1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

210909 G20 Pittsburgh Vorschau

24 Shtator 2009

Në Pittsburgh të shtetit federal Pensilvania të SHBA-së do të zhvillohet këtë të enjte dhe të premten (24./25.09.2009) samiti i tretë financiar botëror i shteteve të G20-ës.

https://p.dw.com/p/Jnmu
Demostratë në Filipine.
Në Pittsburgh zhvillohet samiti i tretë financiar botëror i shteteve të G20-ës.Fotografi: AP

Në këtë takim, kryetarët e shteteve dhe të qeverive do të vendosin masat konkrete për ta bërë sistemin financiar të paprekshëm nga kriza. Përveç kësaj duhet bërë bilanci, i asaj që është arritur që prej samiteve të G20 të Uashingtonit dhe të Londrës.

Kur kryetarët e shteteve të G20-ës u takuan në Uashington në mesin e nëntorit të vitit të kaluar, qëllimi ishte në rradhë të parë që të pengohej paniku në tregjet financiare botërore. Dhe u aprovua një paketë me më tepër se dyzet masa për të kufizuar krizën. Pesë muaj më vonë, në fillim të prillit 2009, u takuan përsëri në Londër. Recesioni ishte në kulm në të gjithë globin. Si reagim të njëzetët mobilizuan shumën e paimagjinueshme prej 1100 miliardë dollarësh për të mbështetur vendet më të varfëra në krizë dhe për t'i dhënë përsëri shtytje tregtisë botërore. Shkas i mjaftueshëm për fjalë të mëdha.

Zbatimi i planit rezulton i vështirë

Përgatitjet për takimin e G-20 në Pitsburg.
Në Pittsburgh tani vendimet do të marrin formalisht karakterin e detyrueshëm.Fotografi: AP

"Sot është dita, që u mblodh bota, për të goditur recesionin global. Jo me fjalë, por me një plan për çtensionimin mbarëbotërore dhe për reforma me një plan zbatimi." Kështu pat thënë atëherë Gordon Brown, kryeministri britanik dhe nikoqir i samtit të Londrës. Por zbatimi i planit rezulton i vështirë, sepse bankat e shpëtuara me paratë e shtetit fitojnë përsëri miliarda, përsëri pagujnë bonuse të larta. Për të gjithë është e qartë se pagesat e bonuseve të larta, konsiderohen si një nga shkaqet kryesore të krizës.

Ministri suedez i financave Anders Borg: "Ne duhet t'i japim fund çmendurisë me bonuset. Bankierët festojnë, sikur të ishim në vitin 1999, por ne jemi në vitin 2009. Bonuseve duhet t'u japim fund, më së voni në Pittsburgh.“

Në këtë pikë janë njëzëri edhe evropianët

"Këto pagesa skandaloze të bonuseve, kjo sjellje e papërgjegjshme nuk duhet të fillojë nga fillimi, nuk duhet të lulëzojë më." … kështu tha presidenti i Francës Nicolas Sarkozy, javën e kaluar pas një samiti të posaçëm të BE.-së. Por nëse do të arrihet që t'i jepet fund praktikës së bonuseve në Pittsburgh, mbetet të shihet. Sepse në rradhë të parë presidenti amerikan Barak Obama po gjen rezistencë në Wall Street. Atje po rritet kundërshtimi ndaj përzierjes së madhe të shtetit. Por Obama thotë: "Pa një reformë bankat do të kthehen në modelet e tyre të vjetra. Ndoshta do të bëhet më keq, sepse ata llogarisin që qeveria t'i shpëtojë dhe prandaj mund t'u hyjnë rreziqeve edhe më të mëdha."

Takimi i Londrës.
Në fillim të prillit 2009, G20 u takua në Londër. Recesioni ishte në kulm në të gjithë globin.Fotografi: AP

Në Pittsburgh vendimet do të marrin karakterin e detyrueshëm

Asnjë produkt financiar, asnjë treg financiar nuk do të jetë në të ardhmen i pakontrolluar, kështu vendosi G20 në Londër. Në Pittsburgh tani vendimet do të marrin formalisht karakterin e detyrueshëm. Tani ata mund të zbatohen nga qeveritë e vendeve përkatëse. Kancelarja gjermane Angela Merkel kërkon rregulla të reja për një ekonomi të qëndrueshme. "Çfarë rregullash duhet të vendosim, me qëllim që një ditë të mos befasohemi, kur një bankë të deklarojë: ose shteti na ndihmojö brenda 12 orëve, ose rrëzojmë të gjithë sistemin financiar? Për këtë duhet bërë një marrëveshje ndërkombëtare, sepse këtë nuk e bën dot një shtet i vetëm, kur shkatërrohet psh një bankë, si Lehman Brothers, siç ndodhi para një viti."

Edhe akuza, se bankat nuk kanë mësuar asgjë nga kriza është dëgjuar së fundi nga kancelarja, e cila lufton për t'u rizgjedhur. Por këtë e kundërshton shefi i Deutsche-Bank, Josef Ackermann. Raportet kanë ndryshuar, dominanca e pretenduar nga bankat anglosaksone nuk është më, përkundrazi. "Ndërsa në Gjermani diskutohet për konsolidimin e bankave të landeve, bankat nga vendet në ekspansion përbejnë më shumë se një të katërten e kapitalizimit të tregut nga 25 bankat më të mëdha në mbarë botën. Dy banka kineze e kryesojnë këtë listë."

Autor : Henrik Bëhme / Angelina Verbica

Redaktoi : Aida Cama

(Në G-20 marrin pjesë shtatë vendet kryesore të industrializuara (SHBA, Japonia, Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Kanadaja dhe Italia) si dhe Argjentina, Australia, Brazili, Kina, India, Indonezia, Meksika, Rusia, Turqia, Arabia Saudite, Afrika e Jugut dhe Korea e Jugut si dhe Bashkimi Evropian.