1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

15 vjet demokratizim në Kuvajt - Përkujtohet çlirimi prej trupave irakiane

Bjërn Blashke2 Gusht 2005

Përpara 15 vjetësh, më 2 gusht 1990 në shtetin e vogël të naftës, Kuvajt, jeta ndryshoi në mënyrë të rrufeshme: trupat irakiane e pushtuan papritur këtë vend. Gjashtë ditë më vonë Sadam Huseini deklaroi aneksimin e Kuvajtit. Pushtimi brutal i Kuvajtit e vuri menjëherë në lëvizje Këshillin e Sigurimit. Nëpërmjet disa rezolutave kërkohej tërheqja e menjëhershme dhe pa kushte e Huseinit nga Kuvajti. U formua një njësi ushtarake ndërkombëtare me rreth 500.000 ushtarë.

https://p.dw.com/p/ArOW
Bursa në Kuvajt
Bursa në KuvajtFotografi: AP

Pasi ultimatumi i OKB-së më 15 janar 1991 nuk solli rezultat, 24 orë më vonë nisi operacioni i koduar "stuhia e shkretëtirës". Në mes të shkurtit ndryshoi krejtësisht situata në disfavor të Irakut: pas humbjeve të rënda dhe dezertimeve të shumta të ushtarëve Bagdati sinjalizoi tërheqjen nga Kuvajti. Njëkohësisht aleatët filluan një ofensivë këmbësorie dhe brenda 100 orësh e çliruan Kuvajtin. Por si është gjendja sot pas 15 vjetësh në këtë emirat?

Godinat luksoze të Kuvajtit - magazinat industriale Marina ose Souq Sharq e tregojnë qartë këtë: Emirati 15 vjet pas marshimit të ushtrisë irakiane, është sërish një shtet në bum, pavarësisht, se Kuvajti u plaçkit dhe u shkatërrua prej irakianëve. Ky shtet është në bum edhe pse pushtuesi i dëbuar prej aleancës së madhe nën drejtimin e SHBA u largua duke djegur burimet e naftës.

Gjatë gati gjashtë muajve të pushtimit ishin hartuar plane për rindërtimin në aspektin ekonomik dhe politik. Nën presionin e Uashingtonit familja në emigracion e emirit dhe opozita kuvajtiane ranë dakord për demokratizimin e vendit.

Emiri i al Sabahve me dekretet e tyre kishin gjithçka nën kontroll deri në ditën e marshimit të irakianëve. Parlamenti, në të cilin teorikisht duhet të përfaqësohej populli, u shpërnda në vitin 1986. Por këto kohë të autokracisë tashmë kanë kaluar thotë, Shafik Gabra, presidenti i Universitetit Amerikan të Kuvajtit. Sipas tij në vend është zbatuar në masë të gjerë procesi i demokratizimit sipas marrëveshjes: "Në Kuvajt menjëherë pas çlirimit në vitin 1992 u shpallën dhe u zhvilluan zgjedhjet parlamentare. Qysh nga ajo kohë zhvillohen debate të rregullta parlamentare."

Struktura e vendit është relativisht e qartë: kreu i shtetit është emiri. Ai emëron qeverinë, nëpërmjet së cilës ai mund të dekretojë ligjet. Kabineti duhet të përgjigjet si përpara sundimtarit ashtu edhe ndaj parlamentit të përbërë nga 50 përfaqësues që duhet të miratojë edhe ligjet.

Deputetët kanë të drejtë vetoje, me të cilën ata mund t´i bllokojnë ligjet. Në një rast të tillë emiri është në gjendje të shpërndajë në çdo kohë parlamentin, por më pas duhet të shpallë menjëherë zgjedhje të reja.

Përpara pak muajsh emiri mbi bazën e kompetencave të postit të tij garantoi të drejtën e votës edhe për gruan. Më parë gruaja nuk kishte të drejtë të votonte në Kuvajt. Madje qysh prej disa muajsh në qeverinë kuvajtiane ka edhe një ministre. Vaf´a Jasem, është kryetare e "shoqatës kulturore dhe sociale të gruas" në Kuvajt: "Ndoshta ne gratë në zgjedhjet e ardhëshme parlamentare në vitin 2007 do të kemi sukses, por ndoshta edhe dështojmë. Kjo do të varet nga aftësia e kandidateve dhe e votueseve. Mendoj, se ndoshta në disa drejtime ne jemi më mirë se evropianët, kur është fjala për barazinë në punë. Tek ne nuk bëhet më dallim mes burrit dhe gruas."

Me futjen e së drejtës së votës për gruan është kapërcyer edhe një deficit i demokracisë kuvajtiane. Por megjithatë parlamentari Jusef Zalzala nxjerr në pah edhe deficite të tjera të demokracisë së Kuvajtit të dominuar prej myslimanëve sunitë. Zalzala është shiit, antar i pakicës, që përbën rreth 25% deri në 30% të popullsisë së Kuvajtit: "Qeveria në vitin 1983 i ndryshoi kuotat e guvernatorëve dhe zonat elektorale. Përpara ne kishim 10 deputetë shiitë, pra gati 20%, gjë që i përgjigjej edhe kuotës së popullsisë shiite. Pas këtyre ndryshimeve ne kemi një kuotë më të vogël përfaqësimi. Kjo u bë vetëm që shiitët të mos jenë aq të fortë."

Shiitët pothuajse nuk lejohen të ndërtojnë xhami në Kuvajt. Gjykatat më vete, që rregullojnë çështjet e trashëgimisë dhe të familjes në Kuvajt, për shiitët ekzistojnë vetëm në instancën e parë. Ndërsa në instancat e tjera shiitët duhet të paraqiten përpara gjyqtarëve sunitë, edhe pse ka dallime në ligjet përkatëse.

Minoritete të tjera janë nënvleftësuar dhe në Kuvajt ende nuk lejohen partitë politike. Duke nxjerrë një përfundim, Jusef Zalzala indinjohet, po t´i flasësh për demokratizimin që duhej të ish realizuar në Kuvajt pas çlirimit prej pushtimit irakian: "Këtu nuk kemi demokraci të vërtetë. Ndonëse ne kemi filluar me parlamentin dhe me këtë demokraci qysh prej 40 vjetësh, jemi ende shumë prapa po të krahasohemi me shtetet që aplikojnë demokracinë qysh prej 100 vjetësh. Por, unë jam i dëshpëruar dhe më duhet të them, që shumica e popullsisë ende nuk i jep të drejta të plota pakicave."