1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhjet test për pjekurinë e Maqedonisë në rrugën drejt BE-së

Fatos Musliu / Shkup29 Maj 2008

Nëse në zgjedhjet e së dielës do të incidente, kjo për Maqedoninë do të thotë lamtumirë Evropë.

https://p.dw.com/p/E8zy
Pamje nga fushata zgjedhore në Maqedoni
Pamje nga fushata zgjedhore në MaqedoniFotografi: Macedonian Information Agency

Ambasada e Gjermanisë në Shkup u bashkangjitet apeleve për zgjedhje korrekte dhe jo të dhunshme në Maqedoni. Zgjedhjet e lira paraqesin kriter të rëndësishëm për pjekurinë politike të Maqedonisë në rrugën e saj drejt strukturave evropiane. Të gjitha forcat politike dhe institucionet e vendit janë të obliguara të sigurojnë zgjedhje të drejta dhe të lira në pajtim me standardet ndërkombëtare, vlerëson ambasada gjermane në Shkup.

Nëse të dielën do të incidente në zgjedhje, kjo për Maqedoninë do të thotë lamtumirë Evropë. Ambasadori i BE-së në Maqedoni, Ervan Fuere theksoi se nëse incidentet vazhdojnë, mundet shumë lehtë të varroset legjitimiteti i zgjedhjeve të dielën. Në mitingjet përmbyllëse, oponentët politikë po i përdorin adutet e fundit për të bindur elektoratin për t'i mbështetur ata më 1 qershor.

Liderja e opozitës maqedonase, Radmilla Sheqerinska thotë se VMRO-DPMNE në vend se ta shpien Maqedoninë në Bruksel do ta shnëdrojë vendin në një oaz të izoluar. “Është lehtë të jetohet në botën virtuale, por zgjimi nga ajo ëndër mund të jetë një ankth të cilin do ta paguajnë qytetaret. Më 1 qershor duhet t'i themi lamtumirë politikës izoluese të Gruevskit”, ka thënë Sheqerinska.

Theks të veçantë në fushatën zgjedhore dy partitë më të mëdha shqiptare PDSH dhe BDI u kanë kushtuar aspiratave të vendit për anëtaresim në NATO dhe BE. Kryetari i BDI-së,Ali Ahmeti thotë: “ Maqedonia mund të afrohet afër NATO-së dhe BE-së atëherë kur do të bashkëveprojnë me BDI-në, kur do të ketë konsensus politik dhe etnik, pa këto konsensuse Maqedonia nuk mund të ec përpara”, ka deklaruar Ali Ahmeti.

Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, vlereson se në këtë periudhë po kurorezohet dëshira e kombit shqiptar që të jetojnë të lirë, të bashkuar shpirterisht dhe pa kufij. “ Ne e porosisim Maqedoninë, bashkëqyetarët tanë maqedonas se Maqedonia ka vetëm një rrugë- NATO, NATO dhe vetëm NATO”.