1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zbardhja e fatit të personave të zhdukur ndihmon vendosjen e paqes

Ajete Beqiraj5 Nëntor 2007

Ditën e premte më 2 nëntor në një lokacion në fshatin Orllan të Podujevës, u gjet një skelet femre dhe një kafkë. Për 4400 fati nuk dihet. Numri më i madh përbëhet nga civilë, pleq, gra dhe fëmijë.

https://p.dw.com/p/C11D
27 maj 2005 në Merdare afër kufirit me Serbinë autoritetet serbe dorëzojnë trupat e 64 shqiptarëve të vrarë gjatë luftës së Kosovës
27 maj 2005 në Merdare afër kufirit me Serbinë autoritetet serbe dorëzojnë trupat e 64 shqiptarëve të vrarë gjatë luftës së KosovësFotografi: AP

Shkëputje me të dashurit pa lamtumirë, mes plumbash, britmash e vajesh. Kthim me shpresën për bashkim të sërishëm e pas zhgënjimit, ndrydhje të përditshme zemre përballë vendeve të zbrazta, në shtëpi e në sofër. Gjendje e përhershme amullie në pritje që ata, një ditë, papritur të trokasin në derë. Dhe si përfundim, një grusht eshtrash të tretura me vite në varrezat masive. Dhe pas pritjes shekullore në shpresa të rrejshme, ngushëllimi duhet të jetë fakti se tash e tutje të paktën do t'ua dinë varrin!

Ky ishte fati i familjarëve të të pagjeturve, në Kosovë

Ky është realiteti i dhëmbshëm me të cilin, shumica prej tyre, përballen edhe më tutje! Që nga përfundimi i luftës së vitit ' 99, mbetjet mortore të shqiptarëve të groposur në varrezat masive, në Serbi, për 19 herë me radhë u sollën në Kosovë. Por, me gjithë thirrjet e vazhdueshme që komisionet qeveritare për persona të zhdukur, në Kosovë dhe në Serbi, të bëjnë përpjekje të përbashkëta për t'i hulumtuar vendbanimet e dyshuara ku mund të ketë kufoma si dhe të përshpejtohet zhvarrimi i personave në varrezat e identifikuara, megjithatë për fatin e afro gjysmës së tyre nuk dihet asgjë. Të domosdoshme janë përpjekjet shtesë për hulumtimin e vendeve, ku supozohet se ka trupa të shkatërruar, ose të djegur, ndërkohë mundësia e gjetjes së rastësishme të vendeve të dyshuara si varreza massive, nga banorët e Kosovës, është gjithnjë e më e pranishme.

Rasti më i fundit ishte ai i ditës së premte

Disa banorë të fshatit Orllan të Podujevës, teksa po kërkonin varrin e së ëmës së varrosur gjate eksodit të shqiptarëve të Kosovës me '99, krejt rastësisht hasin në një kafkë njeriu dhe në një skelet tjetër, i cili dyshohet të jetë skelet femre. Naim Latifi, toger i Shërbimit Policor të Kosovës, me shërbim në Podujevë na thotë më shumë: "Një shqiptar i Podujevës ka shkuar të bëjë zhvarrosjen e kufomës së nënës së vdekur gjatë luftës, dhe në lokacionin afër gjamisë të fshatit Orllan, ka hasur në disa eshtra dhe në një kafkë tjetër. Eshtrat, dyshohet të jenë të një femre. Menjëherë është informuar Shërbimi Policor i Kosovës, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes bashkë me patologët dhe i kanë marrë eshtrat dhe i kanë dërgu në ekzaminim".

Gërmimet vazhdojnë

Halit Blakcori beson se ky skelet është i të ëmës së tij, Qamiles, 86 vjeçare, të cilën për herë të fundit e kish parë në një traktor, në vitin 1999. "Tuj e kërku nanën e vdekur e të varosur gjatë kohës kur kanë qenë refugjat, kanë zbulu varrin e nënës tonë. Dhe, na e tuj e dit se në atë vend afër Orllanit ishte e mundshme të jetë e varrosur, nga ushtria serbe, kur shkuam, konstatuam se disa rroba janë pikërisht të nënës sonë."

Sipas z.Blakcorit, lokacioni i lartpërmendur është kontrolluar nga njësitë e policisë së UNMIK-ut dhe është shpallur si zonë e verifikuar. Mirëpo, patologët e Prishtinës, të cilët bashkë me njësitë e ShPK-së për persona të pagjetur kanë dalë në vendin të ngjarjes dhe kanë tërhequr eshtrat e gjetur, do të vazhdojnë gërmimet, për faktin se këtu besohet të jenë të varrosura edhe kufoma të tjera.

Prej të 4400 personave të vrarë, të masakruar dhe të tretur pa gjurmë nga forcat serbe, numrin më të madh përbënin civilët, shumica prej tyre, pleq, gra dhe fëmijë.