1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhjet serbe edhe në Kosovë?

Bekim Shehu / Prishtinë14 Prill 2008

Autoritetet ndërkombëtare i bëjnë thirrje Beogradit të mos organizojë zgjedhje lokale në Kosovë, sepse kjo bie ndesh me rezolutën 1244 të KS-it. Koshtunica thotë se zgjedhjet serbe do të zhvillohen edhe në Kosovë.

https://p.dw.com/p/DhU6
Serbët etnikë votojnë për zgjedhjet presidenciale serbe në Graçanicë, 3 shkur, 2008.
Serbët etnikë votojnë për zgjedhjet presidenciale serbe në Graçanicë, 3 shkur, 2008.Fotografi: AP

Krerët e forcave paqeruajtëse në Kosovë, thanë se ata nuk do të sigurojnë vendvotimet për zgjedhjet serbe që, do të zhvillohen me 11 maj edhe në territorin e Kosovës. Këtë qëndrim e mbajnë edhe policia ndërkombëtare dhe SHPK-së, mirëpo ata gjithsesi do të kenë vëmendje të shtuar në ditën e zgjedhjeve. "Ju e dini qëndrimin e UNMIK-ut, se nuk do t'i mbështesë dhe nuk do të përfshihet në organizimin e zgjedhjeve serbe. Në këtë linjë janë edhe forcat paqeruajtëse dhe ne nuk kemi ndojë plan për të siguruar mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë, por gjithsesi do ta kryejmë misionin e tonë për një ambient të sigurt dhe të qetë," thotë komandanti i KFOR-it, gjenerali Xavier Bout de Marnak.

Edhe shefi i UNMIK-ut, Joakim Rycker, thotë se UNMIK-u nuk do të jetë i përfshirë në mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë, mirëpo edhe nuk do ti pengojë ato. Por, problem për administratën ndërkombëtare do të jetë mbajtja e zgjedhjeve lokale serbe, të cilat janë paraparë që të zhvillohen në të njejtën ditë, krahas zgjedhjeve të përgjithshme serbe. Kjo sipas krerërve të UNMIK-ut, bie ndesh me rezolutën 1244 të KS-it, dhe si të tilla ato do të cilësohen jolegjitime. Por, kryeministri i Serbisë, Vojisllav Koshtunica, ka thënë se pavarësisht kundërshtimit të UNMIK-ut, zgjedhjet lokale serbe do të zhvillohen edhe në territorin e Kosovës. Ai ka thënë se me mbajtjen e zgjedhjeve lokale serbe edhe në Kosovë, Serbia do ta legjitimojë atë si territor të saj. Ky qëndrim i Beogradit, është i pakuptimtë për udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, të cilët kërkojnë nga UNMIK-ut, që mos të lejojë mbajtjen e zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë. Ata thonë se Kosova ka institucionet e saj, serbët mund të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të Kosovës, ndërsa plani i Marti Ahtisarit u ofron atyre të drejta që ta qeverisin veten në nivel lokal.