1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhjet në Rusi & Enciklika e Papa Benediktit të XVI-të

Filaj-Ballvora, Vilma1 Dhjetor 2007

Nga komentet e shtypit të sotëm veçojmë zëra lidhur me zgjedhjet në Rusi si dhe enciklikën e dytë të Papa Benediktit të XVI-të.

https://p.dw.com/p/CVMM


Fituesi i zgjedhjeve në Rusi është përcaktuar qysh tani, shkruhet në komentin e "Reutlinger General-Anzeiger" prej nga citojmë: "Në vend të ideologjisë së komunistëve Putini vendos patriotizmin. Dhe përderisa Putini tani është i përfshirë nga mendimi, se e ardhmja e suksesshme e Rusisë është e lidhur në mënyrë të pandashme me personin e tij, edhe pas presidencës në mars ai do të vazhdojë të drejtojë fatet e perëndorisë gjigande. Për këtë atij nuk i duhet një post shtetëror. Shembuj për këtë ka plot në Rusi. Madje edhe i sëmuri për pushtet Stalini ka qenë kryetar partie nga viti 1922 deri në 1941."


Ndërsa për komentatorin e "Kölnische Rundschau": "Në fakt zgjedhjet e së dielës në Rusi janë një referendum për fatin e ardhshëm të presidentit. Klani i Putinit merr mirëkuptimin në mbarë vendin për të vazhduar të veprojë ashtu siç dëshiron. Edhe fushata elektorale ka qenë e destinuar për këtë. Partia e Kremlinit "Rusia e bashkuar" as që denjoi të debatojë me opozitën. Në vend të kësaj gjithçka që nuk i përshtatej Putinit demaskohej dhe kërcënohej. Si p.sh. u pengua çdo lëvizje, që tentonte sado pak t´u afrohej vlerave të bashkësisë evropiane. Ndaj s´ka shumë rëndësi, nëse në zgjedhje do të ketë përveç kësaj edhe manipulime. Sidoqoftë Putini mbetet triumfues edhe për disa vjet, për të mos thënë që ai mund të qëndrojë edhe disa dhjetëvjeçarë në pushtet. Ky pushtet madje mund të rritet edhe më shumë, e kësisoj Perëndimin e kërcënon një konfrontim i vazhdueshëm."


Mbi këtë temë edhe një citat nga artikulli i "Pforzheimer Zeitung": "Rusia ndërkohë nuk është as demokraci dhe as një shtet i fortë, por një sistem autoritar. Qeveria në Moskë ndodhet në prag të degradimit në modelin e Bashkimit Sovjetik: e izoluar në politikën e jashtme, me ambicje për të qenë fuqi e madhe dhe për dominancën e interesave të shtetit përpara atyre të njeriut."


Lidhur me publikimin e enciklikës së dytë të Papa Benediktit të XVI-të gazeta "Mein Echo" komenton: "Benedikti i XVI-të bën thirrje për përgjegjësi. Pikërisht besimtarëve kristianë, të cilët edhe mund të presin në pasivitet parajsën nga qielli, ai u apelon të marrin përgjëgjësi mbi vete dhe të angazhihen për tjetrin dhe për të ardhmen e shoqërisë njerëzore. Një gjë e tillë kërkon besimin kristian. Por thirrja u drejtohet edhe atyre që i qëndrojnë larg kishës, sepse është një çështje globale, se si do të vazhdohet më tutje me përparimin e botës. Do të ndjekim ne të mundshmen, atë që ne mund ta bëjmë, apo do të pranojmë një orientim moral siç është kisha? Mundësitë dhe mjetet teknike trashëgohen dhe janë menjëherë të përdorshme edhe në të ardhmen. Por shpesh herë pretendimi moral i përket së shkuarës dhe në shumicën e rasteve konsidrohet si barrë. Ne duhet t´i kushtojmë vëmendje këtij pretendimi, sepse njerëzit qiellin nuk mund ta sjellin qiellin në Tokë, por ferrin po."


Një citat nga komenti i "Oldenburgische Volkszeitung": "Benedikti i XVI-të nxjerr në pah, që shpresa kristiane është shumë më tepër se sa një koncept i fiksuar nga bota e përtejme. Papa me insistim tërheq vëmendjen ndaj vlerës formësuese të shpresës. Ajo është për të një parim aktiv i besimit. Enciklika e dytë e Benediktit lexohet si një manifest për krijimin e një bote më të mirë, në të cilën njerëzit të jenë më afër Zotit."