1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Westerwelle në Beograd

24 Shkurt 2012

Shefi i diplomacisë gjermane Guido Westerwelle deklaroi se shansat e Serbisë që të fitojë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE janë të mira. Por Serbia duhet të bëjë hapat e fundit në këtë rrugë.

https://p.dw.com/p/149Fb
Boris Tadiq dhe Guido Westerwelle
Buzëqeshje miqësoreFotografi: picture-alliance/dpa

"Perspektiva evropiane e Serbisë dhe e Ballkanit është e mirë. Gjermania do ta mbështetë në këtë rrugë", u shpreh ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle, në një konferencë të përbashkët shtypi me homologun e tij serb Vuk Jeremiq, të zhvilluar në Beograd. Asnjëri prej ministrave nuk e përmendi Kosovën, por nga konteksti i paraqitjes së tyre para gazetarëve ishte e qartë që kushti kryesor që Serbia duhet të plotësojë për të fituar statusin e kandidait për anëtarësim në Bashkimin Evropian është marrëveshja me Prishtinën në dialogun i cili po zhvillohet në Bruksel.

Westerwelle dhe Jeremiq
Westerwelle dhe Jeremiq nuk përmendin Kosovën.Fotografi: Selma Filipovic

Shefi i diplomacisë gjermane tha se Serbia ka shkuar shumë larg në përpjekjet e saj për të fituar statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian. "Gjermania përshëndet përparimet e bëra nga dhjetori i vitit të kaluar. Ajo do të donte që Serbia të fitojë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, sepse ajo mbështetë perspektivën evropiane të Serbisë dhe tërë rajonit", theksoi Westerwelle, duke shtuar se vet kjo vizitë dëshmon përkushtimin e Gjermanisë në këtë drejtim.

Hapat e fundit dhe problemet

Serbia tani ka mbërritur në fazën përfundimtare të kësaj rruge drejt statusit të kandidatit. Në këtë rrugë duhet të bëjë edhe hapat e fundit. "Kjo është e mundur. Ne duhet të kemi durim, të jemi fleksibël dhe të vyeshëm", theksoi ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle.

Homologu i tij serb Vuk Jeremiq tha se Beogradi shpreson se në Bruksel do të merret një vendim pozitiv për Serbinë, ndonëse nuk duhet nënçmuar problemet që ekzistojnë në rrugën deri tek statusi i kandidatit për anëtarësim në BE.

"Nuk dua të prejudikojë vendimin që duhet të merret në Bruksel, sepse ende nuk kemi mbërritur fazën kur me siguri të plotë mund të themi se Serbia do të fitojë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE. Me rëndësi është që këto ditë të punojnë në këtë drejtim", tha Jeremiq. Ai shtoi se Serbia para vetes ka edhe shumë punë, por e di që vendimi pozitiv është i mundur.

"Serbia ka bërë të gjitha që ishin në mundësinë e saj për të plotësuar kushtet e përcaktuara në samitin e fundit të Këshillit të Evropës. Mendoj se jemi afër realizimit të obligimeve të fundit. Në këtë pikëpamje Gjermania dhe Serbia kanë qëndrime të njëjta", theksoi Jeremiq. Por, sipas tij, Beogradi është kundër definimeve të reja të kushteve të paraqitura në dhjetor, duke mos saktësuar se për çfarë kushtesh është fjala.

Boris Tadiq dhe Guido Westerwelle
Tadiqi flet më hapur.Fotografi: AP

Tadiqi flet edhe për Kosovën

Vizitën e tij të befasishme në Beograd ministri i Jashtëm gjerman e përfundoi me takimin me presidentin Boris Tadiq. Për dallim prej Westerwelles dhe Jeremiqit, presidenti Tadiq, që në fillim e përmendi dialogu me Prishtinën dhe marrëveshjet për Kosovën. "Serbia ka një qasje konstruktive ndaj dialogut me Prishtinën dhe është maksimalisht e hapur për marrëveshje. Mendoj se po i plotësojmë të gjitha kushtet për të fituar statusin e kandidatit për anëtarësim në BE", kumtoi kabineti i presidentit Tadiq.

Presidenti serb është i bindur se marrëveshjet mund të arrihen me kompromis, por mbi bazat e përfaqësimit të Kosovës sipas Rezolutës 1244. Tadiq theksoi se nga Beogradi nuk është kërkuar njohja e pavarësisë së Kosovës. Sa i përket takimit me Westerwellen ai kumtoi se bisedimet kanë kaluar në një atmosferë të mirë dhe konstruktive. "Serbia është e interesuar për raporte shumë të mira politike, ekonomike dhe miqësore me Gjermaninë, si një nga vendet më të rëndësishme në Bashkimin Evropian", theksoi ai.

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: Elert Ajazaj