1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Korruption Nordeuropa

11 Nëntor 2010

Korrupsioni i disa vendeve nuk mund të nxirret në pah me medotat që përdor Transparency International. Kështu për shembull vendet nordike janë gjithnjë në krye të listës së TI, për korrupsion shumë të ulët. Vërtetë?

https://p.dw.com/p/Q63t
Fotografi: dpa

Organizata ndërkombëtare Transparency International publikon çdo vit një raport për korrupsionin në botë. Në vend të parë janë ato vende, në të cilat dyshohet se ka pak ose aspak korrupsion, në vendet e fundit kryesisht të ashtuquajturat vende në zhvillim me normat më të larta të korrupsionit. Por cilat janë arsyet që disa vende mesa duket nuk kanë fare korrupsion. A mos vallë në ato vende ka forma korrupsioni të cilat Transparency nuk mund t'i hetojë me metodat e veta të matjes?

Një njoftim i shkurtër në gazeta, lajmet në radio dhe televizion e përmendin gjithashtu, por ai nuk përbën sensacion: Danimarka ndodhet së bashku me Singaporin dhe Zelandën e Re në vendin e parë të indeksit të korrupsionit të "Transparency International". Kështu vërtetohet sërish se korrupsioni nuk bën pjesë në problemet madhore të vendit skandinav.

Kush kërkon arsyet ndesh shpejt në "virutet skandinave" apo "etikën protestante", të cilat e kanë ndikuar shumë veriun e Evropës.

Mos i jep rëndësi të tepruar vetes, jep kontributin tënd për bashkësinë, puno shumë - të gjitha këto, natyrisht me disa kufizime, vlejnë ende. Që kushtet për korrupsionin nuk janë më të favorshmet ka të bëjë edhe me parimin e transparencës ndaj publikut. Mediet dhe qytetarët gëzojnë të drejtën të njihen me përmbajtjen e shkresave drejtuar autoriteteve, qoftë edhe kur është fjala për deklaratën fiskale të të ardhurave të fqinjit.

Dhe më kryesorja: evazioni fiskal nuk është krim kavaleresk, për të cilin mund të krenohesh në rrethin e miqve. Skandinavët apo evropianët e veriut mund të rënkojnë për barrën e rëndë fiskale, por në fund janë megjithatë të gatshëm të paguajnë pjesën e tyre, pasi kanë besim tek institucionet shtetërore. Kjo përzierje besimi dhe kontrolli e bashkon shoqërinë jo të madhe të veriut, dhe është një nga arsyet përse format ordinere të korrupsionit mbeten raste të izoluara.

Indeksi i Korrupsionit
Indeksi i Korrupsionit

E vërtetë është megjithatë, që të tilla raste ka edhe në Evropën e Veriut dhe çdo dyshim sado i vogël regjistrohet me vëmendje të madhe. Qoftë kur është fjala për sponsorizim nga një sipërmarrës i udhëtimit të dasmës të princeshës Victoria dhe dukës Daniel, për biletat falas për turneun e tenisit për kryetarin e socialdemokratëve apo udhëtimet me shpenzimet e koncernit Shell të një politikani qeveritar, përgjegjës për çështjet e mjedisit - gjithnjë kur nuhatet përpjekje për influencim apo sigurim përfitimesh, zgjohet ndërgjegja e pastër publike.

Që shtetet nordike nuk janë aq të pastra sa tregojnë listat e Transparency International, ka të bëjë edhe me faktin që disa pak sipërmarrje kanë një rëndësi tejet të madhe për ekonominë. Kështu në Finlandë asnjë qeveri nuk do të vendoste diçka, që mund të dëmtonte Nokian. Veç kësaj pikërisht në shoqëritë e vogla ekziston problemi i mbështetjes tek kontaktet personale: njerëzit njihen me njëri-tjetrin, ofrojnë ndihmë reciproke dhe mbyllin një sy.

Kjo u duk më së miri qartë në Islandë, e cila në vitet 2005 dhe 2006 u listua nga Transparency si numri një në botë, ndër shtetet me nivelin më të ulët të korrupsionit. Por përse të ketë korrupsion kur mund të bësh edhe ndryshe? Pikërisht përmes kontakteve personale: ish-krerët e atëhershëm të politikës dhe të ekonomisë njiheshin prej vitesh, i jepnin njëri-tjetrit postet më të rëndësishme, kontrolli dhe mbikqyrja u shfuqizuan vetvetiu. Në fund ndodhi rrënimi i bankave islandeze. Korrupsioni ka pra shumë fytyra, dhe lista e Transparency International nuk i tregon ato të gjitha.

Autor: Albrecht Breitschuh/ Eliana Xhani

Redaktoi: Aida Cama