1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

50 vjet me pare u krijua Ministria e Mbrojtjes se Republikes Federale te Gjermanise

Nina Verkhojzer6 Qershor 2005

Ushtarët gjermanë janë shpërndarë sot në misione paqeruajtëse në tërë Botën: në Afganistan, Kosovë dhe ndoshta në një të ardhme jo të largët në Lindjen e Mesme. Në vitet e para mbas Luftës së Dytë Botërore një vizion i tillë do të konsiderohej tërësisht absurd. Etapa e parë më e rëndësishme në rrugën drejt normalizimit u kurorëzua në vitin 1955 me krijimin e "Armatës Federale", Bundesverit, si dhe të Ministrisë së Mbrojtjes.

https://p.dw.com/p/Ar3U
Betimi i 101 ushtareve te pare te Bundesverit
Betimi i 101 ushtareve te pare te BundesveritFotografi: dpa

Si pa u ndjerë u krijua më 7 qershor 1955 "Ministria Gjermane e Mbrojtjes".Ishte më tepër një akt formal: Bëhej fjala për ndryshimin e emrit të institucionit, që qysh prej vitit 1950 merrej me çështjet e mbrojtjes. "Dega Blank" me rezidencë në kazermën Ermekajl në Bon e kishte marrë këtë emër sipas deputetit kristiandemokrat Teodor Blank, asokohe "I ngarkuar nga Kancelari për trajtimin e çështjeve që kanë të bëjnë me shumimin e forcave aleate". Nga ky emërim i ndërlikuar merret me mend se sa të stërzgjatura dhe komplekse kanë qenë negociatat në Gjermaninë e pushtuar dhe demilitarizuar vetëm dhjetë vjet mbas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore:

Blank: "Gjendemi përballë një detyre të re dhe të vështirë. Duhet të krijojmë një ushtri të re nga hiçi. Po e ndërtojmë në një shtet, që nuk e ka kapërcyer ende të kaluarën, në një demokraci të re që shpesh i duhet ende të luftojë për të fituar simpati në popull.".

Me këto fjalë Teodor Blank, që në qershor të vitit 1955 u emërua Ministri i parë i Mbrojtjes së Republikës Federale, do ta përshkruante në Bundestag misionin e tij të vështirë. Pesë vjet negociata me aleatët perëndimorë, ShBA-të, Britaninë e Madhe dhe Francën, ishin nevojitur për të ardhur deri tek kjo ditë. Shtysën për hapjen e debatit rreth pjesëmarrjes së gjermanëve në aktivitete mbrojtëse e dha lufta e Koresë, në vitin 1950. Më parë ishte hartuar plani i një ushtrie evropiane me pjesëmarrje të gjermanëve. Kontrata për "Bashkësinë Evropiane të Mbrojtjes" në vitin 1954 kishte dështuar për shkak të qëndresës së Britanisë së Madhe dhe Francës.

Në kërkim të zgjidhjes erdhi deri tek "Marrëveshjet e Parisit". Republika Federale e Gjermanisë u pranua në NATO dhe njëkohësisht përfundoi pushtimi dhe u rivendos sovraniteti. Ishte ky parakushti formal për themelimin e Bundesverit në nëntor të vitit 1955, siç do ta komentonte edhe Teodor Blank atëherë në mikrofonin e Dojçe Veles.

Blank: "Sigurish, që do të preferonim të mos e kishim marrë përsipër një detyrë të tillë. Por zhvillimet aktuale në botë kërkojnë që edhe Gjermania të japë një ndihmesë në sigurinë dhe lirinë e saj. Është detyrim moral dhe etik sepse nuk mund të presim, që kombet e tjera të jenë të gatshëm të mbrojnë Gjermaninë, në një kohë që rinia jonë të rrijë me duar nëpër xhepa e t’i kundrojë".

Fakti, që vetëm dhjetë vjet mbas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, djemtë gjermanë do të merrnin përsëri në dorë armët, u debatua shumë në shoqërinë e asokohe. Përkrahësit e idesë iu referuan rreziqeve që vinin nga Lufta e Ftohtë dhe ndonjë sulmi të mundshëm nga Bashkimi Sovjetik. Në këtë mes luajti rol edhe dëshira për të rifituar sovranitetin e plotë si një shtet, që është në gjendje të japë kontributin e tij për sigurinë në vend.

Kundërshtarët mes tyre edhe socialdemokratët që asokohe ndodheshin në opozitë përdornin si argument jo vetëm trashëgiminë e rëndë nga Lufta e Dytë Botërore, por ata besonin se krijimi i Bundesverit do ta thellonte ndarjen e Gjermanisë dhe do të provokonte Bashkimin Sovjetik. Por qeveria e Konrad Adenauerit arriti të fitonte me konceptin e një ushtrie të ankoruar në kushtetutë dhe të kontrolluar nga parlamenti. Teodor Blank do ta shpjegonte këtë koncept në qershorin e 1995-ës.

Blank: "Duam trupa ushtarake në demokraci që i nënshtrohen emergjencës politike. Ato duhet të ndjekin parimet e shtetit ligjor të marrin seriozisht të drejtat dhe detyrimet themelore të shtetësisë civile dhe të çmojnë dinjitetin e njeriut. Ato duhet të jenë të gatshëm për mbrojtje kundër cilitdo cenon paqen".

101 ushtarët e parë vullnetarë bënë betimin disa muaj më vonë, më 12 nëntor 1955, në datëlindjen e 200/te të gjeneralit dhe reformuesit të ushtrisë prusiane, Gerhard fon Sharnhorst. Emri "Armatë Federale" (Bundeswehr) ushtria e re e mori në vitin 1956.