1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A po largohet BE nga Ballkani?!

Viron Gjymshana17 Qershor 2004

Samiti i kryetarëve të shteteve dhe qeverive të 25 vendeve anëtare të Bashkimit Europian do të nënvizojë sot se njohja që do i bëhet statusit të Kroacisë si vend kandidat për në BE, njëlloj si Rumania, Bullgaria dhe Turqia, duhet të shërbejë ndër të tjera edhe si një nxitje dhe kushtrim për vendet e tjera ballkanike që ato të vazhdojnë ecjen në rrugën e reformave.

https://p.dw.com/p/Aqv9
Kancelari Shrëder me ministrin e tij Fisher pak çaste para fillimit të takimit në Bruksel
Kancelari Shrëder me ministrin e tij Fisher pak çaste para fillimit të takimit në BrukselFotografi: AP

Ndryshe nga sa pritej dhe shpresohej, duket se sa më shumë që zgjerohet, sa më shumë që shtrihet dhe përhapet, aq më shumë BE-ja po largohet nga Ballkani dhe pikërisht nga rajoni i tij më problematik, i njohur edhe si Ballkani Perëndimor. Një paradoks i tillë mund të kuptohet kur kujton se pas zgjerimit të tij më 1 maj të këtij viti me 10 vende të reja anëtare, Bashkimit Europian i nevojitet tani të unifikojë dhe njehsojë në maksimum politikat e tij ekonomike, financiare, atë të sigurisë së përbashkët dhe mbrojtjes etj para se të mendojë për zgjidhjen e problemeve të tjera. Në fakt zgjerimi i fundit i Bashkimit Europian përkoi dhe po pasohet me disa ngjarje të tjera thelbësore që tani për tani e kanë fokusuar krejtësisht vëmendjen e tij në problemet e integrimit të brendshëm. Kështu që sapo që Parlamenti Europian zhvilloi zgjedhjet e tij të reja, tani duhet që edhe Komisionit Europian t’i gjendet një president të ri, pasi ai aktual, pra Romano Prodit, i përfundon mandati më 31 tetor. Shtoji këtyre problemeve edhe mungesën e aprovimit të kushtetutës së re, dhe atëhere mund të bindesh se ka shumë arsye që samiti i sotëm i kryetarëve të shteteve dhe qeverive të 25 vendeve anëtare të BE-së të fokusohet pothuajse tërësisht në aprovimin e kushtetutës së re europiane si dhe në zgjedhjen e presidentit të ri të Komisionit Europian.

Samiti i cili i ka filluar punimet sot në ora 14 selinë e Këshillit të Ministrave të BE-së në Bruksel pritet të zgjasë 2 ditë, dhe ai do të quhet si tejet i sukseshëm në rast se do të arrijë konsensus në zgjidhjen e 2 çështjeve të sipërpërmendura, pra të kushtetutës si dhe të gjetjes së zëvendësuesit të Prodit.

Në këto kushte vëmendja për Ballkanin Perëndimor është pothuajse në pikën më të ulët, po të përjashtosh faktin që udhëheqësit e BE-së do të bisedojnë sot edhe mbi perspektivat e anëtarësimit të ardhshëm të Rumanisë, Bullgarisë, Turqisë dhe Kroacisë. Pikërisht diskutimet rreth Kroacisë duket se do të shërbejnë edhe si një shtysë për tu kujtuar Shqipërisë, Federatës serbo – malazeze, Maqedonisë dhe Bosnjës se e ardhmja e tyre gjendet në Europë. Por para se atyre tu hapen dyert do tu kërkohet përmbushja e reformave. Në selinë e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian nënvizohet po ashtu se përparimet e çdo vendi janë të lidhura ngushtë edhe me arritjet e tyre në bashkëpunimin rajonal, që me pak fjalë do të thotë që nuk ka afrim me BE-në pa një integrim dhe bashkëpunim ndërballkanik.

Samiti i sotëm i Bashkimit Europian do të nënvizojë se njohja që do i bëhet sot statusit të Kroacisë si vend kandidat për në BE, njëlloj si Rumania, Bullgaria dhe Turqia, duhet të shërbejë si një nxitje dhe kushtrim edhe për vendet e tjera ballkanike për të vazhduar në rrugën e reformave.