1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

25 milionë njerëz të dëbuar brenda vendeve të tyre

Bernd Gresler27 Prill 2006

Terre des hommes paraqet studimin mbi dëbimet në mbarë botën. "Të ndalosh dëbimin e fëmijëve!" Këtë titull mban studimi i organizatës së ndihmës "Terre des hommes" i paraqitur të mërkurën (26.04) në Berlin. Në sfondin e shifrave dramatike kjo organizatë i bën thirrje si qeverisë gjermane ashtu edhe organizatave ndërkombëtare që të veprojnë.

https://p.dw.com/p/AqqE
Refugjatë në Sudan, Darfur
Refugjatë në Sudan, DarfurFotografi: AP

Rreth 25 milionë njerëz sipas të dhënave të "terre des hommes" janë ndërkohë në arrati brenda vendit të tyre. Shumica e të dëbuarve jetojnë në Afrikë. Ata janë në një gjendje edhe më të keqe se sa rreth nëntë milionë njerëzit, që në mbarë botën kanë statusin e refugjatit, deklaron eksperti për të drejtat e fëmijëve Andreas Rister: "Një njeri është refugjat, kur ai kalon një kufi ndërkombëtar. Në këtë rast hyjnë në veprim rregullat e mbrojtjes të Konventës së Gjenevës. Por këto rregulla në bazë të së drejtës ndërkombëtare janë mjaft të kufizuara për të dëbuarit brenda vendit. Ky është një dallim thelbësor që shpesh herë ka pasoja dramatike për të prekurit."

Gati tre të katërtat e viktimave të dëbimeve të brendshme janë gra dhe fëmijë. Terre des hommes, sipas zotit Rister, ndihmon ndër të tjera në situatat më të vështira të dëbimeve, siç ndodh konkretisht në kufirin mes Tajlandës dhe Birmanisë. Në këtë zonë jetojnë birmanezë, që janë dëbuar prej ushtrisë së vendit të vet gjatë spastrimeve etnike. Tajlanda nga ana tjetër, nuk e ka ratifikuar Konventën e Gjenevës për refugjatët dhe i konsideron birmanezët si emigrantë ilegalë. Terre des hommes mbështet shkollat, kopshtet e fëmijëve dhe një klinikë.

Përfaqësuesi i terre des hommes njoftoi edhe për fëmijë të dëbuar në kuartierin e varfër Altos de Cazuca në kryeqytetin e Kolumbisë, Bogota. Të rinjtë atje keqtrajtohen prej bandave të paraushtarakëve, ka aksione të herë pas hershme ekzekutimi dhe të ashtuquajtura "spastrime sociale", thotë Rister: "Çdo i ri në Altos de Cazuca, në moshën 13 apo 14 vjeç ka frikë se mund të ketë një fat të tillë. Ata që kanë pushtetin në këtë kuartier janë grupet paraushtarake, që shkruajnë edhe parrulla cinike nëpër mure me përmbajtje të tilla: prindër, çoini fëmijët herët për të fjetur, në rast të kundërt ata do të flenë gjithë jetën."

Në Kolumbi llogaritet të ketë deri në 3,7 milionë të dëbuar të brendshëm (internally dispolacet persons). Sipas studimit të terre des hommes, edhe në vendet e Afrikës si Sudani, Uganda, Kongo dhe Zimbabve si dhe në Irak numri i të dëbuarve e tejkalon milionin.

Normalisht mbrojtja e të dëbuarve është detyrim i çdo qeverie. Por shpesh herë ndodh e kundërta: shteti i mbulon autorët si përshembull në Kolumbi, thotë përfaqësuesi i terre des hommes. Atje organizata e tij përpiqet që të ndihmojë bujqit e vegjël që kërcënohen prej dëbimeve. Njëkohësisht kjo organizatë përballet edhe me kritikën, se po ndërhyn në punët e brendëshme. Ndaj terre des hommes kërkon që jetë në fuqi si e drejtë e njeriut mbrojtja nga dëbimi: "Ne i bëjmë thirrje qeverisë, që të angazhohet për një politikë ndërkombëtare në mbrojtje të të dëbuarve dhe kundër kulturës së mosndëshkimit ndaj dëbimeve të dhunshme."

Një qëllim tjetër i terre des hommes është mobilizmi i komisionit parlamentar për të drejtat e njeriut dhe ndihmën humanitare. Qëkurse partia liberale, FDP, përpara katër vjetësh propozoi një iniciativë në këtë drejtim është bërë shumë pak, në këtë përfundim arrin organizata terre des hommes.