1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Anëtarësim në 2007 por me kusht

Bernd Riegert13 Maj 2006

Projekt-raport i brendshëm i Komisionit Europian për Rumaninë dhe Bullgarinë

https://p.dw.com/p/ArB7
Rumania dhe Bullgaria anëtarë të BE-së në 2007?
Rumania dhe Bullgaria anëtarë të BE-së në 2007?Fotografi: EU

Të martën e ardhshme Komisioni i BE-së do të marrë vendim për anëtarësimin e Rumanisë dhe Bullgarisë dhe do ta bëjë këtë vendim publik. Që tani dihet se afati i anëtarësimit është afruar në 1.1.2007 por është kushtëzuar nga kërkesa të ndryshme. Sipas një projekt-raporti të brendshëm të Komisionit Europian që qarkullon në Bruksel, Bullgaria dhe Rumania mund të marrnin më në fund frymë lirisht.
Komisari i BE-së për zgjerimin Oli Ren propozon që të dy vendet të pranohen në 1 janar 2007 dhe jo në 2008. Por në dokumentin që Komisioni pritet ta paraqesë të martën e ardhshme dhe që do të shërbejë si bazë për diskutimet përmenden kushte dhe kërkesa. Sipas tyre Bullgaria dhe Rumania duhet të iniciojnë deri në tetor të këtij viti reformat tepër të vonuara në drejtësi. Me sy veçanërisht kritik shihet Bullgaria ku lufta kundër korrupsionit sipas mendimit të Komisionit Europian nuk ka sjellë ende rezultate të mjaftueshme. Shqetësues është gjithashtu edhe numri i lartë i vrasjeve të pasqaruara me porosi.

Nëse kërkesat nuk do të përmbushen Komisioni mund t'i këshillonte në vjeshtë Këshillit të Ministrave të BE-së të shtynte me një vit anëtarësimin e të dy vendeve. Ministri i jashtëm gjerman Frank Valter Shtajnmajer nuk ka dashur të prononcohet në Vjenë mbi propozimet e Komisionit. Ai megjithatë ka siguruar se parlamenti gjerman do të bëjë me siguri ratifikimin e marrëveshjeve të anëtarësimit:"Komisioni do të gjejë një rrugë për të trajtuar deficitet e përshkruara. Si një nga vendet anëtare që kanë kërkuar këshillim nga Komisioni nuk është detyra ime të kritikoj paraprakisht apo të jap mësime. Ne në Gjermani do të pregatisim në çdo rast proçesin e ratifikimit i cili do të jetë i tillë që një anëtarësim eventual në 1 janar të 2007 të jetë i mundur. Kjo do të thotë që në fillim të dhjetorit të këtij viti ne do ta kemi përfunduar proçedurën e ratifikimit."

Komisioni Europian në dokumentin e paraqitur tregon se autoritetet në Rumani dhe Bullgari nuk janë të përgatitura për subvencionet agrare që shoqërojnë anëtarësimin. Për këtë arsye BE mund t'i mbajë për momentin fondet e prapambetura. Përveç kësaj të dy vendet do t'i nënshtrohen për një periudhë tre vjeçare një të ashtuquajturi "monitorimi" i cili do të kontrollojë me rreptësi zbatimin e reformave të vendosura dhe njoftuara. Për të shtuar trysninë ndaj qeverisë rumune dhe asaj bullgare është parashikuar dhe ndërprerja e ndihmave financiare nëse monitorimi do të sillte rezultate negative.
Që prej raportit të fundit periodik mbi përparimet në rrugën drejt anëtarësimit, Bullgaria e ka reduktuar listën e mangësive nga 16 në 6. Rumania ka ende edhe 4 pika kritike në listën e saj. Në këto fusha nevojitet veprimi urgjent thuhet në projekt raportin e Komisionit Europian. Komisari për zgjerimin Oli Ren është shprehur në muajin prill përpara parlamentit europian me nota tepër kritike ndaj Bullgarisë. Por presidenti i Komisionit Hose Barroso hodhi poshtë të hënën spekullimet sipas të cilave Komisioni do të shtyjë tërësisht vendimin e tij. Ai përmendi opsionin për pranimin me kusht në 2007. Anëtarësimi në 2008 i është garantuar të dy vendeve me shkrim. Marrëveshjet e anëtarësimit u nënshkruan vitin e kaluar me ceremoni festive. Nëse kërkesa të caktuara të Komisionit Europian do të vazhdojnë të mos plotësohen, BE mund të shfrytëzojë klauzolat nga këto marrëshje të cilat parashikojnë kufizimin e të drejtave të anëtarësimit.
Kryeministri bullgar Sergej Stanihev tha në Sofje se shtyrja e anëtarësimit do të ishte një zhgënjim i hidhur për vendin e tij dhe do të dekurajonte forcat reformatore. Vendimi i Komisionit pritet të merret të martën në Strasburg dhe do të bëhet publik pasdite vonë.