1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhjet 2007 dhe çështja e Mitrovicës

Esat Ahmeti & Bekim Shehu15 Nëntor 2007

Mitrovica, qytet i ndarë apo i bashkuar?

https://p.dw.com/p/CIMu
Ura e Ibrit në MitrovicëFotografi: DW/Sand

Problemi i Mitrovicës, vazhdon të jetë një çështje pandalshëm e diskutueshme në të gjitha instancat ndërkombëtare dhe vendore që nga përfundimi i luftës. Kjo për faktin që tash e tetë vjet, qyteti vazhdon të jetë i ndarë në dy pjesë në atë shqiptare në jug dhe serbe në veri. Për autoritetet ndërkombëtare ndërkombëtare, formula e ndarjes së përkohshme të qytetit me forcat e NATO-os në mes është cilësuar si zgjidhja më e mirë dhe e vetmja mënyrë për të ndaluar përpleshjet ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve që jo rrallë kanë marrë edhe jetë njërëzish. Për tetë vjet rradhazi, administrata e UNMIK-ut, është përpjekur të instalojë misionin e saj të mirëfillt në pjesën veriore të Mitrovicës, mirëpo pa sukses. Në këtë pjesë të banuar me serb, fuksionojnë strukturat paralele që nga administarata deri tek strukturat e sigurisë. Të gjitha shërbimet publike kryhen dhe menaxhohen nga qeveria e Beogradit, funksionojnë spitalet, gjyqësia, arsimi, ai fillorë, i mesëm dhe i lartë, ndërsa, janë inekzistente pothuaj të gjitha shërbimet e ofruara nga institucionet e Kosovës. Të ndodhur para një fakti të kryer, udhëheqësit politik kosovar janë pajtuar që qyteti i Mitrovicës në planin e decentralizimit të pushtetit lokal, të ketë dy njësi komunale një serbe dhe një shqiptare, mirëpo në tërësinë e një qyteti të pandarë. Kjo formulë është përfshirë edhe në planin e statusit të ndërmjetësit, Marti Ahtisari, i cili akoma vazhdon të jetë pjesë e negociatave për zgjidhjen e statusit të Kosovës, proces ky që zhvillohet krahas procesit të zgjedhjeve. Subjektet politike secila në formën e vet edhe kësaj radhe i premtojnë elektorarit se do ta bashkojnë Mitrovicën, mirëpo deklarata të tilla në Kosovë degjohen tash e tetë vjet. Në këtë mënyrë, çështja e qytetit të ndarë të Mitrovicës, po shoqëron fushatën elektorale për zgjedhjet e 17 nëntorit. Në kuadër të ciklit 'Zgjedhjet 2007 çka pas 17 nëntorit' sot rubrikën tonë speciale ia kemi kushtuar pikërisht kësaj çështje: Mitrovica qytet i ndarë apo i bashkuar.


Fillimisht në mikrofonin tonë flet Ibrahim Makolli nga Aleanca Kosova e Re - AKR:

Ibrahim Makolli nga Aleanca Kosova e Re
Ibrahim Makolli nga Aleanca Kosova e ReFotografi: DW

"Pa dyshim Mitrovica ka qenë dhe vazhdon të mbetet pas luftës një nga brengat ma të mëdha të Kosovarëve, në veçanti të shqiptarëve. Jemi shumë të vetëdijshëm që kjo çështje po vazhdon të mbetet peng i zhvillimeve politike, qoftë brenda, qoftë jashtë Kosovës dhe natyrisht duhet një veprim, jo partik por institucional, për të garantuar, jo vetëm tërsinë territoriale, ose pjesën "veriore të Mitrovicës", por edhe një pjesë mjaft e madhe e cila paraqet rreth 18% të territorit të Kosovës, e që kemi të bëjmë me pjesën veriore që përfshinë tri komuna të tjera. Natyrisht, më këtë, ne i kemi paraparë, në radhë të parë zhvillimin ekonomik të këtyre pjesëve të cilat gradualisht do të integronin pjesët, qoftë veriun apo jugun, sikundër që poashtu edhe trysninë, qoftë vendore apo ndërkombëtare, për të ushtruar kontroll mbi gjithë territorin e Kosovës".

Muhamet Hamiti, nga LDK-ja, është kandidat për deputet:

Muhamet Hamiti nga Lidhja Demokratike e Kosovës
Muhamet Hamiti nga Lidhja Demokratike e KosovësFotografi: DW

"Me LDK-në dhe qeverinë e re të vendit, fillon procesi gradual dhe i vështirë i riintegrimit të Mitrovicës. Statusi i zgjidhur, pavarësia, do t'i ndihmojë këtij procesi riintegrues. Duke e ditur kulmin shtetëror në të cilin do të jetojmë të gjithë, në radhë të parë shqiptarët dhe serbët, do të fillojmë procesin e pashmagshëm të institucionalizimit të lidhjeve brenda strukturave shtetërore e rrjetit shoqëror në Kosovë. Do të prehen iluzionet për serbët seperatistë, por edhe droja psikologjike për qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë. Plani i Ahtisarit, që ne kemi pranuar, siguron të drejta të mëdha për pushtetin lokal në komunën e ardhshme me shumicë serbe në Mitrovicë dhe në komunat për rreth në veri. Shteti i ri i Kosovës, me riintegrimin administrativ dhe ekonomik të Mitrovicës, do të krijojë bazën e marrëdhënieve të reja dhe të një tolerancë etnike shoqërore në veri".

