1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Çështja e emrit zyrtar të Maqedonisë drejt zgjidhjes

Fatos Musliu19 Shkurt 2008

Maqedonia ka frikë se çështja e emrit mund të bëhet pengesë për anëtarësimin në NATO.

https://p.dw.com/p/D9op
Maqedonia i ka përfunduar me sukses reformat duke i plotësuar kriteret për anëtarësim në NATO.Fotografi: DW

Ndërmjetësuesi i posaçëm i OKB-së për bisedimet midis Athinës dhe Shkupit për çështjen e emrit, Metju Nimic, do t’u prezantojë të dyja palëve biseduese propozimin e ri për emrin e Maqedonisë. Propozimi i ri i Metju Nimicit për zgjidhjen e kontestit 17 vjeçar midis Maqedonisë dhe Greqisë, spekulohet të jetë emri Republika Demokratike e Maqedonisë ose Republika e Re e Maqedonisë.

Ambasadori i Maqedonisë , Nikolla Dimitrov thotë se Maqedonia edhe më tej mbetet në qëndrimin e mosndryshimit të emrit kushtetues, ndërsa është e gatshme që në komunikim me fqinjën e saj jugore të përdorë ndonjë emër i ndërlikuar i Maqedonisë. Çështja e emrit të Maqedonisë ditëve të fundit përmendet nga qarqe të caktuara politike si pengesë serioze për anëtarsimin e vendit në NATO. Por ka edhe të tillë që vlerësojnë se emri është problem bilateral midis Maqedonisë dhe Greqisë.

Bob Simons, ndihmës i sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, thotë se Maqedonia i përmbush të gjitha kriteret për anëtarsim në NATO. “ Maqedonia me sukses ka përfunduar reformat me çka i ka plotësuar kriteret për antarsim në NATO. Ky vend jep kontribut të çmueshëm në misonet paqësore ndërkombëtare. Tani është e drejta politike e vendeve anëtare të vendosin pro ose kundër anëtarsimit të Maqedonisë në NATO. Çështja e emrit nuk duhet të hyjë në këto kritere. “ – thotë Bob Simons.

Autoritetet e Shkupit janë të shqetësuara se Greqia eventualisht mund të përdorë veton. “Tendenca për aplikimin e kritereve që deri tani nuk janë përdorur si kusht për anëtarsim në NATO nuk duhet të vlejë për asnjë shtet kandidat për anëtarsim në aleancën atlantiko-veriore” thotë kryeministri Nikolla Gruevski.