ri rus, Dimtirj Medvjedev tha se Putini merr një rol qendror në realizimin e planeve për zhvillimin e Rusië deri në vitin 2020.


Ndërkaq vet Putin deklaroi sot se: "ne kemi një shans që Rusia në 10 deri 15 vitet e ardhshme sa i përket kualitetit jetësor të renditet në mesin e vendeve te para në botë. Bëhet fjalë para së gjithash për nivelin e të ardhurave të qytetarëve, përkujdesjen sociale dhe kualitetin e arsimit dhe shëndetësisë", tha Putin.


Pritet që Putini të ketë pushtet më të madh në postin e kryeministrit për dallim nga parardhësitë e tij. Politikani është edhe kryetar i partisë së Kremlinit "Rusia e Bashkuar" e cila në Dumën ruse ka më shumë se një të tretën e deputetëve.


Putin ka drejtuar edhe njëherë tjetër për një kohë të shkurtër qeverinë ruse. Presidenti i parë rus Boris Jelcin pat nominuar ish-shefin e shërbimit të fshehtë për postin e kryeministrit në vitin 1999. Parlamenti pat miratuar kandidturën e tij me 232 vota pro dhe 84 kundër. Në dhjetor të vitit 1999 Putin zgjidhet president i Rusisë pas dorëheqjes së parakohshme të presidentit Jelcin.