Zgjedhjet e balotazhit në Serbi
18 Maj 2012Në raundin e parë të zgjedhjeve Boris Tadiqi nga Partia Demokratike (DS) arriti të sigurojë 25.3 për qind të votave ndërsa Tomisllav Nikoliqi nga Partia Përparimtare Serbe (SNS) 25 për qind. Të dy kandidatët u shprehën të sigurt dhe shfaqën gatishmërinë e tyre për të udhëhequr Serbinë drejt një të ardhmeje më të mirë. Ish-presidenti Boris Tadiq këmbëngul që Serbia sa më shpejt që të jetë e mundur të bëhet anëtare e BE-së dhe tregohet më properëndimor. Gjithashtu edhe për sfidantin e tij, Tomisllav Nikoliq, BE-ja nuk është më e huaj, por ai sqaroi se dëshiron ta shohë vendin e tij të lidhur me "Perëndimin dhe Lindjen". Partia e tij Përparimtare u themelua në vitin 2008 pasi u shkëput nga Partia Radikale Serbe (SRS) e ultra-nacionalistit Vojisllav Sheshel të akuzuar për krime lufte. Megjithatë, nëqoftëse BE-ja do t'i kërkojë Serbisë që vendi të heqë dorë nga çdo pretendim ndaj ish-krahinës së saj - Kosovës, pritet që Tomislav Nikoliqi menjëherë t'i kthejë shpinën Brukselit.
Të dy kandidatët e shohin Kosovën si pjesë të Serbisë
Ndryshe nga fushata zgjedhore, në të cilën çështja e Kosovës nuk është përmendur pothuajse fare, në debatin televiziv të dy kandidatët u desh të hapin letrat e tyre në lidhje edhe me këtë çështje. Boris Tadiqi dhe Tomisllav Nikoliqi e konsiderojnë ish-krahinën e Kosovës ende si pjesë të Serbisë. Tadiqi theksoi se motoja e tij është ende si më parë "edhe BE-ja dhe Kosova" dhe akuzoi Nikoliqin për një "politikë të rrezikshme dhe jokonsekuente". Ai iu referua një marrëveshje për bashkëpunim të rivalit të tij me Partinë Nacionaliste Demokratike të Serbisë të ish-kryeministrit Vojisllav Koshtunica.
"Për të fituar këto zgjedhje presidenciale, ju harmonizoni që sot politikën tuaj me palën që e ka bërë të qartë se Serbia kurrë nuk guxon të bashkohet me Bashkimin Evropian por duhet të mbajë një status neutral kundrejt BE-së dhe vendeve të tjera." Kjo është një politikë e rrezikshme, paralajmëroi Tadiq.
Tomislav Nikoliqi u kundërpërgjigj me çështjen e Kosovës: ai e akuzoi kundërshtarin e tij se kishte negociuar me liberaldemokratët për formimin e qeverisë. Liberaldemokratët janë të mendimit se Kosova ka kohë që de facto nuk është më pjesë e Serbisë. Jashtëzakonisht me sy kritik kjo parti e sheh edhe rolin e udhëheqjes serbo-boshnjake në luftën e Bosnjës. Boris Tadiqi ka pasur gjithmonë marrëdhënie të mira me liberaldemokratët: kjo është një halë në sy për nacionalistët serb.
Tomislav Nikoliqi paraqitet si viktimë
Në duelin televiziv Tomisllav Nikoliqi tematizoi edhe pretendimet për falsifikimin e zgjedhjeve për të cilat partia e tij flet pa pushim që nga raundi i parë. Edhe pse pas vlerësimit pozitiv të zgjedhjeve nga vëzhguesit vendorë dhe ndërkombëtarë të zgjedhjeve kjo akuzë qarkullon vetëm si një teori komploti e partisë nacionaliste humbëse të zgjedhjeve prapëseprapë Nikoliqi dëshiron të paraqitet si viktimë.
Në fund të duelit televiziv Nikoliqi u bëri thirrje qytetarëve serbë që "të marrin jetën e tyre në duart e veta dhe të ndëshkojnë Boris Tadiqin për premtime të rreme të fushatës si dhe për kuotën e lartë të krimit dhe papunësisë në vend".
Boris Tadiqi shfrytëzoi thirrjen e kundërshtarit të tij që ta paraqesë veten si një burrështeti dhe tolerant: "U nuk i bëj thirrje askujt që të jetë agresiv dhe të ndëshkojë kundërkandidatët e mi". Ai u shpreh i gatshëm që edhe t'i shtrijë dorën Nikoliqit - "sepse ne duhet të bashkëpunojmë në të gjitha çështjet e rëndësishme", tha Tadiq.