1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ç'ngjau 25 vjet më parë në Poloni?

Thomas Rautenberg13 Dhjetor 2006

25 vjet më parë në Poloni lindi Solidarnosc. Punëtorët formuan një sindikatë të pavarur. Një vit më vonë shteti ndvrhyn me dhunë

https://p.dw.com/p/Ar9N
Një punëtor i kantierit detar të Gdanskut përkujton grevën e 25 viteve më parë
Një punëtor i kantierit detar të Gdanskut përkujton grevën e 25 viteve më parëFotografi: AP

Gjithçka filloi në korrik 1980 me rritjen e çmimit të mishit. Një muaj më vonë në kantierin detar Lenin në Gdansk pushohet nga puna drejtuesja e vinçit Anna Walentynowicz. Ajo ishte angazhuar për të drejtat e punëtorëve. Pushimi i saj nga puna e mbushi kupën. Mijëra punëtorë të pakënaqur hidhen në grevë në Poloni. Është kjo lindja e sindikatës Solidarnosc. Ditët e ardhshme protestat u përhapen në gjithë vendin, por qeveria polake tregohet e tërhequr dhe lëshon pe. Punëtorët lejohen të solidarizohen në një sindikatë të lirë e të pavarur. Vetëm filimisht, sepse përgjigjja e dhunshme e shtetit pason një vit prapa. Në dhjetor 1981 Polonia vendos ligjin e luftës. Ç'ngjau 25 vjet më parë?

Polonia në mëngjesin e 13 dhjetorit 1981. Tanket lëvizin në qytetet e mëdha, ushtarë të armatosur rëndë zënë gjithë pikat me rëndësi startegjike. Kur njerëzit ndezin radiot, ata dëgjojnë të alternuara himnin kombëtar dhe fjalimin e kreut të shtetit, të qeverisë dhe të ushtrisë, Wojciech Jaruzelski:

"Qytetarë dhe qytetare: barra e përgjegjësisë që bie mbi mua në këtë çast dramatik të historisë polake është e rëndë. Detyra ime është ta marr përsipër këtë përgjegjësi. Është fjala për të ardhmen e Polonisë, për brezin tim, i cili ka luftuar në të gjitha frontet e luftës duke kontribuar vitet më të mira të jetës. Bëj të ditur se me ditën e sotme u vu në veprim sipas kushtetutës këshilli ushtarak për shpëtimin kombëtar. Në përputhje me kushtetutën këshilli shtetëror ka vendosur sot në mesnatë në gjithë territorin e vendit ligjin e luftës."

Pushteti shtetëror komunist në Poloni po i jepte goditjen vendimtare sindikatës opozitare Solidarnosc. Ekonomia polake ishte rrënuar krejtësisht, shitoret ishin zbrazur. Në ndërmarrje drejtonin komitetet e grevës, kujton kryeministri i mëvonshëm i Polonisë, i pari i zgjedhur në mënyrë të lirë, Tadeusz Mazowiecki: "Në sindikatën Solidarnosc ishin organizuar dhjetë milion njerëz. Dhe veçanërisht në fazën e parë ishte shumë e vështirë ta kontrolloje këtë lëvizje. Çdo rajon donte të kishte ngjarjen e vet të madhe, heroike. Pra pati greva për të arritur diçka dhe për të mobilizuar njerëzit e rajonit."

Natyrisht edhe pushteti shtetëror komunist nuk la gjë pa provuar në mënyrë që ta provokonte rezistencën. Në mes të dhjetorit, pa ngrohje dhe ushqim shumë njerëz kishin frikë nga dimri që afronte, udhëheqja komuniste e partisë nuk bëri më shaka. Ushtarakët morrën pushtetin, katër ditë përpara demonstratës së paralajmëruar mbarëkombëtare në përkujtim të viktimave të kryengritjes punëtore të vitit 1970. Atëherë milicia polake kishte shtënë ndaj popullit të vet.

Sapo ushtria kishte marrë komandën në gjithë vendin u arrestuan veprimtarët e sindikatave. Burrat dhe gratë përreth udhëheqësit të Solidarnosc-it Lech Walesa u zhdukën në burgje dhe kampe internimi, pa u informuar familjet e tyre.

Jeta nën dikatatin e armëve e ndryshoi rrjedhën e zakonshme shoqërore. Të drejtat themelore thjesht u shfuqizuan.

Në rast se qeveria polake nuk do të kishte vendosur ligjin e luftës, atëherë Moska dhe shtetet e tjera anëtare të Paktit të Varshavës do ta kishin pushtuar vendin. Madje këtë vlerësim të Wojciech Jaruzelski-t arrin ta kuptojë pjesërisht edhe Lech Walesa.