1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A po kryen FBI-ja vetëm detyrën?

Daniel Scheschkewitz3 Dhjetor 2004

Veprimtarët për të drejtat e njeriut ankohen për vëzhgim sistematik të kritikëve të qeverisë

https://p.dw.com/p/ArRW
Qendra e FBI-së në Uashington
Qendra e FBI-së në UashingtonFotografi: AP

ACLU, organizata qendrore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në SHBA, flet për fushatë sistematike vëzhgimi në SHBA të veprimtarëve për paqen dhe kundërshtarëve të tjerë të politikës qeveritare. Anne Beesson, drejtore e sektorit juridik të organizatës:

"Ne jemi në gjendje të dëshmojmë që vitin e kaluar FBI-ja në bashkëpunim me organet policore lokale ka pasur si synim vëzhgimi grupe të mjedisit, veprimtarë të paqes dhe nisma të krishtera."

Sipas të dhënave të veprimtarëve për të drejtat e njeriut një rol qendror në këto veprime të FBI-së luajnë të ashtuquajturat grupe të integruara të ndërhyrjes për mbrojtjen nga terrori, të ngritura nga qeveria në Uashington pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, të cilat bashkërendojnë masat e zbulimit midis organeve të ndryshme shtetërore dhe lokale. Fakti që në shënjestër të hetuesve u vunë edhe qytetarë të papërlyer bëri që veprimtarët për të drejtat e njeriut të hidhen tani në veprim.

Ata kërkojnë dhënien e dosjeve që do të sqaronin se përse u grumbulluan të dhëna pikërisht për veprimtarë të paqes si Bryan Tyrell, i cili ndihmoi në organizimin e veprimtarisë në Drake University in shtetin Iowa. Ajo kishte si qëllim ruajtjen e rezervistëve të gardës kombëtare nga shërbimi ushtarak në Irak.

"Ata donin të dinin se kush i kishte pajtuar sallat dhe kërkuan listat e pjesëmarrësve. Hetuesit kërkuan edhe listën e temave të trajtuara atje dhe të folësve."

Organizata ACLU beson se këto veprime janë antikushtetuese dhe kërkon dhënien e dosjeve përkatëse. Deri tani FBI-ja refuzon të mbajë qëndrim, por David Vladeck, profesor drejtësie në Georgetown University në Uashington mendon se sjellja e autoriteteve është e ligjshme.

"Qeveria do t'i referohet faktit që të gjitha hetimet janë kryer me qëllim mbrojtjen e ligjeve brenda vendit dhe mbrojtjen nga sulmet mbi sigurinë kombëtare."

Organizata për të drejtat e njeriut e mohon këtë. Ajo flet edhe për përdorim të gabuar të parave nga taksat.

"Nuk jemi të mendimit se FBI-ja duhet të humbë kohën dhe paratë e taksapaguesve duke shqetësuar prindërit e veprimtarëve të rinj të paqes ose duke infiltruar grupe për mbrojtjen e kafshëve dhe të mjedisit."

Menjëherë pas sulmeve terroriste të vitit 2001 qeveria e presidentit Bush kishte miratuar të ashtuquajturin "Patriot Act", i cili në kuadër të mbrojtjes nga terrori zgjeroi të drejtat e oraneve hetuese shtetërore. Zgjatja e ligjit duhet shqyrtuar gjatë kësaj periudhe legjislative.