1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Acarohen dukshëm marrëdhëniet mes socialdemokratëve dhe ekologjistëve, partnerë të koalicionit qeveritar gjerman

20 Mars 2005
https://p.dw.com/p/ArwF
Kryetarit të socialdemokratëve Müntefering i ka ardhur në majë të hundës me "pallavrat" e ekologjistëve
Kryetarit të socialdemokratëve Müntefering i ka ardhur në majë të hundës me "pallavrat" e ekologjistëveFotografi: AP

Temë qendrore e shtypit të sotëm gjerman janë marrëdhëniet mes partive që formojnë koalicionin qeveritar, pra mes socialdemokratëve dhe ekologjistëve, të cilat pas teatrit për zgjedhjen e kryeministres së landit Shlesvig-Holshtain, Hajde Simonis, janë acaruar dukshëm.

Në lidhje me këtë temë në gazetën "Süddeutsche Zeitung" lexojmë:

"Nxitur prej aferës së vizave dhe ligjit kundër diskriminimit, një ide kjo tepër e dashur për ekologjistët, por e rrezikshme sipas socialdemokratëve sepse bie ndesh me nevojën për hapjen e vendeve të reja të punës, edhe në radhët e koalicionit qeveritar mes socialdemokratëve dhe ekologjistëve të drejtuar prej Shrëderit dhe Fisherit tonet e komunikimit janë ashpërsuar. Mosmarrëveshje të tilla ka pasur gjithmonë, por pas humbjes së zgjedhjeve në Kiel, ato bien tepër në sy. E megjithatë ato nuk kanë ndonjë rëndësi të madhe sa u përket zgjedhjeve që do të zhvillohen në vitin 2006, sepse duket se opinionet politike në vend ndryshojnë çdo gjysmë viti. Përvoja e viteve të fundit tregon se brenda tre muajsh mund të përmbyset gjithçka e madje të marrë drejtim të kundërt."

Kurse në gazetën "Landeszeitung" lexojmë:

"Nervat në radhët e partive të koalicionit qeveritar në Gjermani janë tendosur së tepërmi. Kryetari i socialdemokratëve, Franc Myntefering, u nxori ekologjistëve kartonin e verdhë, duke kërkuar prej tyre që të veprojnë në vend që të bëjnë pallavra. Por për t'i bindur qytetarët e landit NRW që të votojnë pro koaliconit mes socialdemokratëve dhe ekologjistëve ka nevojë për shumë më tepër se sa për demagogji elektorale, sepse qeveria aktuale vazhdon të bëhet përgjegjëse për gjedjen e vështirë në vend, edhe pse opozita nuk ofron koncepte bindëse. Nga ana tjetër duhet thënë se ajo që qeveris vendin de facto nuk është qeveria aktuale, por Këshilli i Federatës, i cili dominohet prej partive opozitare. Për këtë qeveria është e detyruar të kërkojë përkrahjen e opozitës dhe kjo gjendje shfrytëzohet për qëllime politike në mënyrë krejt të papërgjegjëshme. Dëshmi për këtë është reformimi i sistemit federativ në Gjermani, i cili pritej t'i jepte më tepër hapsirë veprimi politik në rang federate qeverisë. Ky është edhe shkaku pse kjo reformë ishte e predestinuar një herë për një herë të dështonte."

Gazeta "Tagesspiegel" trajton sjelljen e politikanëve gjermanë pas takimit të nivelit të lartë mes kancelarit dhe përfaqësuesve të opozitës për të vënë në jetë reformat urgjente për të cilat ka nevojë vendi. Sipas artikullshkruesit përgjegjës për gjendjen e sotme në vend janë edhe politikanët e opozitës me ligjet dhe idetë që kishin hedhur në kohën kur ishin në pushtet:

"Pas takimit të nivelit të lartë pjesëtarët janë kthyer në bazë dhe tani po bëjnë një gjë për të cilën nuk kanë më nevojë për ndihmësa dhe referentë, sepse për t'u ankuar se fajin e ka pala tjetër, janë vetë në gjendje. Kalkulimet politike janë për ta më të rëndësishme se sa përparimi politik, sepse në rast se arrihet sukses, pala tjetër mund ta reklamojë këtë si një sukses të vetin. Politikani opozitar, Roland Koch, tha një gjë të vërtetë dhe heshti për një të vërtetë tjetër. E vërteta: Gjendja e Gjermanisë nuk është dhënë prej zotit dhe politika që çoi në këtë gjendje ishte mizerabël. Vetëm se ai harron se në këtë mes fajtorë janë të gjithë, madje edhe ai vetë, që në qeverinë e Helmut Kohlit, ishte sekretar për financat e shtetit. Edhe presidenti Këhler, që sot kërkon që shpenzimet për sigurimet shoqërore të ndahen prej të ardhurave nga rrogat, ka qenë ndër ata që dikur ka ndikuar vetë për rritjen drastike të shpenzimeve që përllogariten me rrogat. Po ashtu askush nuk duhet të harrojë se edhe financimi i ribashkimit të Gjermanisë prej të ardhurave që ishin grumbulluar prej sigurimeve shoqërore nuk ishte një ide e mirë."

Temë tjetër që trajtojnë gazetat gjermane është edhe çështja e paktit të stabiltetit për euron. Shumë vende kanë kërkuar që kriteret e këtij pakti të mos jenë më kaq të ngurta. Në gazetën "Westfälische Rundschau" lexojmë:

"Më së fundi që prej zgjerimit të BE-së drejt lindjes u bë e qartë se ndryshimi i këtij pakti është i pashmangshëm në rast se nuk duam që ta vërë në rrezik të gjithë Evropën. Vendet evropiano-lindore bëjnë që për shkak të taksave tepër të ulta shumë firma gjermane të vendosen në to. Nga ana tjetër këto vende përfitojnë për ripërtëritjen e infrastrukturës së tyre të vjetëruar prej parave të Brukselit, dhe indirekt edhe prej Gjermanisë, që paguan shumat më të mëdha në arkat e BE-së. Në rast se njëkohësisht do të kemi edhe liri të plotë sa i përket tregut të punës Gjermania kërcënohet nga një dëm i dyfishtë: konkurrenca prej vendeve me taksa më të ulta dhe dumpingu social prej atyre që shesin lirë krahun e punës në tregun gjerman."