1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zjarri në Ludvigshafen dhe marrëdhëniet gjermano-turke

8 Shkurt 2008

Zjarri, që përfshiu një shtëpi në Ludvigshafen ku humbën jetën nëntë qytetarë turq dhe mëse 60 të tjerë u plagosën, vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes së opinionit dhe të politikës.

https://p.dw.com/p/D48k
Kryeministri i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan në Ludvigshafen me kryeministrin e landit Rin-Pfalc Kurt BekFotografi: AP

Pas vizitës që zhvilloi të martën (05.02) në Turqi ministri gjerman i punëve të brendëshme, të enjten (07.02) kryeministri Turqisë, Rexhep Taip Erdogan vizitoi Gjermaninë dhe Ludvigshafenin. Madje në hetimet për zbardhjen e shkaqeve janë të mirëpritur edhe ekspertët turq, ka deklaruar ministri i brendshëm gjerman, Shojble. Deri tani ende nuk ka të dhëna për shkakun e zjarrit. Ka zëra, veçanërisht nga pala turke, që nuk e përjashtojnë mundësinë e ndonjë sulmi me sfond ksenofobinë. Pikërisht këto dyshime preokupojnë në një farë mënyre edhe marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe Turqisë. Kjo temë gjen jehonë në shtypin e ditës:


Gazeta "Westfälische Nachrichten" shkruan: "Në këtë atmosferë shpërthyese kryeministri turk Erdogan duke vizituar vendin e ngjarjes ka bërë vetëm një gjë të mirë: ai u përpoq të qetësojë gjakrat dhe bëri thirrje për maturi. Ajo që kanë bërë deri tani hetuesit dhe zjarrfikësit të ndodhur nën presionin e madh të opinionit, meriton respekt. E kuptohet që reuzltatet e hetimeve nuk mund të dalin nga kutia magjike. Megjithatë ka arësye për spekulime: për aq kohë sa në Ludvigshafen nuk është përjashtuar mundësia e zjarrvënies, katastrofa ndodhet nën mbikqyrjen e veçantë politike. Në këtë sfond nuk është gabim të pranosh edhe ekspertët turq. Kjo krijon besim dhe ndoshta shton shpresën që të tërhiqen akuzat, sipas të cilave ka diçka që duhet mbuluar."

"Manheimer Morgen" komenton: "Me vizitën në Ludvigshafen kryeministri Erdogan dëshmoi, se është një burrështeti i madh. Me fjalët e tij ngushëlluese dhe të arësyeshme ndoshta ai do të ndihmojë për qetësimin e gjakrave. Jo urrejtja, por dashuria, duhet t´i karakterizojë marrëdhëniet gjermano-turke, ky është mesazhi i Erdoganit. Ndonëse kjo mund të tingëllojë si një fjali hartimi për marrëdhëniet midis dy vendeve, ajo ka peshë, sepse turqit janë një popull emocional, ndaj Erdogani gjeti tonin e duhur. Deklarimet e tij në shtypin bulevardesk të Turqisë ishin po aq të paqta sa edhe lëvdatat për zjarrëfikësat në Ludvigshafen. Kësisoj është shmangur rreziku, që prej kësaj ngjarjeje të pësonin ndonjë të krisur marrëdhëniet gjermano-turke. Sot në takimin me kancelaren Merkel Erdogani do t´i shmangë edhe në nivelin më të lartë irritimet."