1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Amerikanët e konsiderojnë Gjermaninë partnere të rëndësishme të SHBA-së

Daniel Scheschkewitz8 Dhjetor 2005

Rreth 50% e amerikanëve i konsiderojnë gjermanët si partnerë të rëndësishëm. Por vetëm një të tretat e qytetarëve amerikanë mendojnë se marrëdhëniet mes dy shteteve janë të përzemërta. Këto janë rezultatet e një sondazhi aktual që u publikuan nga ambasada gjermane në Uashington.

https://p.dw.com/p/Ar25
Fotografi: AP

Gjatë këtij sondazhi u morrën në pyetje 1000 amerikanë mbi moshën 18 vjeçare. 46% e tyre e vlerësojnë Gjermaninë si një shtet partner të rëndësishëm për SHBA-s, madje pas Britanisë së Madhe, shtetin më të rëndësishëm brenda Bashkimit Evropian. Ndërkohë në rangun ndërkombëtar Gjermania zë vendin e katërt pas Britanisë së Madhe, shtetit fqinj Kanadasë, Japonisë dhe qëndron më lart se Kina dhe Rusia.

Ndryshe nga situata e krijuar përpara dy vitesh me fillimin e luftës në Irak, sot rreth 43% e qytetarëve amerikanë kanë sërish një konsideratë të lartë kundrejt Gjermanisë. Në prill të vitit 2003 vetëm 27% e tyre mendonin në mënyrë pozitive mbi Gjermaninë. Por debatet që u krijuan në lidhje me luftën e Irakut si edhe luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar, vazhdojnë t´i influencojnë marrëdhëniet mes SHBA-s dhe Gjermanisë. Pothuajse një të tretat e të pyeturve e vlerësojnë luftën e Irakut si aspektin më negativ të marrëdhëineve bilaterale mes SHBA-s dhe Gjermanisë. Ndërkohë më shumë se 57% e qytetarëve amerikanë kanë shprehur dëshirën, që Gjermania të luajë një rol më aktiv në luftën kundër terrorizmit.

Ambasadori gjerman në SHBA-s, Volfgang Ishinger, sheh aspekte si pozitive, ashtu edhe negative tek rezultatet e këtij sondazhi:

"Mendoj se ky sondazh dëshmon, se po ecim drejt rrugës së duhur. Përpara disa vitesh imazhi i Gjermanisë në SHBA-s pësoi humbje të thella për shkak të debatit që u krijua mbi luftën e Irakut. Por rezultatet e tanishme janë shumë pozitive si për qeverinë gjermane, ashtu edhe për ambasadën tonë. Ndërkohë ne duhet t´u dëshmojmë qytetarëve amerikanë se ne luajmë vërtet një rol shumë të rëndësishëm në luftën kundër terrorit ndërkombëtar, madje në Afganistan ne jemi partneri kryesor i SHBA-s."

Por faktin se Gjermania është vërtet aleati kryesor i SHBA-s në Afganistan, e pranojnë vetëm 19% e amerikanëve.

Sidoqoftë interesi i amerikanëve për Gjermaninë mbetet i lartë. Pothuajse gjysma e qytetarëve amerikanë treguan interes ndaj informacioneve që kanë të bëjnë me Gjermaninë.