1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

5 vjet histori suksesi e Aeroportit "Nënë Tereza"

14 Maj 2010

5 vite pasi aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Shqipëri e ka marrë me koncesion një kompani gjermano-amerikane, ai ka pësuar ndryshime rrënjësore. Ka dyfishuar numrin e pasagjerëve e u shërben 1.8 milion udhëtarëve

https://p.dw.com/p/NNYv
Drejtorja ekzekutive e TIA, Andrea Gebbeken shpjegon suksesin e aeroportit
Drejtorja ekzekutive e TIA, Andrea Gebbeken shpjegon suksesin e aeroportitFotografi: DW

Aeroporti i vetëm ndërkombëtar në Shqipëri është ndërtuar qysh në vitin 1957. Si aeroporti i një vendi të izoluar nga regjimi komunist, deri në vitin 1990 ai kishte një fluks shumë të kufizuar pasagjerësh dhe linjash ajrore që operonin në të. Fillimi i ndryshimeve demokratike, hapja e vendit ndaj pjesës tjetër të botës, emigrimi në shkallë të gjerë i shqiptarëve, si dhe mjaft zhvillime sociale, politike e ekonomike u shoqëruan me rritjen e fluksit të udhëtarëve, që kalonin në këtë portë ajrore të vetme të Shqipërisë. Kjo nxori në pah mungesën e kapaciteteve të aeroportit, treguesit e ulët në standardet e shërbimit dhe të sigurisë. Një prezantim jo dinjitoz të vendit që synonte integrimin euro atlantik.

Pamje e jashtme e Aeroportit "Nëna Terezë"
Pamje e jashtme e Aeroportit "Nëna Terezë"Fotografi: DW

Hochtief AirPort, DEG dhe FSHAN kanë menaxhuar me sukses

5 vite më parë qeveria shqiptare vendosi që ta japë aeroportin me koncesion, në një periudhë 20 vjeçare në formatin BOOT, që nga ana e koncesionarit përmban proceset e ndërtimit, zotërimit, operimit dhe transferimit. Pas një procesi të hapur konkurues të drejtën e koncesionit e mori kompaniaTirana International Airport, TIA . Ajo ka në përbërje të saj HOCHTIEF AirPort, një nga liderët e investitorëve privatë të aeroporteve në botë. Ka gjithashtu dhe DEG (Deutsche Investitions- und Enwicklungsgesellschaft), një anëtare e grupit KfW, e cila është e specializuar në financimin e investimeve të koorporatave dhe infrastrukturave në Europë, si dhe gjithashtu në financimin e eksporteve, projekteve afatgjata dhe investimeve të kompanive europiane jashtë vendit. Partneri i tretë i kompanisë është Fondi Shqiptaro-Amerikan i Ndërmarrjeve, FSHAN, një kompani investuese krijuar nga qeveria e SHBA, për të mbështetur zhvillimin e sektorit privat në Shqipëri.

Pasagjerë në sportelet e Aeroportit
Pasagjerë në sportelet e AeroportitFotografi: DW

Tani 5 vjet pas fillimit të menaxhimit të aeroportit “Nënë Tereza” nga TIA rezultatet jane evidente. Nëse përshembull, në vitin 2005 në mjediset e aeroportit, që është 17 km larg Tiranës, qarkulluan rreth 780 mijë pasagjerë, në vitin 2009 ky numër ishte thuajse dyfish më i madh. Andrea Gebbeken, drejtore ekzekutive e Tirana International Airport, thotë për DW se ajo që ofrohet aktualisht për pasagjerët është një zgjedhje ekskluzive për destinacionet dhe linjat e fluturimit. Janë në punë 13 linja ajrore që u drejtohen mbi 30 destinacioneve të ndryshme. Pas zgjerimit të terminalit të pasagjerëve, vitin e kaluar, u panë tregues konkretë në rritje, shton Gebbeken.

Transformim i thellë brenda një kohe të shkurtër

“Vitin e kaluar ne arritëm në afër 1.4 milion pasagjerë. Kjo na obligon për të punuar vazhdimisht për të mbajtur standarde të larta dhe për të shënuar rritje në shifra të trafikut, të cilat janë dhe të pritshme nga ky investim. Duke folur për sfidat e së ardhmes, procesi i liberalizmit të vizave që do të aplikohet së afërmi në Shqipëri mendoj se do të shoqërohet me një rritje të numrit të pasagjerëve, çka do të na angazhojë seriozisht për përballimin e kapaciteteve më të mëdha se deri më tani”, thotë për DW Andrea Gebbeken.

Myslym Sadiku, flet për transformimin e Aeroportit
Myslym Sadiku, flet për transformimin e AeroportitFotografi: DW

Myslym Sadiku është shofer taksie në aeroport. Jo vetëm që punon prej vitesh këtu, por ai ka lidhur jetën e tij dhe të familjes me këtë mjedis, pasi banon në lagjen ngjitur me aeroportin. Myslymi është dëshmitar i transformimit radikal që ka ndodhur brenda një kohe të shkurtër në këtë vend. Ai kthehet prapa në vite, para 2005-s duke kujtuar ndërtesën e vjetër. Një ambjent krejt pa shije, me grumbuj njerëzish që shtyheshin, kush e kush të hynte a të dilte i pari, kujton ai për DW.

“Ndryshimi është total. Shërbimi është shumë më i mirë. Çdo gjë funksionon. Në rast se më përpara të humbte dhe bagazhi, tani as që bëhet fjalë një gjë e tillë. Për kushtet që ka ky aeroport mund të konkurojë me çdo aeroport tjetër. Pavarësisht përmasave që ka. Mund të jetë i vogël, ama kushtet janë të gjitha”.

Liza është një nga pasagjeret e rregullta të aeroportit. Jeta e saj mes Shqipërisë dhe Amerikës e sjell atë në mjediset e aeroportit “Nënë Tereza” disa herë në vit.

“Kam udhëtuar nëpër aeroporte të tjera. Shumë mirë është atje, por shumë mirë është dhe këtu. Me çfarë ka qenë më parë tani jemi shkëlqyeshëm. Atje ku rri e pret, shikon gjithçka që mbërrin dhe e njeh kollaj. S'ka më mirë”, shprehet ajo për DW.

Nardi është duke pritur një të afërmin e tij, që vjen nga SHBA-ja.

“Ka përmirësim, se më parë kemi qënë në një ngushticë që as aerodrom nuk mund ta quaje. Tani ka më tepër rregull, më tepër pastërti, ka edukatë qytetare. Gjithshka drejt përmirësimit”.

'Shërbehet me edukatë qytetare'
'Shërbehet me edukatë qytetare'Fotografi: DW

Për Andrea Gebbeken dhe stafin që ajo drejton, tashmë pas 5 viteve që operohet në Shqipëri, është krijuar një vizion ku, sic përsërit ajo “emri i TIA-s është bërë sinonim i përsosmërisë, risisë, ndershmërisë, integritetit, dhe cilësive të jashtëzakonshme të shërbimit”.

Autor: Arben Muka/ Tiranë

Redaktoi: Auron Dodi