1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një bijë kërkon drejtësi

Andrea Grunau / Lindita Arapi2 Prill 2013

Babai i Gamze Kubasik u vra në vitin 2006 si viktima e tetë e një serie vrasjesh nga celula neonaziste, NSU. Por ky fakt u bë i njohur vetëm në 2011. Para procesit gjyqësor, ajo flet për tmerrin e kaluar dhe shpresat.

https://p.dw.com/p/188DK
Fotografi: DW/A. Grunau

"Oh, mos, tani po e sheh edhe vajza" këto fjalë dëgjoi më 4. Prill 2006 Gamze Kubasik, kur aty nga mesdita ishte nisur drejt kioskës për t'u ndërruar me babanë që do të shkonte në shtëpi. Makina policie dhe ambulanca qëndronin para dyqanit të vogël në rrugën Mallinckrodt në Veri të Dortmundit. Hyrjen në kioskë e bllokonte shiriti me vija të kuqe e të bardha. Kur Gamze Kubasik donte të shkonte tek babai një polic e ndalon.

Për afro 15-vjet Mehmet Kubasik jetonte në Gjemani. Si alevit turko-kurd, anëtar i një pakice fetare, aty nga fundi i viteve 80-të ai nuk e ndjente më veten të sigurtë në Anadollin juglindor. Mehmeti kërkoi azil në Dortmund, fitoi të drejtën e azilimit dhe në vitin 2003 u bë nënshtetas gjerman. Gjermania ishte për të një vend demokratik, kjo e impresiononte babanë tim, "dhe ai vetë ishte demokrat", rrëfen vajza e tij, Gamze.

Plumba në kokë i marrin jetën pronarit të kioskës

Vrasësi duhet të ketë hyrë në dyqan aty nga ora 12:00. Me një pistoletë të markës Ceska, me të cilën ishin vrarë edhe shtatë vetë të tjerë, ai qëllon disa herë mbi Mehmet Kubasikun që ndodhej pas banakut. Dy goditje në kokë, viktima bie mbi rafte. Kështu shkruhet në analizën e Zyrës së Kriminalistikës të landit Baden-Vyrtemberg në fillim të vitit 2007, dorëzuar edhe Deutsche Welle-s.

Ndërkohë kanë kaluar shtatë vite, po vrasja ende hedh hije të errëta mbi jetën e familjes Kubasik. Vetëm para pak ditësh, rrëfen vajza, nëna e saj Elife rrugës me shoqen e saj kishte parë dy burra që shkonin nga pas. Asaj i ishin dukur si neonazistë dhe e kishte zënë paniku. Edhe para vrasjes së bashkëshortit të saj, kishin qëndruar para kioskës dy burra.

Guri përkujtimor i Mehmet Kubasik në Dortmund
Guri përkujtimor i Mehmet Kubasik në DortmundFotografi: picture-alliance/dpa

Gamze Kubasik do të jetë e fortë sidomos në procesin gjyqësor

Paniku është pjesë e jetës edhe për Gamze Kubasik. Por 27 vjeçarja do të jetë e fortë, sidomos në procesin gjyqësor, të njohur me emrin Procesi kundër NSU - Ilegalitetit Nacionalsocialist. Si njëra nga 70 akuzueset dhe akuzuesit ajo do ta shohë në sy Beate Zschäpen. "Po qe se janë vërtet njerëz, ata nuk do ta përballonin dot të ndesheshin me familjarët (e viktimave- shën.red.) dhe t'i shohin në sy." Gamze Kubasik do drejtësi për babanë, por edhe që ajo që i ndodhi familjes së saj të mos ndodhë kurrë tek të tjerët. Pikërisht për këtë arsye ajo foli para 1.200 të ftuarve në ceremoninë përkujtimore në Berlin në shkurt të vitit të kaluar, krah Semyia Simsek, vajzës së Enver Simsek, i vrarë po nga celula e trios neonaziste.

Kancelarja Merkel kërkoi falje para familjarëve për dyshimet e hedhura ndaj viktimave dhe familjeve të tyre, të cilat pushuan vetëm në momentin kur u bë e njohur videoja e "Ilegalitetit Nacionalsocialist" në nëntor 2011.

Të bombarduar me dyshime

Ditën e vrasjes së babait, Gamze Kubasik dhe nëna, Elife u morën në pyetje veçmas për gjashtë orë. Ka qenë shokuese, rrëfejnë ato se me çfarë pyetjesh u bombarduam. "Ka marrë babai juaj drogë, ka shitur drogë?" Policia pyeste për lidhjet me mafian, me partinë e ndaluar kurde. Qentë kontrolluan banesën e tyre, shqyen automjetin e Mehmet Kubasik, morën prova pështyme. Kur Gamze Kubasik hodhi variatin, se vrasja duhet të ketë lidhje me ekstremistët e djathtë, mori përgjigjen se për këtë nuk ka prova. Dy ditë pas vrasjes së Mehmet Kubasikut u vra në Kasel, 21 vjeçari, Halit Yozgat, me të njëjtën armë. Mediat përsëritën variantin, për të cilin dyshonin hetuesit, se viktimat mund të jenë përzier në kanale të errëta. Gamze Kubasik ra në depresion. Edhe në Dortmund flitej se babai i tyre mund të kishte lidhje të dyshimta, dhe ajo nuk mund të provonte se ai ishte i pafajshëm.

Beate Zschäpe, anëtare e celulës neonaziste NSU, së shpejti del para gjyqit
Beate Zschäpe, anëtare e celulës neonaziste NSU, së shpejti del para gjyqitFotografi: Getty Images

"Babai yt nuk duhej të vdiste"

Familja Kubasik u njoh me familjen e Halit Yozgatit, që po ashtu nuk donte të heshtte për vrasjen e djalit. Në Kasel organizata të ndryshme dolën në protestë me moton "Jo vrasje të 10-të!". Aty Gamze u njoh me Semiya Simsek, që i tha "Babai yt nuk duhej të vdiste!" Në Nëntor 2011 Gamze mori një telefonatë, nga një shoqe e saj: "Janë gjetur me sa duket personat që kanë vrarë babanë tënd, por ata po ashtu kanë vdekur. Kështu thuhet në televizor. " Ishte një ditë, kur Gamze kuptoi vërtet se çfarë peshe kishte mbajtur gjithë këto vite, dhe ndjeu lehtësim që të gjitha fajësimet dhe thashethemet mbi babanë e saj nuk u vërtetuan.

Zemërim për dështimet në zbardhjen e vrasjeve

Gamze Kubasik është e shokuar dhe ndjen zemërim edhe për një fakt tjetër: Për dështimet në hetimet  e kryera, për Mbrojtjen Kushtetuese, dhe dosjet e eliminuara. Ajo nuk arrin të kuptojë si mund të ndodhte kjo, pasi kancelarja Merkel kishte premtuar me besueshmëri se do të bëhet gjithçka për zbardhjen e vrasjeve. Gamze Kubasik pyet: "Sa të sigurtë jemi ne në këtë vend!"

Me avokatin e saj ajo do të luftojë për drejtësi dhe zbardhje. Pas martesës banoi gjashtë muaj në Turqi, por vendosi të kthehej. "Gjermania është vendlindja ime!" "Unë jam po ashtu edhe gjermane, dhe nuk dua që të ma shkatërrojnë këtë. Ky vend na përket të gjithëve, dhe jo neonazistëve."