1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Wulff në Aushvic: Kujtimi dhe zija e mundësojnë të ardhmen

28 Janar 2011

Presidenti gjerman Christian Wulff si presidenti i parë gjerman ka mbajtur një fjalim në Ditën Përkujtimore të viktimave të Holokaustit (27.01) në ish-kampin e përqëndrimit Aushvic-Birkenau në Poloni.

https://p.dw.com/p/106Ec
Presidenti gjerman Christian Wulff vë kurora në murin e ekzekutimitFotografi: dapd

Eva Umlauf e kishte menduar për një kohë të gjatë nëse do ta merrte fjalën në Aushvitc. Nuk e kishte të lehtë të merrte një vendim. 68 vjeçarja lindi në kampin e punës Novaki dhe si foshnjë u transportua në Aushvitc. Ajo nuk ka kujtime për të përditshmen në kamp, thotë më e reja e të mbijetuarve, megjithatë nuk kalon asnjë ditë pa e kujtuar Aushvitcin.

"Kërcënimi i ekzekutimit dhe sëmundja e rëndë që duhej të përballonte trupi im foshnjë janë të inkorporuara brenda tij. Ato që duhej të përballonte shpirti im, denigrimi, frika e vdekjes dhe horrori janë memorizuar në mënyrë të pavetëdijshme, dhe mund të ridalin sërish në sipërfaqe."

Bundespraesident Christian Wulff im Konzentrationslager (KZ) Auschwitz-Birkenau
Christian Wulff, i pari president gjerman që mban fjalim në AushvitcFotografi: dapd

Heshtje dhe emocion në mes të të ftuarve. Edhe presidenti gjerman Christian Wulff u tregua i prekur nga fjalët e sllovakes që jeton prej kohësh në Gjermani. Para Wulffit kanë marrë pjesë edhe krerë të tjerë të shtetit gjerman në ceremonitë përkujtimore në Aushvitc. Ata kanë preferuar të heshtin. Por ndryshe nga paraardhësi i tij, Wulff bën pjesë në gjeneratën e pasluftës. Ndoshta edhe për këtë ai doli të mbajë një fjalim për të kujtuar fajin gjerman dhe përgjegjësinë.

Wulff: Gjermanët mbushen me tmerr dhe turp nga Aushvitci

"Emri i Aushvitcit si asnjë tjetër është simbol i krimit të gjermanëve ndaj miliona hebrenjve. Ata na mbushin ne gjermanët me tmerr dhe turp, ne mbajmë prej kësaj një përgjegjësi historike të vazhdueshme, e cila është tërësisht e pavarur nga faji personal. Ne nuk duhet të lejojmë që krime të tilla të përsëriten ndonjëherë", tha ai.

Pak më parë presidenti gjerman kishte vendosur kurora së bashku me homologun e tij polak Bronislav Komorovski në murin e ekzekutimit në Aushvitc. Delegacioni i nivelit të lartë nga të dy vendet u shoqërua nga rreth 80 të mbijetuar të terrorit nazist. Disa prej tyre mbanin të veshur veshjet e dikurshme të të burgosurve apo shalle bardhë e blu që të kujtonin uniformat e dikurshme në kampet e përqëndrimit.

Auschwitz Soundgalerie Flash-Galerie
Pamje nga AushvitcFotografi: AP

Në fund të fjalimit të tij presidenti gjerman tha se "ne kemi përgjegjësi të përbashkët që kujtimi për Aushvitcin të mbahet gjallë. Përgjegjësi edhe për atë që një deformim i tillë i civilizimit të mos ndodhë më kurrë. Wulff: "Kujtimi, përkujtimi dhe zija nuk e paralizojnë jetën, nuk e bllokojnë të ardhmen, por pikërisht ato e bëjnë të mundur të ardhmen."

Autor:Ludger Kazmierczak /Lindita Arapi

Redaktoi: Bahri Cani