1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sa mund të funksionojë zyra administrative në Veri të Mitrovicës?

Ajete Beqiraj21 Qershor 2012

Hapja e Zyrës Administrative në Veri është hapi i parë në formimin e komunës veriore të Mitrovicës mbi bazën e Paketës së Ahtisarit dhe procesit të decentralizimit. Serbët e kësaj zone duan të përfshihen në proces.

https://p.dw.com/p/15JAQ
Bild: Ajete Beqiraj, am 17 juni 2012, in Nord Mitrovica(Kosovo)
Fotografi: DW

Mbyllje në vetvete, qëndrim refuzues, qasje plot dyshim është ajo që gjen në pjesën dërmuese të serbëve në veri të Mitrovicës, të cilët sikur janë përbetuar njëzëshëm të mos flasin. "Nuk jam i presidspozuar të flas!", "S´ kam çfarë të them!", "Nuk merrem me politikë", janë refrene që përsëriten pas çdo përpjekje për të depërtuar përtej këtij muri çeliku. Depërtimi në veri të Mitrovicës mbetet sfidë për çdo gazetar, por më tepër për ata shqiptar, duke pasur parasysh se ekzistojnë grupe ekstremiste, që ndjekin me vëmendje çdo lëvizje: nga Ura e Ibrit, ku ndodhen barrikadat dhe çadrat e "rojeve të urës" e deri thellë në veri tek barrikada tjetër, para së cilës qëndron një makinë nga Novi Pazari për të pyetur se: "Kah mund të shkohet në Prishtinë?".

Por në heshtje jo të gjithë serbët e kësaj zone i pranojnë bllokada të tilla rrugësh nga një "forcë pa lider". Të duhet kohë derisa të arrish t'i gjesh ata që guxojnë të flasin hapur për këtë, thotë Miodragi, 45 vjeçar, i cili banon në Veri të Mitrovicës: "Ligji për partitë politike thotë: "Nëse një parti e nxjerr popullin në rrugë dhe atëhere ndodh diçka, fajtor janë krerët e asaj partie. E po të vritet dikush këtu, s´përgjigjet njeri sepse nuk ka ligj dhe ne kujdesemi që të mos ketë, sepse nuk jemi as me Beogradin, as me Prishtinën. Ne jemi ndërmjet tyre pikërisht aty ku sundon krimi. Ky është definicioni! E them hapur se barrikadat s´janë gjë tjetër veçse konfrontim dhe shtyrje e popullit drejt tankeve. Edhe unë mund të të them ty: 'Gjuaj bombën dhe ik'. Nëse je e marrë,do ta bësh. Por, nëse unë e bëj i pari dhe ty të thërras pas meje, atëherë unë jam lider i vërtetë. Ndërsa, ky falsitet, kjo çmenduri apo çfarëdoqoftë, sjell vetëm varfëri edhe më të thellë dhe konlfikt. Dhe këtë e do me siguri dikush me çdo kusht!!"

Mbizotërimi i ligjit në Veri një domosdoshmëri

Për kriminalitetin dhe manipulimin e forcave ekstreme me qytetarët në veri të Kosovës kanë filluar të shprehen hapur edhe liderët politik në Beograd. Por që serbëve të Veriut nuk iu duhen informacione shtesë rreth së përditshmes, në të cilën jetojnë, e dëshmon Miodragi, i cili si udhëheqës i një OJQ-je, i njeh mirë i rrethanat, ku jeton:

"Këtu, çështjet kryesore janë në duart të atyre që merren me veprimtari të dyshimta. Jeta e qytetarëve të thjeshtë ka mbetur në vendnumëro, sepse çdo gjë është e monopolizuar. Nga ky sistem i padukshëm krimi, diskriminimi është i dukshëm në politikë dhe në ekonomi. S´mund të jem politikan i mirë kur më pengon të merrem me politikë. S´mund të kesh ekonomi të shëndoshë kur se lejon tjetrin të hajë bukë. Pra, monopol total! E në këtë të gjithë janë bashkë, sepse interesi nuk njeh kombësi. Unë jam për bashkëpunim me të gjithë njerëzit vullnetmirë dhe dashamirës, që konkretisht dhe praktikisht t´u ndihmohet njerëzve në terren. Por, mua s´ më lejojnë sepse jam i pastër dhe normal. Unë jam qytetar! Dhe, në vend të lidhjeve farefisnore unë dua të lidhem me ligjin. Vetëm nëse nuk punoj në bazë të ligijt, unë punoj vetëm me njerëzit e mi dhe s´më duhet dikush tjetër. Por, meqë këtu nuk ka ligj, unë atëherë jam gjithmonë ai: Tjetri!"

