1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Çdo gjë gati për rivotim - Zgjedhjet e së dielës në Mitrovicë

21 Janar 2011

Të dielën zhvillohet procesi i rivotimit në qytetin e Mitrovicës. KQZ konfirmon se qendrat e votimit do të hapen edhe në Veriun e banuar me shumicë serbe. Rivotimet vëzhgohen nga 1200 vëzhgues vendas e ndërkombëtarë.

https://p.dw.com/p/100QY
Pamje nga zgjedhjet e dhjetoritFotografi: picture-alliance/dpa

Afro 80 mijë qytetarë të Mitrovicës të dielën do t'u drejtohen sërish kutive të votimit për të votuar kandidatët për deputetë në kuvendin e Kosovës. Vendimi për rivotim edhe në qytetin e Mitrovicës u vendos pas parregullsive të shumta që u shënuan në zgjedhjet e 12 dhjetorit të vitit të shkuar. Në Mitrovicë do të hapen 30 qendra votimi me afro 130 vendvotime. Qendra votimi do të hapen edhe në veri të Mitrovicës e banuar më shumicë serbe. Para mbajtjes së zgjedhjeve më 12 dhjetor autoritetet e Serbisë, patën thënë se nuk janë përmbushur kushtet për pjesëmarrjen e serbëve kosovarë në zgjedhje. Megjithatë në Kosovën qëndrore u shënua pjesëmarrje e kënaqshme e serbëve në zgjedhje, por jo në veri të vendit.

Valdete Daka
Valdete Daka kryetare e KQZ-sëFotografi: DW

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, thotë për Deutsche Welle se ky mekanizëm ka bërë gati gjitha përgatitjet teknike për të mundësuar mbajtjen e rivotimit edhe në veri të Mitrovicës. Kësaj radhe KQZ do të ndihmohet teknikisht edhe nga një organizatë amerikane.

”Ne jemi të obliguar që të gjithëve t'u japim mundësinë e barabartë për të votuar, ndërsa është çështje e serbëve nëse ata duan të marrin pjesë në zgjedhje apo jo”, thotë Valdete Daka. Rivotimet në Mitrovicë do të vëzhgohen nga afro 1200 vëzhgues vendas dhe ndërkombëtarë. Vëzhguesit ndërkombëtarë kësaj radhe do të jenë nga përfaqësitë diplomatike në Kosovë nën kordinimin e shefit të Zyrës Civile Ndërkombëtare Peter Feith.

Peter Faith
Peter Feith shefi i Zyrës Civile NdërkombëtareFotografi: DW

Pas zgjedhjeve një qeveri me duar të pastra

Rivotimi i së dielës në komunën e Mitrovicës, sipas analistëve pritet të shënojë edhe fundit e procesit zgjedhor për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. Partia Demokratike e Kosovës në bazë të rezultateve të deritashme ka fituar më së shumti vota dhe sipas kreut të saj, Hashim Thaci, ai menjëherë pas përfundimit të ciklit zgjedhor do të formojë qeverinë. Shumë diplomatë ndërkombëtarë në Prishtinë, janë shprehur se qeveria e re e Kosovës duhet të jetë më duar të pastra, me njerëz me kredibilitet dhe jo me njerëz që kanë qenë të dënuar apo janë nën hetime.

Këtë qëndrim ka pasur edhe shefi i zyrës ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, Renzo Davidi. “Mendoj se është ide shumë e mirë dhe është ide, e cila duhet të përkrahet jo vetëm nga komuniteti ndërkombëtar por gjithashtu edhe nga popullata në Kosovë. Mendoj se ka qenë një thirrje me autoritet dhe unë e mbështes këtë thirrje për një qeveri me duar të pastra dhe mendoj që është diçka shumë me rëndësi për Kosovën”, thotë Renzo Davidi.

Zyrtarë të LDK-së edhe pse presin përfundimin e rivotimit të Mitrovicë, tashmë janë shprehur se kërkojnë zgjedhje të reja në vjeshtë të këtij viti për faktin që sipas tyre zgjedhjet kësaj radhe në Kosovë kanë manifestuar probleme të shumta dhe si të tilla nuk e kanë legjitimitetin e duhur.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Lindita Arapi