1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Griechenland Journalist

22 Korrik 2010

Sokrates Giolias sapo kishte mbushur 37 vjeç, drejtonte një radio private dhe shkruante për një blog lajmesh. Gazetari grek kritikonte skandalet në vend. U vra për këtë arsye?

https://p.dw.com/p/ORAD
Gazetari grek Sokratis GioliasFotografi: AP

Ishte si një vrasje nga mafia në filma: Dorasit u hoqën si policë, e tërhoqën gazetarin Sokrates Giolias nga banesa e tij dhe e vranë në mes tö rrugë, para syve të gruas së tij shtatzënë. Motivet e vrasjes janë akoma të panjohura.

Policia greke supozon se pas vrasjes fshihet grupi i majtë ekstremist, "Sekti i revolucionarëve". Në vitin 2009 grupi u shfaq papritur, shtiu në shkurt mbi qendrën e një stacioni televiziv privat dhe më vonë në qershor në një stacion policor. Aty u vra një polic me armën, e cila sipas të dhënave të policisë ishte përdorur të henën (19.07.2010) edhe në vrasjen e Giolias.

Edhe Panos Sombolos, reporteri më i njohur i Greqisë për çështjet e policisë dhe kryetari i shoqatës së gazetarëve të Athinës, mendon se akti është kryer për motive politike.

„Kontrolli i plumbave dëshmon se ketu nuk kemi të bëjmë me kundërvajtës të thjeshtë, por me terroristë të rrezikshëm. 'Sektin e revolucionarëve' e njohim që prej shkurtit të vitit 2009. Atëherë terroristët patën qëlluar me armë në stacionin televiziv në Athinë duke kërcënuar me vdekje të gjithë gazetarët."

Shoqëria të pozicionohet kundër terrorit dhe dhunës

Symbolbild Unterdrückung der Pressefreiheit
Liria e shtypit e rrezikuarFotografi: picture-alliance / dpa


Fillimisht policia supozoi se pas kësaj vepre penale fshihej krimi i organizar. Giolias, i lindur në Gjermani, ishte një gazetar popullor, por edhe i diskutueshëm, që kishte bërë shumë armiq me punën e tij. Ai kishte hulumtuar thellë në temën e korrupsionit në Greqi dhe kishte marrë së fundi shumë kërcënime me vrasje, njoftoi avokati i tij në televizionin grek. Pra duhej t'i mbyllej goja gazetarit? Pra nuk fshihen ekstremistët e majtë pas vrasjes, por dikush, që ndihej i kërcënuar nga hulumtimet e reporterit dhe vuri dikë që ta vrasë? Simos Kedikoglou, deputet i opozitës konservatore dhe ish-moderator televiziv, nuk sheh asnjë dallim ndërmjet terrorizmit dhe krimit të organizuar.

"Ky sulm tregon një gjë qartë: Ka një bashkëveprim ndërmjet terroristëve dhe kriminalitetit të organizuar dhe ne duhet t'i japim fund asaj që terroristëve, këtyre kaotëve të pafytyrë, t'u atribuojmë edhe motive 'politike', pra të nderuara. Në vend të kësaj shoqëria jonë duhet të pozicionohet kundër terrorit dhe dhunës.“

Kërcënimet kundër përfaqësuesve të mediave nuk janë gjë e rrallë në Greqi. Sokrates Giolias konsiderohej si bashkëthemelues i blogut të lajmeve „Troktiko“, edhe pse këtë nuk donte ta pranonte. Të gjithë bashkëpunëtorët e „Troktiko“ blogojnë në mënyrë anonime kundër politikanëve, krerëve të biznesit, por edhe kundër të dyshuarve për terrorizëm.

Autor: Jannis Papadimitriou/Angjelina Verbica

Redaktoi: Elert Ajazaj