1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

1244 sundon ende në Kosovë

Bekim Shehu / Prishtinë26 Shkurt 2008

Në Kosovë vazhdon ende të jetë në fuqi rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit, përderisa misioni i ri i BE-së, të marrë përgjegjësitë në fushën e sundimit të ligjit.

https://p.dw.com/p/DDOp
Pllakatë - Kosovë
Pllakatë - KosovëFotografi: AP

Administrata ndërkombëtare në Kosovë, vazhdon të punojë në bazë të rezolutës 1244 dhe ende nuk ka filluar të transferojë përgjegjësitë as te autoritetet vendore e as te misioni i ri i BE-së. Kjo periudhë kërkon deri në katër muaj kohë, kur misioni i BE-së të marrë përgjegësitë në sundimin e ligjit, ndërsa autoritetet vendore në fusha tjera. Misioni i BE-së, i koduar me emrin EULEX, do të ketë mbi 1800 pjesëtarë. Ata nuk kanë ardhut që të gjithë në Kosovë, ndërsa një pjesë e tyre, që filloi të akomodohet në veri të Kosovës tashmë është tërhequr për shkak të situatës së tensionuar që po mbretëron nga protestat e serbëve kundër pavarësisë së Kosovës dhe kundër misionit të BE-së.

Ushtarë të KFOR -it duke parë djegien e stacioneve kufitare me Serbinë
Ushtarë të KFOR -it duke parë djegien e stacioneve kufitare me SerbinëFotografi: AP

Kryesuesi i misionit, Peter Faith, megjithë kundërshtimin e serbëve e ka bërë të qartë se misioni do të shtrihet në të gjith teritorin e Kosovës. "Eshtë përkushtim i komunitetit ndërkombëtar që të shtrijë prezencën e misionit atij civil dhe policor në të gjith teritorin e Kosovës. Pra më këtë nënkuptoj se misioni i BE-së do të shtrihet edhe në veriun e Kosovës," thotë Peter Faith, duke u bërë thirrje serbëve që jetojnë në Kosovë, që të integrohen në shoqërinë kosovare sepse vendi i tyre është në Kosovë.

Pieter Feith
Pieter FeithFotografi: AP

Pjesëtarët e komunitetit serb në veri të Kosovës që nga përfundimi i luftës kanë ushtruar strukturat e tyre paralele, duke mos e respektuar rezolutën 1244, të KS-it. Mirëpo, pas shpalljes së pavarësisë, tashmë ata kërkojnë respektimin e kësaj rezolute, madje edhe protestat kundër pavarësisë i fillojnë çdo ditë në orën 1244, një simbolikë kjo në favor të rezolutës së KS-it. Sidoqoftë, ekspertët juridik akoma nuk e kanë shumë të qartë se si do të veprohet në mënyrë që në Kosovë të ketë një pushtet ekzekutiv në të gjithë territorin e saj. Tash për tash, ata thonë se në Kosovë ka tri pushtete legjitime, UNMIK, EULEX dhe qeveria e Kosovës, ndërsa në veri të vendit ka struktura paralele serbe, të cilët cilësohen jo legjitime. Analistët thonë se tash për tash e rëndësishme është që në Kosovë të mbretërojë qetësia, në këto ditë të para të pavarësisë ndërsa, gradualisht kompetencat e secilit mekanizëm do të vendosen në vendin e vet, ashtu siç e parasheh edhe plani i statusit i ndërmjetësit, Marti Ahtisari.