1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

270211 Westerwelle Libyen

28 Shkurt 2011

Ministri i Jashtëm Gjerman, Guido Westerwelle, i përshëndeti sanskionet e OKB-së kundër udhëheqjes së Libisë dhe i bëri thirrje Muammar al Gaddafit që të japë dorëheqjen.

https://p.dw.com/p/10QNU
Guido WesterwelleFotografi: picture-alliance/dpa

Fjalët e ministrit të Jashtëm gjerman Guido Westerwelle për Muammar al Gaddafin janë të qarta: "Koha e diktatorit ka marrë fund. Ai duhet të largohet dhe pikë."

Westerwelle theksoi në një deklaratë në Berlin se bashkësia ndërkombëtare nuk mund të bashkëpunojë më me Gaddafin dhe iu drejtua diktatorit me fjalët:

"Mesazhi ynë për familjen e sundimtarit në Libi është i qartë: Ndalni dhunën kundër popullit tuaj, kujdesuni që populli të vendosë vetë për të ardhmen e tij dhe hapini rrugën.“

Westerwelle i përshëndeti sanksionet e OKB-së ndaj Libisë, për të cilat RFGJ ishte angazhuar dukshëm. Sanksionet, tha ministri, nuk drejtohen kundër popullit libian, por kundër familjes së sundimtarit dhe diktatorit që zhvillon luftë ndaj popullit të vet. Veç ngrirjes së llogarive bankare për gaddafin dhe familjen e tij dhe embargos së armëve, sanskionet përmbajnë edhe kalimin e çështjes së Libisë, pra të ngjarjeve të atjeshme, në Gjykatën e Hagës.

Kjo sipas ministrit Westerwelle është tepër e rëndësishme në mënyrë që ata që janë përgjegjës për krimet në Libi të nxirren përpara përgjegjësisë.

Westerwelle falendëroi edhe trupat e ushtrisë gjermane për evakuimin e 130 të huajve nga zona e brendshme e Libisë, ndër ta edhe 22 gjermanë. Në Libi ndodhen edhe rreth 100 nënshtetas gjermanë. Gjysma e tyre në Tripoli, të tjerët në qytete të tjera. Westerwelle kërkoi që të gjithë qytetarët gjermanë të ndjekin paralajmërimin e MPJ dhe të largohen menjëherë nga Libia.

Autor: Bettina Marx/Pandeli Pani

Redaktoi: Angjelina Verbica