1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Abdul Rahmanit i pranohet azili politik në Itali

Jörg Seisselberg30 Mars 2006

Afgani i konvertuar në fenë krishtere, Abdul Rahman, ka kërkuar azil politik në Itali dhe ka arritur ndërkohë atje. Rahmann ndodhet në një vend të sigurtë nën kujdesin e ministrisë së brendshme italiane.

https://p.dw.com/p/ArM0
Afgani, Abdul Rahman
Afgani, Abdul RahmanFotografi: AP

Siç duket qeveria italiane nuk ndihet edhe aq mirë me mysafirin e ri. Megjithatë, ministri i jashtëm italian Xhanfranko Fini, thekson se nuk pret reagime negative nga bota arabe. Qeveria italiane nuk ka dhënë sqarime për vendndodhjen e saktë të Abdul Rahmanit. Sipas kryeministrit Berluskoni kjo bëhet për shkaqe sigurie:

"Ministri i brendshëm më ka lutur që të ruajmë heshtjen absolute. Për Abdul Rahmanin janë ndërrmarrë të gjitha masat e sigurisë, të cilat janë të zakonshme në raste të tilla", sqaroi Berluskoni.

Detajet ashtu si çështjen se për çfarë rastesh të zakonshme e ka fjalën, Berluskoni i lë të hapura. Kryeministri dha të mërkurën në një konferencë shtypi lajmin e papritur se Rahman ndodhet në Itali. Fillimisht, Berluskoni për 15 minuta të tërë, iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve për fushatën elektorale. Dhe në momentin kur deshi të largohej nga konferenca, një gazetar i shtron atij pyetjen për fatin e afganit të konvertuar nga feja islame në atë të krishterë. Më parë, ministria e jashtme italiane pat njoftuar, se Rahman ndodhej në rrugë nga Kabuli për në Romë. Përgjegja e Berluskonit bëri që top-lajmi të shpërndahej shumë shpejt në mbarë globin:

"Ai tashmë ndodhet në Itali. Ndërkohë ka kërkuar azil politik, i cili i është njohur nga Italia. Ai ndodhet nën përkujdesjen e ministrisë së brendshme", nënvizoi kryeministri italian.

Në kohën kur bota brengosej për fatin e afganit 41 vjeçar, Berluskoni e dinte që ai ishte në duar të sigurta.

"Ai është tashmë në Itali, besoj që ka mbërritur natën e kaluar", sqaroi Berluskoni.

Kjo do të thotë: Abdul Rahman kishte bërë 12 orë qëndrim në Itali para se qeveria italiane të njoftonte për këtë zyrtarisht. Kjo do të thotë nga ana tjetër se ministria e jashtme në Romë nuk ka informuar saktë opinionin kur kishte dhënë lajmin se Rahman ndodhej në rrugë për në Itali.

Shkak për një veprim të tillë të qeverisë Berluskoni është se rasti 'Rahman' konsiderohet si shumë i ndjeshëm. Nga njëra anë me njohjen e azilit për Rahmanin qeveria italiane padyshim, që siguron mbështetjen e kishës. Një gjë e tillë patjetër që i duhet Berluskonit dhjetë ditë para zgjedhjeve parlamentare në vend. Nga ana tjetër, qeveria italiane druhet se në këtë mënyrë mund të jetë më tepër në shënjestër të terroristëve islamik. Grupe të ndryshme islamike kanë paralajmëruar protesta kundër lirimit të Rahmanit. Parlamenti afgan kërkoi nga qeveria në Kabul që të mos lejojë largimin e tij nga vendi. Siç duket për të mos nxitur atmosferën agresive në botën arabe, Roma vendosi për një aksion të fshehtë dhe e solli Rahmanin në Itali në një natë plot mjegull.

Afgani i cili për vite të tëra ka jetuar në Gjermani, kërcënohej në vendlindjen e tij nga dënimi me vdekje për shkak të përqafimit të fesë së krishterë. Pas protestave ndërkombëtare, pala afgane ndërpreu procesin gjyqësor dhe të hënën Rahman u la i lirë. Prapëseprapë para se Rahman të largohej fshehurazi nga vendlindja shumë deputetë në Afganistan kërkuan ekzekutimin e 41 vjeçarit.