Hajredin Kuqi është nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK):

Në foto Hajredin Kuqi nga Partia Demokratike e Kosovës
Në foto Hajredin Kuqi nga Partia Demokratike e KosovësFotografi: DW

"Mitrovicës i duhen dy gjëra: së pari i duhet një guxim politik, do të thoja, të individëve që do të qeverisin edhe me qytetin, por njëkohësisht edhe me nivel të Kosovës dhe e dyta i duhet një mbështetje ndërkombëtare.
Në raport me Mitrovicen ne kemi planin që do ta mbështesin për integrimin e qytetit, i cili do të jetë fillimisht në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare dhe me pastaj integrimet do të jenë administrative, politike dhe tjera. Nuk premtojmë që do ta bëjmë një gjë të këtillë brenda ditës, por mendojmë që integrimi do të arrihet brenda një mandati qeveritar. Integrimi i parë do të jetë kontrollimi i çdo pjese të territorit të Kosovës, në kuptimin e sigurisë dhe shtrierja e kompetencave të institucioneve qendrore në raport me pjesën tjetër. Natyrisht edhe ndërtimi i autostradës, që mendojmë nuk do të ndalet deri në Ibër, por deri në kufi- në Leposavic, mendojmë që do të ndikojë në integrimin e plotë të asaj pjese me pjesën tjetër të Kosovës".

Avni Arifi është nga Aleanca për Ardhëmërine e Kosovës (AAK):

Avni Arifi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës
Avni Arifi nga Aleanca për Ardhmërinë e KosovësFotografi: DW

"Unë nuk do të them që ne do ta bashkojmë Mitrovicen, Mitrovica ka pas një fat më të keq se sa qytetet tjera të Kosovës, pas vitit 1999. Orientimi ynë kryesor është që ta integrojmë pjesen veriore, jo vetem të Mitrovicës, por edhe të komunave tjera, tek institucionet e Kosovës dhe orientimi yni është që të rritet komunikimi në mes pjesës veriore dhe pjesës jugore. Që të bashkëpunojmë me Agjensionin Kosovar të Pronës, si institucion-mekanizëm ndërkombëtar për lirimin e pronave të qytetarëve shqiptarë, të cilët gjenden në pjesën jugore, por njëkohësishtë edhe atyre veriore që të kthehen nëpër pronat e tyre dhe të vazhdojnë jeten nëpër shtëpitë e tyre. Tërë orientimi ynë është që, si rezultat i parimeve të "Grupit të Kontaktit", Kosova është e pandashme, Mitrovica është pjesë e Kosovës, mirpo njëkohësisht ne do të punojmë bashkarisht me komunitetin serb, posaçërisht një gjë e tillë do të jetë do tö jetë pas zgjidhjes së statusit të Kosovës. Në këtë moment serbët e Kosovës janë të manipuluar".

Teuta Sahatqiu përfaqëson Partinë Reformiste - ORA:

Teuta Sahatqija nga Partia Reformiste ORA
Teuta Sahatqija nga Partia Reformiste ORAFotografi: DW

"Sa i përket Mitrovicës ne nuk e kemi paraparë Mitrovicën si pjesë të programit tonë, sepse mendojmë që Mitrovica duhet të jetë pjesë integrale e Kosovës. Bile mund të them, që sa i përket Mitrovicës, në mënyrë të veçantë, Mitrovicës së veriut, partia jonë ka qenë partia më aktive në këtë fushë dhe shumë anëtarë të partisë sonë kanë qenë dhe e kanë vizituar veriun e Mitrovicës, kanë bashkëbiseduar me qytetarët në Mitrovicë, kemi kërkuar nga qeveria e Kosovës dhe kryetari i partis sonë ka marrë edhe konfirmimin prej kryeministrit dhe prej kryetarit të Kosovës, se duhet që të angazhohet për ndërtimin e një shkolle, për ndërtimin e një ambulance, apo për rivitalizimin e ambulancës ekzistuese dhe se duhet të bëhet pagesa e autobusit i cili bartë qytetarët shqiptarë në veriun e Mitrovicës".

Dhe për fund, Blerim Ramosaj nga Lidhja Demokratike e Dardanisë (LDD):

Berim Ramosaj nga Lidhja Demokratike të Dardanisë
Berim Ramosaj nga Lidhja Demokratike të DardanisëFotografi: DW

"Po në fakt Lidhja demokratike e Dardanisë theksin e ka këtu shumë të veçantë në kritikën që i bëhet qeverisjes aktuale që nuk ju ka treguar qytetarëve se, vërtetë Mitrovica është e ndarë, vërtetë që nuk funksionon shteti juridik. Ky shtet i institucioneve të vetëqeverisjes së përkohshme në Kosovë nuk funksion në anën veriore. Ne kemi programin për bashkimin e Mitrovicës, por jo në mënyrë administrative. Vetëm funksionimin e shtetit në mënyrë të plotë, të kësajë legjislature, të këtijë pushteti ekzistues në të gjitha pjesët e Kosovës kjo duhet të jetë bazë, e mandej duhet të ndodh bashkimi shumë i qetë, pa bume të mëdha, por i natyrës së tillë ku qytetarët, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre, pa marrë parasysh a jetojnë në veri, a jetojnë në jug, do të integrohen në aspektin, qoftë të zhvillimit ekonomik apo social".