1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhjet dhe rinia në Shqipëri

12 Prill 2011

Në këto ditë të para të fushatës elektorale që po zhvillohet në Shqipëri pjesa më e madhe e angazhimeve të kandidatëve për kryetarë bashkie dhe komune ka të bëjë me të rinjtë.

https://p.dw.com/p/10rli
Zgjedhjet parlamentare 2009Fotografi: DW/ Ballvora

Zani, 22 vjeç, është nga një komunë afër qytetit të Tiranës dhe prej kohësh punon si shitës ambulant në njërin prej tregjeve të fruta perimeve. Ai thotë se i mbetet shumë pak kohë për të ndjekur nga televizori ecurinë e fushatës elektorale. Për gjeneratën e re duhet të bëhet më shumë nga pushteti lokal dhe ai qëndror, thotë ai për DW. “Të bëhet diçka për uljen e çmimeve, të bëhet diçka për punësimin, sepse si të rinjtë ashtu dhe pensionistët kanë marrë fund, nuk kanë lekë”.

Jorida, aktiviste e këshillit rinor, mendon se e rëndësishme është që pas procesit zgjedhor t'u bëhet presion të atyre që marrin postin që premtimet e fushatës të mos i lënë në sirtar. “Bëhen premtime të shumta porn ë fakt ato janë më shumë boshe. Jepet premtimi por nuk mbahet, ndaj mendoj se tek të rinjtë ka humbur besimi tek politika”.

Sidriti, nxënës në klasën e 9, pret që të zgjerohen më shumë hapësirat e argëtimit për bashkëmoshatarët e tij. “Të ketë sheshe, parqe, gjelbërim, për të dalë mbasdite dhe për të luajtur dhe kaluar kohën në mënyrë aktive me shokët”.

Kryeredaktori i të përditshmes “Tema”, Enton Palushi, shikon si veçori të kësaj fushate përpjekjen që bëjnë kandidatët dhe subjektet politike për të shkuar dhe në pjesën pasive të të rinjve. Për t'i vizituar dhe nxitur në atë pjesë të ditës kur ata qëndrojnë para kompjuterit dhe navigojnë në internet. Mundohen të hyjnë në bashkëbisedim me ta, t'u shpjegojnë programin dhe zotimet për mandatin e ardhshëm dhe këtë e bëjnë nëpërmjet përdorimit të rrjeteve sociale, thotë Palushi për DW, duke shtuar se falë teknologjisë në këtë fushatë të rinjtë duken edhe më aktivë se në në të shkuarën. “E rëndësishme është kjo fushatë përkon me dy ngjarje që lidhen direkt me të rinjtë. Bëhet fjalë për të rinjtë e ‘brezit të demokracisë', të lindurit e pas vitit 1991, që tani do të kenë rast të votojnë për herë të parë. Por nga ana tjetër dhe për një presion gjithnjë në rritje nga ndërkombëtarët dhe diplomatët, që të rinjtë të jenë pjesë aktive e politikës në vend. Ka një shkrim në revitën prestigjoze ‘The Economist' që flet për gerontokracinë, ose që me fjalë të tjera është qeverisja në një vend që ka shumicën e popullatës në moshë të re nga njerëz që janë shumë të vjetër”.

Ilir Bushi, kryeredaktor i gazetës “Telegraf” nuk mendon se të gjithë të rinjtë që përfshihen në fushatë janë vetëm si dekor dhe përmirësim imazhi për partitë politike. Sipas tij, ka prej tyre që kanë bërë hapa duke u bërë pjesë e stafeve drejtuese në partitë kryesore, që janë ulur në sallën e parlamentit, apo kanë poste kyçe në administratën lokale e qëndore. Por, në një vend si Shqipëria me një tranzion të stërgjatur, bërja e karrierës nga të rinjtë është një process i vështirë, duke u kthyer në shumë raste në një mision të pamundur, qoftë dhe ata që arsimohen dhe kualifikohen jashtë dhe rikthehen në vendlindje, thotë Bushi për DW.

“Të rinjtë qëmdrojnë në pritje të ndonjë zhvillimi të ri, ose të ndonjë okazioni, por gjithësesi duket e vështirë. Flitet sikur të rinjtë që kanë mbaruar studimet jashtë vendit do të kenë më shumë hapësirë, do të kenë më shumë mundesi që të çajnë, por kjo është një lloj garniture, një lloj relieve për të mbuluar faktin e ekzistencës së një krize të rëndë shpirtërore, shoqërore e ekonomike”

Për Ilir Bushin fituesit e këtyre zgjedhjeve duhet të kenë prioritet mbi prioritetet uljen e nivelit të papunësisë në rradhët e të rinjëve, për të rivitalizuar energji dhe një potencial që “mund të bëjë ndryshimin dhe transformimin e madh në shumë fusha të zhvillimit ekonomik dhe social të vendit”.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Aida Cama