1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhjet në Kosovë - luftë për secilën komunë

Angelina Verbica7 Shtator 2013

Në zgjedhjet e nëntorit, të parat në të gjithë territorin e Kosovës, do të marrin pjesë 105 subjekte politike, koalicione dhe kandidatë të pavarur nga të gjitha komunitetet etnike.

https://p.dw.com/p/19dPF
Fotografi: picture-alliance/dpa

Qytetarët e Kosovës, sidomos ato të komunitetit shqiptar, janë të ndarë përsa u përket zgjedhjeve, që do të mbahen me 3 nëntor. Shumë nuk janë të kënaqur me situatën ekonomike aktuale, me skandalet e panumërta, me nepotizmin, me proceset gjyqësore kundër personave drejtues në disa bashki, të cilët nominohen përsëri nga partitë e tyre si kandidatë.

Situatë e vështirë ekonomike

"Jetojmë në një situatë shumë të keqe ekonomike. Shikoni vetëm pagat e atyre, që kanë fatin të punojnë nga pak. Jam shumë e trishtuar, shumë e trishtuar për këtë. Te gjithë jemi me kredi. Nga ana tjetër ka të tjerë, që nuk dinë sa para kanë në banka të ndryshme. Megjithatë unë do të votoj me shpresën, që kësaj t'i pritet rruga", thotë Myrvete Shala, duke shtuar se numri më i madh i subjekteve politike, koalicioneve dhe individëve, të cilët kanë dorëzuar listat në afatin e caktuar, tregon se në Kosovë "politika vazhdon të jetë profesioni më fitimprurës". "Unë vetë nuk do të votoj, për arsye se në lista nuk ka simbole shtetërore. Për kë të votoj? Nuk e di a është për Serbinë, apo për Kosovën", pyet Alban Kryeziu.

Megjithatë opinioni i përgjithshëm është, se është diçka e mirë që si rrjedhojë e marrëveshjes së Brukselit votimet do të zhvillohen për herë të parë edhe në veri të Kosovës. "Mendoj se është mirë, që zgjedhjet organizohen për herë të parë në të gjithë territorin e Kosovës, duke përfshirë edhe veriun. Shpresoj se do të jetë më mirë edhe në aspektin ekonomik dhe politik dhe në këtë mënyrë do të bëjmë përparime serioze drejt integrimit në Evropë. Përsa u përket daljes së serbëve në këto zgjedhje, kjo është shenjë e zhgënjimit të tyre nga përfaqësuesit aktualë politikë. Unë u uroj atyre fat që të zgjedhin përfaqësuesit më të mirë, që do të punojnë për Kosovën dhe për vetë ata", thotë Kujtim Paçarizi.

Interesim i madh i serbëve

Serbët dalin me 29 parti politike, iniciativa, apo individë. Lista e bashkuar serbe, "iniciativa qytetare e Serbisë", të cilën e mbështet Beogradi dhe që ka kandidatë në dhjetë komuna, prej tyre gjashtë në jug të Ibrit, ka hapur shumë polemika.

"Kështu është dashur të bëjmë edhe ne, por nuk jemi aq të bashkuar sa ata. Dhe në këtë mënyre serbët do të jenë të orientuar më shumë nga Beogradi se sa nga Prishtina", thekson Kryeziu. Ramë Sagdati nuk mendon kështu dhe i përgëzon serbët që kanë vendosur të bëjnë këtë hap, duke u uruar atyre "fat në zgjedhje". "Ky është hap pozitiv në përgjithësi edhe për to, edhe për shtetin e Kosovës, edhe për Serbinë. Kjo do të thotë se negocitat janë në vazhdim dhe do të kenë sukses, por se si do të bien dakord, këtë ata e dinë."

Zgjedhjet e para lokale në të gjithë territorin e Kosovës
Zgjedhjet e para lokale në të gjithë territorin e KosovësFotografi: DW

Përveç shqiptarëve dhe serbëve, listat me kandidatët e tyre kanë paraqitur edhe përfaqësuesit e komuniteteve të tjera etnike. Boshnjakët i kanë paraqitur Komisionit Qendror të zgjedhjeve gjashtë parti, dy koalicione dhe një iniciativë qytetare. Turqit janë ndarë për herë të parë dhe tani kandidojnë me tri lista. Romët, egjiptianët dhe ashkalinjtë kanë nga një listë në ato komuna, ku përbëjnë shumicën.

Kush do ta fitojë Prishtinën dhe Prizrenin?

Lufta më e ashpër do të jetë për Prishtinën dhe Prizrenin, dy komunat më të mëdha, dhe qytetet më të mëdha përsa i përket përfaqësuesve politikë. Fakti që kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar komune të Prishtinës është Agim Çeku, ministri aktual i Forcave të Sigurisë së Kosovës, flet vetë. Kryeministri Hashim Thaçi, në të njëjtën kohë edhe kryetar i kësaj partie, shkon edhe më tej duke e cilësuar Prizrenin "Jeruzalemin e PDK-së".

Në të dyja këto komuna kundërshtarët e tyre do të jenë figurat udhëheqëse të LDK-së, partisë më të madhe opozitare, kryetari i saj Isa Mustafa, kryetar aktual i bashkisë së Prishtinës, dhe Eqrem Kryeziu nënkryetari i partisë dhe që prej dy mandatesh kryetar i bashkisë së Prizrenit.