1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

ai: Në Kosovë nuk dënohen krimet e luftës

DW29 Janar 2008

Organizata për të drejtat e njeriut, Amnesty International, konstaton se përpjekjet e UNMIK-ut për të ndërtuar një sistem juridik në përputhje me standardet ndërkombëtare kanë dështuar.

https://p.dw.com/p/CyyG
Amnesty International (AI)

Në një studim që bëhet publik sot të martën (29.01), Amnesty Interantional (ai) kërkon nga misioni i ardhshëm i BE-së, që të dënojë krimet e luftës dhe ato kundër njerëzimit. "Misioni i OKB-së nuk i ka hetuar në mënyrë të mjaftueshme qindra vrasjet, përdhunimet, rrëmbime ose përndjekjet," ka deklaruar specialisti i kësaj organizate për Kosovën, Jan Digel. "Mungesa e dënimeve duhet të marrë fund. Ajo e pengon ndërtimin e mirëbesimit të popullsisë tek institucionet shtetërore."

Amnesty druhet se misioni i ardhshëm i BE-së do të përqëndrohet në luftën kundër korrupsionit, kontrabandës dhe krimit të organizuar. Ajo këshillon BE-në që të angazhojë prokurorë dhe gjykatës me përvojë ndërkombëtare në sistemin juridik vendor. BE-ja duhet t'i përzgjedhë ekspertët më me kujdes dhe t'i mbështesë ata më shumë se ç'e ka bërë deri tani UNMIK-u, ka thënë Digel më tej.

Dështimi i misionit të OKB-së në sistemin juridik tregon se drejtësia mund të përgatitet ashtu siç duhet për proceset që vijojnë, vetëm në se ka buxhetin dhe ekspertët e duhur.

Sipas raportit të ai qysh nga përfundimi i luftës në vitin 1999 në Kosovë janë zhvilluar gjithsej 23 procese gjyqësore për krime lufte, shumica e të cilave para vitit 2002. Në raste të pakta viktimat kanë qenë përfqësues të pakicave etnike. Gjyqet e bëra kundër serbëve në shumë raste duhej të përsëriteshin nga gjykatës ndërkombëtarë për shkak të parregullsive në ecurinë e tyre. Në disa raste dënimet e ndërkombëtarëve kanë qenë më të lehta, në raste të tjera të dënuarit janë liruar.