1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A do të largohen ndihmësit e huaj nga rajoni Aceh?

9 Mars 2005

Qindra milionë dollarë janë vënë nga bashkësia ndërkombëtare në dispozicion të rindërtimit të rajonit Aceh në Indonezi. Nën drejtimin e Kombeve të Bashkuara shumë organizata humanitare të vogla apo të mëdha kanë nisur projektet e tyre të ndihmës në vend. Por në raportimet nga Indonezia dëgjohen zëra se një pjesë e madhe e tyre duhet të largohet nga vendi në fund të këtij muaji

https://p.dw.com/p/ArQF

Kanë kaluar afro dy muaj kur qeveria indoneziane caktoi afatin e largimit të ushtarëve të huaj nga rajoni Aceh. Më së voni në 26 mars duhet të largohen edhe kontigjentet e fundit të ushtarëve që erdhën për të ndihmuar. Mesazhi ka mbërritur. Shumë nga uniformat e huaja janë larguar nga vendi. Edhe bundewehri gjerman, i cili ndërtoi një spital në Aceh nuk do të jetë më në rajon.
Por prej fundjavës janë shtuar zërat në shtypin indonezian se do t'u caktohet një afat largimi edhe ndihmësve të tjerë pa uniformë. Ndërkohë në një deklaratë për shtyp nga ana e Ministrit për çështje sociale, Alvi Shihab, thuhet se qeveria e ka cilësuar datën 26 mars si një afat në të cilën konsiderohet e mbyllur faza e ndihmës emergjente- pas kësaj në vend do të qëndrojnë ato organizata ndërkombëtare që janë përgjegjëse për rindërtimin e vendit.
Rudi Tarneden, zëdhënës i UNICEF-it për Gjermaninë sapo është kthyer nga Aceh.
"Qeveria indoneziane ka kumtuar se në datë 26 mars ajo do të paraqesë masterplanin për rindërtimin e vendit. Kjo është sigurisht një inisiativë shumë e rëndësishme. Të shihen të gjithë sektorët e nevojshëm dhe të vendoset, çfarë nevojitet dhe çfarë duhet organizuar konkretisht. Megjithatë 26 marsi nuk është një datë në të cilën përfundon ndihma emergjente. Fëmijët janë shumë të rrezikuar nga malarja dhe uji i ndotur. Kam vizituar një kamp në Aceh ku në një vapë mbytëse jetonin 5000 vetë nëpër çadra duke pritur që edhe për ta të fillojë dikur jeta. Me kolegët tanë jemi të mendimit se deri në verë duhe tët vazhdojë faza e ndihmës emergjente" thotë Tarneden.

Vështirësi të mëdha ka pasur në koordinimin e aksioneve të ndihmës. Deri më sot madje nuk duken konturet e një masterplani. Edhe njëherë Rudi Tarneden:
"Ky është problemi më i madh. Koordinimi mes organizatave humanitare, autoriteteve vendore dhe qeverisë. Ndodh që disa organizata nuk marrin pjesë në këtë koordinim, kështu që e njëjta punë bëhet shumëfish."

Organizatat humanitare si edhe më parë qëndrojnë nën kontrollin e autoriteteve të vendit. Për sigurinë e vetë atyre siç thuhet në deklaratën e Ministrit indonezian. Mbetet akoma të pritet nëse në 26 mars vërtet shumica e ndihmësve të huaj do të paketojnë valixhet dhe do të largohen nga Aceh.