1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

50 vjet vend përkujtimor i Buhenvaldit

Peter Sommer13 Shtator 2008

Përmendorja e parë kombëtare e RDGJ-së

https://p.dw.com/p/FHeD
Njerëz duke lënë pas lule gjatë Ditës Përkujtimore Ndërkombëtare në kujtim të viktimave të Holokaustit në kampin e përqendrimit Buhenvald, janar 2007.Fotografi: AP

Vajmari (Weimar) është para së gjithash i njohur për vendet e tij përkujtimore klasike, si për shembull Shtëpia madhështore e Gëtes në qendër të qytetit apo Biblioteka (e dukeshës) Anna Amalia. Por vetëm pak kilometra më tej, i simbolizuar prej një kambanoreje monumentale përmendorja e Buhenvaldit (Buchenwald) të kujton kapitiullin më të errët të historisë gjermane, i cili zë fill edhe këtu. Këtë të diel mbushen 50 vjet, qëkurse udhëheqja e Republikës Demokratike Gjermane përuroi përmendoren e Buhenvaldit.

Më 14 shtator në orën 11 fiks ra për herë të parë kambana në majën e kambanores 50 metra të lartë, të vendosur në Pellgun e Turingjisë. Vetëm pak metra më poshtë gjendet skulptura e njohur e Fric Kremerit. Prej këtej pamja mbi qytetin e Vajmarit pothuajse të lë pa frymë.


Me ngritjen e përmendores së Buhenvaldit qeveria e Republikës Demokratike Gjermane përmbushi një kërkesë të të burgosurve të mbijetuar, por ajo krijoi para së gjithash përmendoren e parë kombëtare të RDGJ-së. Kuptimi i saj qëndronte në legjitimimin e RDGJ-së si Gjermani tjetër, më e mirë. Mesazhi ishte: Këtu vuajti, luftoi dhe së fundi fitoi brezi themelues i RDGj-së.


Drejtori i sotëm i përmendores së Buhenvaldit, Folkhard Knige, e sheh me respekt datën historike.


"Në vitin 1958 kjo përmendore kombëtare është vërtet më e madhja në vendin ku ngrihej një kamp përqendrimi në territorin gjerman. Për shembull në vitin 1958 në Republikën Federale Gjermane në territorin e kampit të Dahau-t gjendet ende kompleksi i banimit Dahau Lindje për refugjatë, në Nojengame pranë Hamburgut në vendin e ish-kampit gjendet një burg për të rinj. Pra në perceptimin subjektiv besoj se është e kuptueshme përse edhe të mbijetuar jokomunistë të Buhenvaldit janë identifikuar me këtë përmendore."


Në qoftë se Perëndimi mundohej t'i trajtonte në mënyrë ndaluese dhe qetësuese të kaluarën naziste dhe krimet e lidhura me të, udhëheqësit e RDGJ-së pa një pa dy e rishkruan në favor të tyre historinë e kampit të përqendrimit, shtrembëruan dhe manipuluan faktet. Kështu luftëtarët komunistë të rezistencës, të cilët për nga numri i të burgosurve përbënin një grup shumë të vogël, u vendosën në qendër të përkujtimit, rreth tyre u ngrit njëfarë miti heronjsh.


"Ajo që u la krejtësisht jashtë vëmendjes ishin njerëzit e përndjekur mbi baza racore dhe masat e dhunshme dhe përjashtuese me motive racore: Nuk pati përmendore për hebrenjtë, as për sintit dhe romët, as për homoseksualët, nuk pati përmendoret për të ashtuquajturit antishoqërore, e kështu me radhë."


Edhe strukturimin e vendit përkujtimor qeveria e RDGJ-së ia nënshtroi në masë të madhe synimeve të saj ideologjike dhe politike. Kështu shumë kohë para përurimit të përmendores u morr vendimi për shembjen e barakave duke fshirë gjurmët, që mund të kishin shkaktuar ngatërresa në shkrimin zyrtar të historisë, mendon Knige.


Skulptorit Fric Kremer ju desh t'i ndryshonte disa herë figurat e tij, derisa u shkoi pas planit udhëheqësve të Partisë Socialiste Gjermane të Unitetit. Me gjithë patosin socialist dhe monumentalitetin ka edhe ndarje përmbajtësore me të shkuarën, të cilat ia vlen të shikohen, thotë Knige:


"Këto dallohen edhe sot në këtë skulpturë, sepse majtas kemi si të thuash pjesën zyrtare, kërkesën, por nga ana tjetër kemi të burgosurit, figura të burgosurish në këtë grup si për shembull të burgosurin që dyshon dhe atë që pyet, përndryshe këta nuk i gjen në gjithë RDGJ-në."


Sot ka tre ekspozita që informojnë për kampin dhe për historinë e tij. Më e madhja prej tyre dokumenton fatin e të burgosurve në kampin e përqendrimit, e dyta informon për kampin secial sovjetik pas mbarimit të luftës dhe e treta për përvetësimin politik të përmendore prej Partisë Socialiste Gjermane të Unitetit.