1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Zbulime" të reja nga Lihtenshtajni - Mëkatarët e taksave në ankth

3 Gusht 2008

Disa qindra gjermanëve që kanë depozituar paratë në Lihtenshtajn për t'u shpëtuar detyrimeve të taksave në Gjermani u ka hyrë frika. Gjykata e Rostokut ka në dorë një listë me 1.600 - 1.850 emra.

https://p.dw.com/p/Eps8
Edhe tre miliardë euro të pataksuara në Gjermani në bankat e Lihtenshtajnit
Edhe tre miliardë euro të pataksuara në Gjermani në bankat e LihtenshtajnitFotografi: AP

Skandali për paratë e depozituara prej gjermanëve në bankat e Lihtenshtajnit po merr përmasa të reja. Avokatja e një prej tre personave që po gjykohen që prej muajit prill prej Gjykatës së Rostokut nën akuzën e presionit dhe të shantazhit i dorëzoi trupit gjykues një listë të gjatë me emra klientësh që kanë llogari bankare të fshehta në bankën e Lihtenshtajnit Liechtensteinische Landesbank (LLB). Në aktakuzë thuhet se personat në fjalë janë përpjekur t'u bëjnë presion bankës dhe klientëve të saj, sepse kanë pasur në dorë 2.300 fatura dhe kanë kërkuar në korrik 2005 13 milionë euro në tri këste. Për të mos dëmtuar imazhin LLB u ka paguar personave në fjalë në dy këste rreth nëntë milionë euro, në këmbim të paketës së parë me të dhënat e klientëve. Për paketën tjetër banka donte të paguante katër milionë euro. Kjo nuk ndodhi sepse i akuzuari kryesor në këtë proces u arrestua në shtator të vitit të kaluar me 452.000 euro në valixhe para se të nisej për në Tajlandë.

Tre miliardë euro të pataksuara

Avokatja e tij Leonore Gottschalck-Solger i dorëzoi papritur të premten gjykatës një qese me një tufë fotokopje faturash. Sipas prokurorit të çështjes bëhet fjalë për rreth 600 faqe. Në shumicën e llogarive bankare janë depozituar miliona euro. Në total mendohet se shuma e depozituar është rreth tre miliardë euro të pataksuara në Gjermani. Shumica e klientëve janë mjekë, që jetojnë në jug të Gjermanisë dhe në Rheinland.

Avokatja e të akuzuarit kryesor Leonore Gottschalk-Solger tha: "Ne duam të dëshmojmë se personat që kanë depozituar para në bankë ia kishin bërë të qartë bankës së ishin para të pataksuara."

Asnjë marrëveshje me palën mbrojtëse

Prokurori i çështjes, Martin Fiedler, tha se dorëzimi i këtyre të dhënave kishte qenë një surprizë dhe ishte bërë vullnetarisht dhe se me palën mbrojtëse nuk kishte pasur ndonjë marrëveshje paraprake. Gjithësesi shtoi Fiedler "Ne si dhe punonjësit e zyrave të tatim-taksave do t'i verifikojmë të gjitha dëshmitë. Në rast se do të dalë se kemi të bëjmë me para të pataksuara do të nisim proceset për mospagim taksash."

Organet e rendit mjaft të vendosura

Me të dhënat e paraqitura në Gjykatën e Rostokut afera e bankës LLB mund të marrë përmasat e aferës së bankës LGT-Group. Sipas të dhënave të prokurorisë së Bohumit ajo po heton ndaj 350 personave që kanë depozituar para të pataksuara në bankën LGT-Group ndërkohë që që prej muajit shkurt zyra e tatim-taksave të kësaj zone ka mbledhur prej taksave të parave të depozituara në Lihtenshtajn 110 milionë euro. Në muajin korrik gjykata e Bohumit dënoi për herë të parë në Gjermani një agjent pasurish të patundshme me një gjobë prej 7,5 milionë euro për shkak të mospagimit të taksave dhe transferimit të parave ilegalisht në Lihtenshtajn.