Zyra Administrative në Veri nën ombrellën e institucioneve të Kosovës

Qeveria e Republikës së Kosovës po përgatitet të hapë Zyrën Administrative në Veri të Mitrovicës: hap i parë ky në formimin e komunes së Mitrovicës së Veriut, mbi bazën e Planit të Ahtisarit, mbi bazën e të cilit u shpall edhe pavarësia e Kosovës në 2008. Por, sa është i mundur funkionimi i kësaj zyre dhe sa i sigurtë është stafi brenda saj, duke pasur parasysh ekzistencën e grupeve ekstremiste, cak i sulmeve të të cilave krahas shqitarëve jo rrallë janë edhe forcat paqeruajtëse të NATO-s? "Siguria individuale e secilit prej këtyre njerëzve mbetet preokupim ynië. Por, ne do të jemi në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me të gjitha insitucionet revlenate vendase dhe ndërkomtbare, për të siguruar funksionimin e kësaj zyre në një ambient të qetë dhe të sigurtë", thotë për DW-në Besnik Osmani, sekretar shteti në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, në Prishtinë.

Miodrag është i mendimit se paraprakisht do të duhej të hapeshin bisedime me banorët lokalë, në mënyrë që ata të jenë më mirë të informuar dhe të bëhen pjesë e procesit: "Meqënëse ka qëndrime të ndryshme rreth kësaj zyre duhet të zhvillohen bisedime dhe marrëveshje në nivelin e pushtetit lokal nga të dyja palët. Mbi bazën e këtyre bisedimeve dhe marrëveshjeve përkatëse duhet të hapet zyra. Fatkeqisht, ju po silleni më shumë në mënyrë burokratike dhe po vendosni institucione me dhunë, pa marrë parasysh vullnetin e njerëzve. Kësisoj kemi ndërtim institucionesh duke injoruar qytetarët."

Bridge watchers Kosovo
Vrojtuesit e urës mbi Ibër, MitrovicëFotografi: DW

Mes retorikës dhe realitetit - Qytetarët: "Kemi gjendje ankthi"

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal tashmë ka përfunduar përgatitjet teknike dhe ndërkohë po bëhet rekrutimi i stafit menaxherial. Është çështje ditësh derisa qeveria e Kosovës të bëjë konfirmimin e zyrtarit kryesor, të zëvendësit dhe të drejtorëve të 7 drejtorive përkatëse, ndërsa faza e dytë e rekrutimit vazhdon në ditët e ardhëshme, shpjegon Besnik Osmani, sipas të cilit: "Vendimi është që atje të punësohen 55 vetë në detyrat administrative që parashikohen në kornizën ligjore për funksionim e organeve të qeverisjes lokale në Kosovë. Ne kemi pranuar mbi 1040 aplikime, 30 për qind e të cilave nga Mitrovica veriore dhe nga tri komunat në Veri të Kosovës: Zveçan, Zubin Potok dhe Leposavic. Stafi i cili do të rekrutohet në këtë zyrë ka qënë edhe përpara pjesë e stafit komunal, i cili ndodhet nën një presion të vazhdueshëm. Ka gjithashtu shantazhe, e si rrjedhojë atyre që duan të aplikojnë u bëhet thirrje që të mos apikojnë dhe mos të punojnë në këtë zyrë. Por pavarësisht kësaj numri i madh i aplikuesve tregon vendosmërinë se ata do ta përballojnë këtë sfidë dhe janë të gatshëm të bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës."

Që problemet të zgjidhen përfundimisht dhe Kosova të funksionojë si duhet, liderët e Prishtinës dhe Beogradit duhet të afrohen tek qytetarët dhe t'i vlerësojnë seriozisht ata, sugjeron Miodrag: "Problemi nuk zgjidhet nga Beogradi e Prishtina me qëndrime asimetrike, që rëndojnë tek qytetarët e Veriut. Ata duhet të afrohen me qytetarët, duke i mbeldhur ata në publik dhe duke u interesuar për brengat e tyre. Këto brenga mund të kapërcehen vetëm me garancitë ligjore. Por, të gjithë janë bërë si laviret. Beogradi thotë: 'Jemi për bashkëpunim', e në anën tjetër, nuk lejon. Prishtina thotë: 'Duam bashkëpunim', por nuk ulet të flasë me masën. Kemi një retorikë për publikun dhe një reralitet krejt tjetër, nën tryezë. Si pasojë, kemi gjendje ankthi."

Ndërkohë, situata në Veri të Kosovës mbetet e pandryshuar. Serbët mbeten të ndarë mes Prishtinës dhe Beogradit. Shqitparët, në ankthin e pasigurisë. Grupet kriminale vazhdojnë sulmet hërë pas here duke pasur në shënjestër edhe forcat vendase dhe ato ndërkombtare të sigurisë, në varësi nga rrezikohen interesat e tyre. Qytetari me emrin Miodrag është i vetmi serb nga Veriu i Mitrovicës, i cili në këtë ditë me vapën përvëluese pranoi të flasë hapur e i shpenguar për këtë realitet.