1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

1,1 Milionë Euro për një ligj?

19 Janar 2010

Revista Der Spiegel ka zbuluar se pak kohë më parë, në adresë të partisë së Demokratëve të lirë (FDP ), ka hyrë një donacion i majmë nga një pronar hotelesh. Çfarë reaksionesh ka ngjallur ky njoftim?

https://p.dw.com/p/LZzk
Një milionë euro për një ligj që nuk i duhet kërkujt.
Një milionë euro për një ligj që nuk i duhet kërkujt.Fotografi: picture alliance / dpa

Guido Westerwelle sapo kishte ardhur në qeveri, kur kabineti do të duhej të miratonte një paketë konjukturore për t'ia lehtësuar ekonomisë gjermane përballimin e krizës. Dhe ishte propozimi dhe këmbëngulja e Partisë së tij, asaj të Demokratëve të Lirë (FDP) që njëra nga masat e përfshira në paketë të ishte edhe ulja e tatimeve mbi vlerën e shtuar për hoteleritë nga 19 në 7 përqind. Revista "Der Spiegel" ka zbuluar ndërkohë, se pikërisht pak kohë më parë, në adresë të partisë kishte hyrë një donacion i majmë nga një pronar hotelesh. Rastësi?

Për opozitarët socialdemokratë ulja e TVSH-së është një shpërblim i drejtpërdrejtë ndaj donacionit prej 1,1 milionë Euro, që kompania "Substantia AG" u pat bërë liberalëve gjatë vitit të kaluar. Sipas burimeve të revistës Der Spiegel, pronarë të kompanisë në fjalë janë aksionarët kryesorë të kompanisë "Moevenpick", e cila ka në Gjermani 14 hotele.

"Ky është një skandal i madh që tregon se si FDP-ja është shitur për një ligj, për të cilin nuk kishte nevojë askush,"- u shpreh të hënën, zëvendëskryetari i SPD-së, Klaus Wowereit. Edhe kryetarja e grupit parlamentar të "Të Gjelbërve", Renate Kuenast, nuk i kurseu fjalët e ashpra: "FDP-ja po e trajton shtetin sikur ta kishte gjahun e vet", tha ajo.

FDP-ja i quan kritikat absurde

Guido Westerwelle të hënën i hodhi poshtë kritikat: "Sa i madh duhet të jetë hidhërimi i Partisë Socialdemokrate, që e shtyn atë të artikulojë kritika kaq absurde", reagoi me indinjatë ministri i jashtëm i Gjermanisë. Sipas liberalëve, marrja e donacionit nuk ka të bëjë aspak me uljen e tatimit: "Ne nuk kemi bërë asnjë gabim. Kemi marrë një donacion, të cilin e kemi deklaruar në përputhje me ligjin. Uljen e tatimeve për hoteleritë e kishim kërkuar edhe shumë kohë më parë, pasi është një sektor, ku janë në rrezik vendet e punës për shkak të krizës", argumentoi të hënën para gazetarëve Christian Lindner, sekretari i përgjithshëm i liberalëve.

Debati për donacionet ndaj liberalëve u hap pikërisht në të njëjtën ditë, kur në Augsburg filloi procesi gjyqësor kundër ish-lobiistit të tregtisë së armëve, Karlz-Heinz Schreiberit. Gjatë viteve 80-të dhe 90-të, Schreiber pat bërë donacione të mëdha ndaj partive të ndryshme, sidomos asaj të Helmut Kohl-it, e cila i merrte dhuratat e lobiistit gjerman në mënyrë jolegale, nëpërmjet xhirollogarive në Zvicër. Skandali i atëhershëm i "valixheve të zeza", i kushtoi Helmut Kohl-it, postin e kryetarit të CDU-së. Duke marrë shkak nga këto dy ngjarje analistë të ndryshëm në mediet gjermane kërkojnë më shumë transparencë në procedurën e financimit të partive. Ata shprehen për publikimin e menjëhershëm të donacioneve dhe heqjen e anonimitetit për dhuratat nën 10.000 euro.

Autor : Anila Shuka

Redaktoi : Aida Cama