1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhjet kaluan mirë, por...

Bahri Cani19 Nëntor 2013

Zgjedhjet në Mitrovicën Veriore kaluan pa probleme serioze. Për balotazh janë kualifikuar dy kandidatë të listave serbe, Pantiq dhe Ivanoviq, por vet mënyra e zhvillimit të zgjedhjeve lë të hapura shumë dilema.

https://p.dw.com/p/1AKto
Fotografi: Getty Images/Afp/Fabrice Coffrini

E ngarkuara e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton i ka vlerësuar "shumë pozitivisht" zgjedhjet e përsëritura në Mitrovicën Veriore. Edhe pjesëmarrjen e votuesve (mes 22 dhe 23 %) ajo e ka quajtur të mirë "për kushtet e atjeshme". "E kam parë që kryeministri (i Serbisë Ivica) Daçiq ka qenë në veri dhe u ka shpjeguar njerëzve rëndësinë e zgjedhjeve, që ka qenë shumë me rëndësi", theksoi Ashton duke shtuar se pas zgjedhjeve do të vazhdojë në Bruksel procesi i dialogut mes dy kryeminsitrave Thaçi dhe Daçiq. Deri atëherë, kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë do të përballen edhe në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB, këtë të martë (19.11.2013), në Nju Jork ku do të prezantohet raporti i fundit i sekretarit të Përgjithshëm të OKB, Ban Ki Moon. Raporti prezanton me tone pozitive zhvillimin e zgjedhjeve, por nënvizon edhe problemet dhe dhunën në raundin e parë të votimit në veri të Mitrovicës.

Problemet mund të përsëriten në balotazh

Analistët thonë se megjithë zhvillimin e qetë të zgjedhjeve të përsëritura në Mitrovicën Veriore, problemet mund të përsëriten në balotazh. Ata mendojnë se do të vazhdojë edhe shumë kohë deri në normalizimin e plotë të raporteve kosovaro - serbe. Studjuesi i Institutit për Shkencë dhe Politikë në Berlin, Dushan Reljiq shkruan në një tekst autorial në gazetën "Handelblat" se "vlerësimet negative të BE-së për zgjedhjet në Kosovë kanë mundur të ndodhin vetëm nëse do të kishte ndonjë incident tepër të rëndë".

Qeveritë në Prishtinë dhe Beograd kanë bërë lëshime serioze për të mos cënuar afrimin e Kosovës dhe Serbisë me BE-në. Në veçanti kjo vlen për qeverinë e majtë dhe të djathtë populiste, e cila ka kërkuar prej serbëve të marrin pjesë në zgjedhjet e Kosovës, edhe pse vet Kosovën nuk e njeh.

"Beogradit i ka mbetur tani vetëm edhe hapi final: njohja e pavarësisë së Kosovës. Por këtë hap nuk guxon ta bëj askush në Serbi, nëse nuk do të që të rrezikojë të etiketohet si tradhëtar i përmasave historike. Një gjë e tillë në të ardhmen e shpjetë nuk do të ndodhë", shkruan Reljiq. Nga ana tjetër, sipas tij, si pasojë e presioneve të shteteve të kuintit, Prishtina ka bërë lëshime të mëdha dhe ka hequr dorë nga simbolet e shtetit në këto zgjedhje. Ajo ka hequr dorë edhe nga kërcënimet për arrestimin e ministrave nga Serbia, të cilët në Kosovë kanë hyrë pa leje.

Në foto, Dushan Reljiq
Në foto, Dushan ReljiqFotografi: DW

S'ka vend për kënaqësi të tepërta

Deri tani zgjedhjet kanë kaluar pa probleme serioze, por për lëvdata të mëdha nuk ka vend, sepse ende nuk dihet asgjë për shpjetësinë e afrimit të Serbisë dhe Kosovës me Bashkimin Evropian. Në BE ende nuk ka një qëndrim të përbashkët për pranimin e vendeve politikisht dhe ekonomikisht problematike, si Kosova dhe Serbia. "Kosova nuk do të mund të anëtarësohet në BE kurrë pa njohjen nga të gjitha vendet anëtare. Në veçanti Spanja është e vendosur që të mos e njoh Kosovën, për shkak të problemeve të saj të brendshme. Ndaj është shumë e mundur që këto dy vende të përjetojnë fatin e Turqisë dhe që negociatat të vazhdojnë tepër gjatë, pa e ditur ndonjë kohë të caktuar se kur do të përfundojnë", vëren "Handelsblatt".

Justifikimet e qeverive

"Qeveritë në Prishtinë dhe Beograd po përpiqen që t'i justifikojnë lëshimet e bëra. Nëse këto zgjedhje rezultojnë me një Bashkësi të Komunave Serbe, siç shkruan në Marrëveshjen e Brukselit, Prishtina duhet të pajtohet me forcimin e vijës së ndarjes faktike të Kosovës përgjatë linjave etnike, ndërkohë që serbët duhet të pajtohen me integrimin faktik në shtetin e padashur", shkruan Reljiq në "Handelsblatt". Por i gjithë ky proces, sipas analistit, mund të përfundojë me zhvendosjen e heshtur të shumë serbëve, si për shembull mjekët, mësuesit, juristët dhe personat me kualifikime më të mira të cilët në mungesë të përspektivës do të kërkojnë një vend pune në Serbi apo në ndonjë vend tjetër.