1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vorbull skandalesh në Greqi

Niko Anagnosti / Athinë,8 Janar 2008

Greqia, nga vendet komunitare me korrupsionin m të lartë, tronditet këto ditë nga një skandal i rëndë në ministrinë e Kulturës me me dy tentativa për vetëvrasje.

https://p.dw.com/p/CmRK
Demostratë para parlamentit, Athinë
Demostratë para parlamentit, AthinëFotografi: AP

Tërmeti prej 6.5 ballesh i së dielës ishte një makth sekondash që kaloi shpejt për Greqinë. Por lëkundjet e një tërmeti tjetër, të skandalit në ministrinë e Kulturës, po kthehen në një makth pa fund për kabinetin e djathtë të Karamanlisit. Protagonisti kryesor i tij, ish sekretari i ministrisë së Kulturës, Kristos Zahopullos, që u hodh nga kati i katërt për të marrë me vete misterin e skandalit, ndodhet në sallën e reaminacionit. Sekretarja e tij, partnerja 34 vjeçare e ambalazhit roz të skandalit, u paraburgos me akuzën e shantazhit për të siguruar si shkëmbim një vend pune në sektorin publik. Një i tretë, avokat dhe kumbar i sekretares, pasi kishte lenë pas tri letra, që akuzonin pushtetarët se po e inkriminonin së bashku me një koleg tjetër "si kokën e shantazhit" ndaj sekretarit të ministrisë, u hodh në rotat e kamjonit, për të përfunduar për fat të mirë vetëm me trauma të rënda në spital.

"Qeveria tenton të shndërrojë në mënyrë sistematike drejtësinë në lavatriçe të përgjegjësive të saj politike," deklaroi zëdhënësi parlamentar i opozitës Kastanidhis, kur edhe media opozitare flet për skandal politik dhe jo thjesht roz –siç përpiqet ta paraqesë qeveria- duke fotografuar allishverishe ekonomike me fondet për kulturën nga ish sekretari i përgjithshëm i ministrisë, që ishte emëruar në këtë post si njeriu i tij –bile me super kompetenca- nga vetë Karamanlis, që në kohën e Olimpiadës mbante edhe postin e ministrit. Në shënjestër, pra, vihet vetë kryeministri, qeverisjen e të cilit Papandreu e cilësoi si "batak skandalesh" duke i kujtuar dhe ato me përgjimet telefonike apo të arkave të siguracionit social.

"Zoti Papandreu është i fundit që mund të flasë për këto, sepse fenomene të kalbëzimit dhe korrupsionit i kemi parë për vite me radhë gjatë qeverisjes së PASOK-ut,"- ishte përgjigja e zëdhenësit të qeverisë Rusopullos, por pa efekt me sa duket në opinionin e gjerë, që sheh dhe qeverinë e re si atë të mëparshme të socialistëve të zhytur në skandale. Aq më tepër që Karamanlis erdhi në pushtet me flamurin e luftës kundër korrupsionit, por Greqia nga Eurobarometri radhitet ndër vendet komunitare me korrupsionin më të lartë.