1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

250609 Ungarn Paneuropäisches Picknick Euranet

19 Gusht 2009

Në Hungari, "ra guri i parë i Murit", pati thënë më 4 tetor 1990 Helmut Kohli. Gjashtë muaj më parë opozitarët hungarezë kishin organizuar në kufirin hungarezo - austriak në Sopron një demonstratë paqësore.

https://p.dw.com/p/JE2u
Qytetarë të RDGJ-së kalojnë përmes portës së hapur të kufirit, më 19 gusht 1989
Qytetarë të RDGJ-së kalojnë përmes portës së hapur të kufirit, më 19 gusht 1989Fotografi: picture-alliance/ dpa

Opozitarët hungarezë dhe politikanët austriakë patën rënë dakord të hapnin kufirin për disa orë

Në fushën historike ndodhen sot shumë tabela përkujtimore. Përveç tyre një pavion dhe një kullë e vogël me një këmbanë. Nga kufiri i dikurshëm nuk ka mbetur më asgjë. Copa e gardhit me tela që ndodhet atje është vendosur më vonë, për t`u dhënë vizitorëve një ide të vogël se si ka qenë kufiri. Kërkush nuk e di këtu ku ka mbetur porta e drunjtë, që u hap për pak kohë më 19 gusht të vitit 1989.

Atë ditë, një grup opozitarësh hungarezë dhe politikanësh austriakë patën rënë dakord të hapnin kufirin në mënyrë simbolike për disa orë, për të zhvilluar një piknik të përbashkët. Aksioni nuk mbeti vetëm simbolik. Meqenëse në atë kohë qytetarët e RDGJ mund të udhëtonin të lirë në Hungari, 600 prej tyre shfrytëzuan rastin për t'u arratisur në Perëndim. Ngjarja hyri në histori si "pikniku panevropian". László Magas nga Soproni ka qenë një nga organizatorët kryesorë të saj. Sot ai është pensionist. Atij i kujtohet shumë mirë ajo ditë:

'Një shok më tha shumë qartë "Ne shkruajtëm histori"'

„Për mua ishte sikur të kishim lënë djallin të dilte nga shishja. Ishte një çast lumturie, ose një tekë historie, që gjermanolindorët mundën të arratiseshin në atë mënyrë. Ne na kërcënuan se do të ngrinin padi kundër nesh dhe do të hakmerreshin. Por një ditë më pas unë e kuptova se kisha bërë një gjë shumë të madhe. Dhe një shok më tha shumë qartë "Ne shkruajtëm histori!"

Planet për të hapur simbolikisht për disa orë kufirin më 19 gusht u shpërndanë si rrufe mes gjermano - lindorëve

Shtetas të RDGJ tregojnë të ngazëllyer pasaportat e tyre në Austri, 19 gusht 1989
Shtetas të RDGJ tregojnë të ngazëllyer pasaportat e tyre në Austri, 19 gusht 1989Fotografi: picture alliance/dpa

Atë gusht, dhjetra mijëra gjermano - lindorë shkuan në Hungari dhe prisnin duke shpresuar të gjenin një vrimë për të dalë në Perëndim. Ata prisnin në sheshe kampingu, në parqe dhe kisha. Dy muaj më parë, fotografitë e ministrit të jashtëm hungarez Gyula (Gula) Horn dhe kolegut të tij austriak Alois Mock, që hiqnin telat e kufirit midis dy vendeve, ishin përhapur në të gjithë botën. Planet për të hapur simbolikisht për disa orë kufirin më 19 gusht u shpërndanë si rrufe mes gjermano - lindorëve. Atë ditë, pesë ushtarakë ruanin portën prej druri në anën hungareze. Përgjegjës ishte nënkoloneli 43 vjeçar Árpád Bella. Ai kishte marrë udhëzimin që të hapte portën për delegacionin zyrtar në orën 15:00. Por ngjarjet rrodhën ndryshe. Árpád Bella thotë për ato momente vendimtare:


'Nënkoloneli 43 vjeçar Árpád Bella: Unë nuk hapa zjarr!'

„Nga ana hungareze e kufirit erdhën shumë njerëz tek unë. Unë mendova se ishte delegacioni zyrtar. Vetëm kur më erdhën afër, atëherë e kuptova se ata ishin qindra gjermano - lindorë që donin të kalonin kufirin. Unë kisha vetëm 30 sek. kohë që të vendosja çfarë të bëja. T`i ndaloja? Apo t`i lija të kalonin? Udhëzimet ishin të qarta: Në një rast të tillë, gjëja e parë që duhej bërë ishte të qëllohej për të paralajmëruar. Por si reagon një grup i nervozuar njerëzish, që ka përpara dikë që nxjerr armën? Mbase do të më kishin sulmuar. Atëherë sipas rregullave duhet të kisha qëlluar. Të shkaktoja gjakderdhje? Por nëse i lija të iknin atëherë më bënin mua fajtor. Unë nuk hapa zjarr. Pas një ore, shefi im ndodhej me të vërtetë para meje dhe më thoshte se për të gjithën duhet ta mbaja unë përgjegjësinë!“

Deri më sot nuk është sqaruar ende, cilin është roli që kanë luajtur politikanët kryesorë humgarezë në këtë histori. Ish-kryeministri hungarez, Miklós Németh pati thënë se ata donin të testonin si do të reagonte Moska ndaj arratisjes së gjermano - lindorëve. Që ky version mund të jetë i mundshëm e tregon edhe fakti që territori përreth kufirit nuk u rrethua krejtësisht.

Autor: Chrisitan Erdei/ Aida Cama

Redaktoi: Auron Dodi